
“LAJTHITJET SHQIPTARE”
Shkruan: Arsim Bajrami
Sot me rastin e shkuarjes në amëshim të Z. Bujar Bukoshi, Kryeministër i parë i Qeverisë së Kosovës, të gjitha mediat e Kosovës, por edhe qarqe politike duke shprehur ngushllime, pa përjashtim e konsiderojnë z. Bukoshi dhe qeverinë që ai udhëheqi, si kontribues në financimin e të ashtuqujturave “institucione paralele” të Republikës së Kosovës më periudhen 1990-1999.
Ky diskurës i mediave tona është i gabuar dhe i dëmëshëm për historinë e shtetëndërtimit të Kosovës.
Duhet theksuar se Republika e Kosovës, e lindur në vitin 1990, megjithëse e panjohur ndërkombëtarisht, ishte një shtet legjitim dhe jo një “shtet paralel,” siç gabimisht e trajtojnë autorët e ndryshëm në Kosovë, sidomos qarqet shkencore dhe politike. Republika e Kosovës e lindur në vitin 1990, me Deklaraten Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 dhe Kushtetuten e Kaçanikut me 7 shtator 1990 u legjitimua me referendumin popullor të vitit 1991, kur në mënyrë plebishitare me 99 përqind të votave qytetaret e Kosovës votuan për pavarësinë e Kosovës.
Institucionet e Kosovës që vepronin gjatë viteve të 90-ta, nuk ishin paralele, por legjitime që vepronin në kushte okupimi. Ndonëse të pa njohura ndërkombëtarisht, ato kishin një mbështetje efektive nga populli dhe ishin të organizuara në përputhje me nevojat dhe aspiratat e shqiptarëve. Këto institucione në kushte okupimi ofronin shërbime dhe mbështetje për qytetarët, duke përfshirë arsimimin dhe organizimin shoqëror. Institucionet serbe të instaluara dhunëshëm në Kosovë gjatë kësaj periudhe, në faktë ishin institucione paralele dhe okupuese të cilat pengonin funksionimin e shtetit legjitim të Kosovës.
Përdorimi i gabuar i terminologjisë si “shtete paralele” krijon një narrativë që ndihmon në përforcimin e legjitimitetit të politikave dhe qëndrimeve serbe. Kjo terminologji mund të ketë pasoja të mëdha në ndërtimin e identitetit dhe vetëdijes kombëtare, duke minuar përpjekjet për njohjen dhe legitimitetin ndërkombëtar të Kosovës.Përdorimi i kualifikimeve të pasakta në aspektin shkencor dhe kombëtar nga aktorët kosovarë, siç janë “shteti paralel,” “shkollat paralele,” “universiteti paralel,” “institucionet paralele,” legjitimojnë pushtetin e okupues serb të instaluar dhunshëm në Kosovë dhe delegjitimojnë përpjekjet e shqiptarëve për formimin e një shteti të pavarur.