Lëmoshëtarët

28 tetor 2025 | 08:27

Musa Ramadani

 

Dy pleq.

Tërë jetën i kishte ndarë puna, pa u takuar më gjatë, pos në dasma e në deka.

E tani vetvetiu kishin lidhur miqësi të njëmendët.

I kishte miqësuar pleqëria, mërzia, pleqëria.

Ditëve të para të vjeshtës takoheshin në parkun e qetë të qytetit.

Pa u marrë vesh për kohën, takimet ishin të sakta si tek dash­norët.

Ndonjëherë bisedonin, ndonjëherë vetëm rrinin në bankë.

Mirëpo rregullisht pinin duhan shumë.

Njërin e kishte pjekur e stërpjekur dielli.

Tjetrin e kishte zverdhur e stërverdhur zyra.

Që të dytë si një shtëpi të vjetër prej motesh, i kishte rrëzbitur (gati njësoj) jeta.

Të shtatëdhjetat e fiu u rëndonin si një gërbë e padukshme mbi shpinë.

Dy pleq. Që edhe këtë herë i kishte bashkuar ky diell vjeshtak.

(Eh, jeta qenka punë e madhe. Ku kam qenë e ku kam mbërri­tur! Ku ia kam filluar e ja se ku kam ardhur. Krejt me duket si në ëndërr, po mos të shiko­hesha ndonjëherë në pasqyrën e madhe të rojtarit dy herë në javë.)

(Hë, hë ku ia kam filluar thuajse aty kam mbetur. Ku kam qenë – aty edhe jam. Po të më pyeste ndokush se ç’kam bërë për tëra këto vjet jetë, ndoshta nuk do të dija se çfarë t’i tregoj. E, tërë jetën, pra, – e ndiej këtë prej trupit tim – kam punuar.)

(Në fillim isha shegërt. Dalëngadalë u bëra kallfë. Punoja pa hile e me zemër dhe e mora zanatin. Pas një kohe u bëra mjesh­tër. Dikur hyra korrier në Rreth, shpërndaja ftesat. Dalënga­dalë më thanë të ndihmoj për të shkruar në zyrën e pra­nimit. Dhe më në fund u bëra qatib në zyra ku edhe më shkoi pjesa më e madhe e jetës.)

(Si fëmijë qesh rrogëtar, hamall e çfarë të duash. Në rini e ushtrova edhe më mirë këtë zanat që s’ia kisha dëshiruar as dushmanit. Erdhën luftërat, kaluan, unë prapë rrogëtar. Për një copë bukë më! Edhe në moshën e pjekurisë gjithashtu. Deri në moshën e pleqërisë s’m’u nda samari prej shpine. Po me djersë bile, kurrë s’i kam lypur kujt.)

(Të dish të jetosh vërtet nuk qenka gjë e lehtë. Hyn këtu, futu aty, ji këtu, dil, atje. Një luftë e çuditshme, rrezikun e të cilës s’ia dimë as shohim e pra, luftë është. Këtu e fillon punën, aty e vazhdon e pale se ku e përfundon. Gjërat, si duket, s’u varkan krejt nga vullneti i njeriut.)

(Dikush di e dikush s’di të jetojë kështu më duket se ishte puna e kësaj bote. Merret vesh dikush ka më tepër e dikush më pak mundësi. Ja, fjala vjen, dikush punon më pak e fiton shumë, dikush përkundrazi: punon më shumë e ka më pak. Ta merr mendja: është edhe punë zotësie e aftësie.)

(Kur të kthehem përmbrapa, më duket se vitet më kanë shkuar si disa muaj, si javë, si ditët. Mirë ka thënë ai plaku kur e kanë pyetur para se të vdesë: si të hysh për këtë derë, e të dalësh për atë tjetrën! Jeta po e habitka njeriun si një ëndërr. Çdo gjë kaluaka padiktueshëm, dhe po mos të ishin rrudhat dhe trupi i rrëzbitur, thuajse shenjat e tjera zbehen e humben krejtë­sisht.)

(Qëllon të më pyes ndonjëri: a të duket se mjaft ke jetuar. Paj, s’di se ç’t’i them: mjaft – s’është, pak – prapë ndoshta s’është. Kurrë pa e çuar kokën nga puna, as natë as ditë, njeriu thuajse edhe po harruaka të jetojë apo se ka jetuar.) jo. Prapë edhe unë kam se çfarë të tregoj ndonjë send. Jam bërë shtëpi – si thonë. Kam bërë disa fëmijë. Tre prej tyre i kam martuar: edhe ata kanë fëmijë. Tani edhe nipërit gati më janë bërë për martesë. Me një fjalë: shtëpinë e kam mbushur plot, lozën e kam zgjatur, familjen e kam zgjeruar.)

