Laporta për Messin: Ai duhet të ketë një statujë në ‘Spotify Camp Nou’

14 nëntor 2025 | 10:56

Pas vizitës së Lionel Messit në “Spotify Camp Nou” në fillim të kësaj jave, te Barcelona është intensifikuar diskutimi për nderimin e legjendës së klubit pas përfundimit të karrierës së tij. Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, gjatë një eventi publik të enjten, ka zbuluar  se klubi tashmë ka nisur punën për ngritjen e një statuje dedikuar argjentinasit.

Laporta ka theksuar se Messi, lojtari më i madh në historinë e Barcelonës hde meriton të jetë i përfaqësuar mes figurave ikonike të klubit në ambientet e rinovuara të stadiumit.

“Në bordin e drejtorëve, me kolegët e mi, ne gjithmonë mendojmë se duhet bërë diçka më shumë për Messin. Ai duhet të ketë një statujë në Spotify Camp Nou, si Cruyff dhe Kubala. Do të ishte e drejtë nëse edhe Leo do të kishte statujën e tij. Ai është një nga ata lojtarë referimi që na kanë lënë gjurmë të gjithëve”, ka thënë Laporta.

Presidenti ka konfirmuar  se procesi është tashmë në fazë planifikimi dhe se ceremonia e homazhit do të zhvillohet në momentin e duhur, në marrëveshje të plotë me familjen Messi.

“Po punojmë për këtë. Sigurisht, familja duhet të bjerë dakord. Kur të vijë koha e duhur dhe të kemi dizajnin e kësaj statuje, do ta propozojmë. Do të na pëlqente shumë, si tifozë të Barcelonës. Mendoj se të gjithë tifozët e Barcelonës do të donin të kishin një statujë të Leo Messit aty ku ndodhen figurat e mëdha në historinë e Barcelonës”, ka thënë Laporta.

Ngritja e statujës së Lionel Messit pritet të jetë një nga projektet më domethënëse simbolike të Barcelonës, duke vulosur përfundimisht trashëgiminë e tij të jashtëzakonshme në klub.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti francez, Emmanuel Macron do të presë presidentin e Ukrainës,…