
Lakersat dominojnë në Konferencën e Perëndimit, triumfojnë Houstoni dhe Bostoni
Lakersat vazhdojnë të dominojnë renditjen në Konferencën e Perëndimit. Kjo skuadër e mposhti me rezultat 123-113 New Orleans, takim i dominuar nga kalifornianët. Ndeshje magjike e Anthony Davis, që realizoi 46 pikë e 13 rebound, mbështetur nga Green me 25 pikë dhe James me 17 pikë e 15 asistime.
Fiton edhe Houstoni ndaj Philadelphias (118-108), sfidë ku mysafirët e nisën mirë ndeshjen (Simmons me 29 pikë, 13 rebound e 11 asistime). Në pjesën e dytë vjen përmbysja e Houstonit, ku u dalluan Harden me 44 pikë, 11 rebound e 11 asistime, mbështetur edhe nga Capela me 30 pikë e 14 rebound, raporton “Telesport”.
Skuadra e Boston triumfoi në sekondat e fundit me rezultat 109-106 ndaj Atlantas, takim ku skuadra e Celtics rrezikoi shumë në fund. Të pestë titullarët e Bostonit realizuan mbi 10 pikë (Brown 24 pikë e 10 rebound), duke i bërë të pavlefshme 28 pikët e Young. Orlando, falë 25 pikëve të Terrence Ross, mundi 105-85 Miami, ndërsa Portland triumfoi me rezultat 122-103 në fushën e Washington (Lillard 35 pikë). Skuadra e Phoenix mposhti 120-112 New York, ndeshje ku u dallua Booker me 38 pikë.
Rezultatet
Boston – Atlanta 109-106
Orlando – Miami 105-85
Washington – Portland 103-122
Houston – Philadelphia 118-108
Phoenix – New York 120-112
Lakers – New Orleans 123-113