(Fëmijë, shyqyr zotit, kam mjaft, madje më shumë sesa më duhen. Rendin s’e kam si duhet, po le të jenë kur s’i kam lënë të heqin keq për bukë. Në ma dishin – mirë, jo jo, për vete e kanë.)

(Besa-besë kam kursyer sa kam mundur. Rakinë kurrë s’e kam shtënë në gojë. Kumarin e kam pasur iri që në fëmijëri. Batakçi kurrë s’kam qenë. Këtë duhan më! Paj, thonë, burri-burrë diçka duhet të bëjë. Shtëpinë vetë e kam ndërtuar me djersën time. Fëmijët i kam shkolluar ose u kam dhënë zanat. Të veshur e të mba­thur po. Edhe për të hëngër e për të pirë s’kanë hequr kurrë. Unë s’di se çfarë do të kenë dashur ata tjetër.)

(Njëmend shtëpi s’kam pasur mundësi t’u ndërtoj. As shkolla të larta t’u jap jo. Por ashtu: sa të kapen për diçkaje, të mos mbesin askund. Si thonë: kot kam punuar, e kurrë kot s’kam ndenjur. Një dinar në paça fituar, me fëmijët e kam hëngër si ajo pula që me një kokërr grur i mashtron zogjtë e vet. Pata s’pata, kush zërin s’ua ka dëgjuar. Unë, fundi i fundit, shkollë s’kam pasur e as ndonjë farë zanati që bën punë, jo.)

(Dhe më pyesin shpesh: të tëra sendet i ke prurë në vend – a je i kënaqur? Po, njerëzit pyesin dhe kjo është krejt normale. E si t’u përgjigjem se!?! Shikuar hollë e hollë, mund të them: po edhe – jo. Pse? Njëmend ua kam bërë të gjitha sa të mos e dinë as njohin skamjen. Por, qe de, prapë gjithçka s’mund të jetë në rregull. Dhe me mbushet mendja se kurrë nuk rregullohen të gjitha si do ti. Thonë dhe kanë thënë edhe përpara: njeriu s’bëhet rahat kurrë, veç kur të hyjë në varr.)

(Të gjitha vuajtjet hahen disi në jetë, e sëmundja kurrsesi. E, shyqyr zotit, vetë, këtë trup e këto vjet i kam bërë dhe mjekun me sy s’e kam parë. Edhe fëmijët po ashtu: deri në këtë sahat kurrë për ndonjë diçka të madhe s’më janë ankuar. Jo se i kemi ruajtur si vetë e qurës që për pak ftohen, por qe, nuk i ka gjetur gjë. Kur e kishe shëndetin, kishe gjithçka. Shëndeti po i sillka të gjitha, pa shëndet të gjitha të mirat e dynjasë nuk i vijnë as në sy njeriut.)

(Sillem e pështillem, pale mos jam rrokatur, e gjithnjë vij në një pikë: lezet s’ka. Është çuar ai lezet i moçëm more, për besë, edhe bereqet s’ka më si përpara. Ja unë, ja bota ka luajtur mendsh, po më parë unë, se bota është më shumë dhe më e madhe. He, more burrë i dheut, as ndeja s’është ndejë, as dasma s’është dasmë. Paj, të flas kah del shpirti: more as deka s’është dekë, he të mjerët ne që dita ditës nga mbrapa na ndjek.)

(Gjithmonë mendtë i kam pasur te buka. Kur e merrja thesin e miellit dhe e zbrazja në atë koliben time të keqe, krejt dynjaja më dukej se ishte imja. Edhe tani kështu. Fëmijët punojnë aty-këtu, sa për idare. Bukën, babo u them bukën më së pari, nxejeni maxhën, e tjerat çka të vijnë. Mish në na raftë ndo­njëherë në sqep; mirë e zot, po nëse jo, mundemi edhe pa të. Ih, pashë zotin; kemi gjallëruar edhe vetëm me bukë misri e me lëng, e kurrgjë s’na ka gjetur. Prapë kemi mbetur gjallë, edhe (të fortë, të fortë bile.)

(Ndoshta kohët po ndryshuakan kaq shumë e kaq shpejt, veçse përpara ndryshe e kam marrë me mend pleqërinë. Thosha: detyra ime është t’u lërë diçka fëmijëve, të mos mbesin rrugëve. T’i qes në dritë, në selamet si thotë populli, në bukë të vet. E kur t’i qes punët në terezi, atëherë di se çfarë bëj. Sa të më mbaj këmba e dora – veçse shëtit. Prej miku në mik, prej ndeje në ndejë, prej dasme në dasmë, prej d… E-ëëëh, s’paska qenë qysh mendoja unë. Nganjëherë më mbu­shet mendja as s’ke se ku shkon, as se s’ka kush të vijë. Ka mbaruar ai shyhret – i përpar­shëm! E shoh: secili nget pas punës së vet. Shikon hesapin e vet, shtë­pinë e vet, fëmijët e vet. Në pastë pak, kërkon shumë. Në pastë një shtëpi, do t’i bëjë tri, në pastë një veturë, kërkon tri. Në fitoftë shumë shikon edhe më shumë. Paj, syri i njeriut s’ngopet kurrë. Zor të gjesh njeri të bësh muhabet si duhet, apo edhe ta qash një dert, edhe po s’e pate fare.)

