Lajme të këqija për Real Madridin, konfirmohet lëndimi i rëndë i Militaos

08 dhjetor 2025 | 15:55

Konfirmohen lajmet e këqija në Real Madrid. Pas kontrolleve mjekësore të kryera këtë mëngjes, klubi madrilen njoftoi se Eder Militao ka pësuar një këputje të bicepsit femoral në këmbën e majtë, me prekjen e tendinit proksimal. Për këtë arsye, ai pritet të mungojë për rreth tre deri në katër muaj.

Në minutën e 20-të në “Santiago Bernabeu”, gjatë një vrapimi, mbrojtësi brazilian ndali Pablo Duran që të mos dilte i vetëm përballë Courtois. Megjithatë, ai u rrëzua menjëherë në tokë pasi ndjeu një therje në pjesën e pasme të kofshës së majtë. Militao u largua nga fusha me ndihmë, pothuajse pa e mbështetur fare këmbën, ndërsa në vend të tij u fut Antonio Rudiger.

Kujtojmë se Militao ka kaluar dy dëmtime shumë të rënda më parë, të dyja të ligamentit të kryqëzuar të përparmë: fillimisht në gjurin e majtë në gusht të vitit 2023 dhe më pas në të djathtin në nëntor të 2024, duke prekur edhe meniskun. Në këtë sezon, dëmtimet e kishin kursyer disi, pasi në dy sezonet e mëparshme mezi arriti të luante njëzet ndeshje me Real Madridin.

Me një dëmtim kaq afatgjatë, është e vështirë të përcaktohet lista e saktë e ndeshjeve që Militao do të humbasë për Xabi Alonson. Rikthimi i tij në fushë parashikohet në fillim të prillit. Për këtë arsye, ai do të mungojë në disa ndeshje të rëndësishme të La Ligës kundër Sevillas, Betis, Real Sociedad dhe Atletico Madrid, si dhe në vizitat në La Ceramica, Mestalla dhe El Sadar. Nuk do të jetë i pranishëm as në Superkupën e Spanjës, e cila zhvillohet në fillim të janarit në Arabinë Saudite, ku Real Madridi do të përballet me Atleticon në gjysmëfinale.

Ai gjithashtu nuk do të luajë në tre ndeshjet e mbetura të fazës së grupeve të Champions League (kundër Manchester City, Monako dhe Benfica); si dhe në një ‘play-off” të mundshëm për kualifikim, në fazën e 1/8-ve, madje edhe në një çerekfinale të mundshme. Sa i përket Kupës së Mbretit, ai mund të mungojë deri në ndeshjen e kthimit të gjysmëfinaleve, nëse Real Madridi arrin deri aty.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka thënë se me mbështetjen…