Legjenda sllovene Rudi Isteniç i bashkohet FC Kosova Düsseldorf si ndihmëstrajner
Ish-lojtari i Fortuna Düsseldorf dhe legjendë e futbollit slloven, Rudi Isteniç, është zyrtarizuar si ndihmëstrajner i FC Kosova Düsseldorf për pjesën e dytë të sezonit.
Klubi i Landesligës gjermane (niveli i gjashtë i futbollit) po tregohet shumë aktiv në javët e para të vitit të ri. Përveç përforcimeve në skuadër, drejtuesit kanë vendosur të fuqizojnë edhe stafin teknik.
Pak ditë më parë, FC Kosova prezantoi Joshua Sumbunu si përforcimin e katërt për pjesën e dytë të sezonit, ndërsa tani ka zyrtarizuar edhe një emër të madh në pankinë – Rudi Isteniç.
Rikthehet Joshua Sumbunu
Futbollisti 32-vjeçar, i cili mund të luajë si në mbrojtje ashtu edhe në mesfushë, rikthehet te FC Kosova pas një mungese prej një viti e gjysmë. Pas promovimit të klubit në Landesligë, Sumbunu kishte kaluar te 1. FC Monheim (Oberliga), për të vazhduar më pas te Turu 80, por aventura e tij e fundit nuk zgjati shumë.
Sumbunu është aktiv edhe në Baller League, një ligë amatore rajonale ku marrin pjesë shumë emra të njohur. FC Kosova ka pranuar këtë “jetë të dyfishtë” të lojtarit, ashtu si edhe në rastin e Fatlum Ahmetit apo Mohamed Karma.
“Joshua e njeh klubin dhe ambientin, ndërsa ne e dimë saktësisht çfarë të presim prej tij. Ai është një përforcim i madh për ne”, u shpreh trajneri Ibo Cöl.
Rudi Isteniç – emër i madh në stafin teknik
Ndërkohë, stafi teknik i FC Kosova Düsseldorf është pasuruar me një emër shumë të njohur. Rudi Isteniç, ish-reprezentues i Sllovenisë, do të jetë ndihmëstrajner për pjesën e mbetur të sezonit.
“Na pëlqen të punojmë në grupe të vogla, prandaj kërkuam edhe një ndihmëstrajner shtesë për ta kompletuar stafin bashkë me Günter Dembski dhe Sascha Berdicchia”, shpjegoi Cöl.
Kontakti me Isteniç u realizua përmes një sponsori dhe anëtari të bordit të klubit.
“Bisedat shkuan shumë mirë dhe nga ana sportive nuk ka asnjë dilemë. Të gjithë mund të përfitojmë nga përvoja e tij”, theksoi trajneri i FC Kosova.
Isteniç, 55-vjeçar, ka një karrierë të pasur si futbollist, duke zhvilluar mbi 100 ndeshje në Bundesliga I dhe II me Fortuna Düsseldorf. Si trajner, deri sezonin e kaluar ai ka drejtuar ekipin Rheinwacht Stürzelberg, ku ende aktivizohet djali i tij, Alexander Isteniç.
Përveç angazhimit me FC Kosova Düsseldorf, Isteniç do të vazhdojë punën edhe si trajner i grupmoshës U14 të SG Unterrath, që garon në Rhein-Ruhr-Liga.