(Çudi, kaq vjet i mbusha e një shok të shpirtit s’e pata. Vështirë qenka të zësh shokë, vështirë. Unë, njëmend, kujt gjë s’i kam bërë, veçse n’i paça ndihmuar gjë. Të flas drejt e të rri shtrem­bër, si thuhet zakonisht, nuk kam qenë edhe hiç pa ta. Një “merhaba” e një “mirë­dita” e kam pasur me disa, po asgjë më tepër. Tash po e shoh se në pleqëri më së shumti u dashka shoku, jarani, miku. E ndërron ndonjë fjalë, qan ndonjë dert, bën ndonjë muhabet.)

(Lëri të tjerat, po as në shtëpi tënde nuk të bëjnë fort hesap. Qe, fëmijët më së pari, bie fjala. Punojnë, shëti­sin, bëjnë plane, blejnë, shesin, e ti thuajse nuk je as i gjallë. Kush s’ta vërë veshin për kurrgjë. As të pyet gjë, as merret vesh me ty, as bën dert, as konsultohet. Sikur s’je i asaj shtëpie, mysafir më. Ku di ai punët tona – thonë pas shpine. Keq nuk të bëjnë, po as mirë jo. Nuk t’i shajnë, po as nuk të lëvdojnë. Pra: je-s’je, krejt njësoj rrafsh Kosova.)

(Imja ka mbaruar më. Fëmijët si të munden le të gjenden. Kur shoh se bukë kanë e se nuk kanë nevojë për të lypur zemra më bëhet mal. Për të tjerat, gjendet çarja. Le të mundohen e le t’i bëjnë. Unë s’përzihem për asgjë. As ua prish tymin as ua ndë­rroj ujin. Edhe në më pyetshin për diçka, ua them: ju dini më mirë. Nuk çuditem fort: vakti ka ardhur. Kështu: veshët në lesh dhe bëhu se as sheh as ndien, edhe pse ende s’më kanë lënë krejt. Në ma dhënçin një cope bukë, ani më: pa kore, mirë, jo jo, edhe atë për vete e kanë.)

(Ec e shpjegoju tani fëmijëve fill e për pe ku ke qenë e kah ke shkuar. Çfarë ke punuar e çfarë ke mbaruar. Si ke hyrë e si ke dalë e si je përbiruar në jetë si nëpër unazë gishti. Ec e tregoju çfarë ke hequr, sa je dër­muar e si ke kaluar nëpër shosh e dërr­muar. Po luftë­rat, po skamja po njëqindmijë telashe. Kujt t’i tregosh? Tallen, të thonë: përralla janë ato.)

(Të hequrat e insanit s’mund t’i shkruajnë as librat. Kah kam shkelur për një copë bukë paj, kur më kujto­het veçse mendtë që s’më dalin. Nëpër ferra, nëpër gurë, nëpër ujë e kahmos. Prej gurit duhej nxjerrë dina­rin. Ti luaj, nafaka luaj. Fëmijët e sotshëm nuk e dinë. Ndoshta edhe nuk duan ta dinë.)

(Hë, jeta qenka punë e madhe…

(Hë, hë, jeta s’qenka gjë e lehtë).

Plaku që e kishte pjekur e stërpjekur dielli, sakaq shikoi para këmbëve: një grumbull bishtash duhani. Pasi thithi fort tymin e fundit, e shpiku edhe një cigare që sa nuk ia digjte buzët!

Plaku që e kishte zverdhur e stërzverdhur zyra para se të shkelte me këmbë ciganen e vet, tymosi edhe dy-tri herë shpejt e shpejt.

Spontanisht, ulur në bankë, sakaq, u shikuan reciprokisht sikur i kishte befasuar takimi i panjohur e i papandehur.

Plaku që e kishte pjekur e stërpjekur dielli.

– A çohemi, se muhabeti s’ka fund, – tha.

– S’ka, s’ka, hajde shkojmë!

Tha plaku që e kishte zverdhur e stërzverdhur zyra.

Ia kthyen shpinën bankës, parkut atë pasdite.

Gjatë tre orëve s’kishin qitur një fjalë goje. Vetëm se kishin pirë duhan, po.

Marrë nga numri 24 i revistës “Akademia”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Iliaz Bobaj - I mora ftesat e dasmës së Gencit,…