Letër publike liderëve të partive politike në Kosovë, thirrje për unitet dhe formim të institucioneve

02 qershor 2025 | 10:18

Shkruan: Arsim Bajrami 

Letër publike liderëve të partive politike në Kosovë, thirrje për unitet dhe formim të institucioneve

Thirrje për Unitet Politik dhe Formimin e Institucioneve të Kosovës pas Zgjedhjeve

Si një prej pjesëmarrësve aktiv në të gjitha proceset e shtetndërtimit të Kosovës nga viti 1990 e deri në vitin 2017, si anëtar i rregullt i Akademisë Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave (ASHASH), dhe Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve (EASA), shpreh shqetësimin tim për situatën aktuale në vend. Kjo situatë karakterizohet nga mungesa e formimit të institucioneve qeverisëse pas zgjedhjeve të fundit, të cilat tani e tre muaj po zvarriten pa një marrëveshje përbashkët mes partive politike. Çdo vonesë e mëtejshme në konstituimin e kuvendit me abuzimet kushtetese, po zbehë aftësitë tona qeverisëse dhe po tregon paaftësinë tonë shtetëndërtuese.
Vlerësoj se kjo periudhë paszgjedhore duhet të shërbejë si një moment reflektimi dhe bashkëpunimi mes të gjitha partive politike për të arritur një konsensus të domosdoshëm. Kosova është përballur me sfida të shumta dhe kërkon një angazhim të përbashkët për t’i bërë ballë atyre.

Partitë politike duhet të angazhohen në një dialog konstruktiv, i cili do t’i shty ato të tejkalojnë dallimet dhe të arrijnë një marrëveshje të ndërsjellë për përfaqësimin dhe drejtimin e vendit.

Formimi i institucioneve është një detyrë e domosdoshme për funksionimin e shtetit dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës. Këto institucione përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve dhe janë thelbësore për stabilitetin demokratik.

Një qeverisje e fortë dhe e qëndrueshme është e nevojshme për t’u përballur me sfidat ekonomike, sociale dhe politike që po e prekin vendin. Pa një qeverisje të fuqishme, rreziku i pasigurisë dhe mosbesimit në institucione rritet, çka mund të ketë pasoja të rënda për të gjithë shoqërinë kosovare.
Në këtë moment të rëndësishëm për shtetin tonë, ne jemi të detyruar të krijojmë një unitet të nevojshëm politik mes të gjitha partive dhe liderëve të politikës. Kosova po përballet me sfida të shumta, dhe është koha që të bashkojmë forcat tona për t’i përballuar ato me sukses. Kjo është një domosdoshmëri në momentet kur rendi i ri botëror po ndryshon me shpejtësi të paparashikueshme. Po kalojmë në faza kritike të rikonfigurimit politik në botë, ku vetëm me një unitet të partive politike në çështje shtetërore, Kosova mund të rreshtohet drejt përballjes me sfidat me të cilat po përballet.

Uniteti politik është themelor për stabilitetin dhe zhvillimin e vendit tonë. Bashkëpunimi ndërpartiak nuk është vetëm një alternativë, por një domosdoshmëri që do të ndihmojë në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe forcimin e institucioneve tona.

Me këtë rast, partitë politike parlamentare dhe liderët e tyre duhet të ulen së bashku, pa dallim ideologjie, për të diskutuar rreth mundësive të themelimit sa më të shpejtë të institucioneve dhe bashkëveprimit për zgjidhjen e sfidave tona të përbashkëta. Për të realizuar shtetndërtimin, duhet të ruajmë miqtë, sepse rendi botëror po ndryshon. 17 vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova ende nuk ka plotësuar misionin e saj të pavarësisë dhe vazhdon të përballet me sfida në përmbylljen e procesit të shtetndërtimit dhe konsolidimin e sovranitetit tonë.

Të dhënat historike na japin një pasqyrë të rëndësishme mbi unitetin dhe sukseset që kemi arritur si komb. Është e vërtetë se kur kemi vepruar së bashku, kemi arritur të fitojmë mbështetje nga partnerët tanë ndërkombëtarë, dhe proceset si ai i Rambujesë dhe Vjenës dëshmojnë për potencialin e lidershipit tonë.

Si një shtet që është formuar përmes sakrificave të mëdha, është thelbësore të ruajmë këtë unitet dhe të mos dështojmë në ndërtimin e shtetit tonë. Duhet të tregojmë forcë dhe vendosmëri, sidomos ndaj partnerëve tanë ndërkombëtarë, të cilët kanë mbështetur në momentet më të errëta, kur populli ynë ka përjetuar dhimbje të thella e kriminale nga ana e Serbisë. Vetëm me një plan të koordinuar dhe unitet të brendshëm mund të përcjellim mesazhe të forta dhe të sigurojmë një të ardhme më të ndritshme për të gjithë ne.

Kosova ka humbur shumë kohë në përplasje të brendshme politike, ndërsa këto zgjedhje kanë krijuar një situatë kaotike, e cila mund ta vonojë edhe më tej përparimin e saj.

Në kontekstin aktual ndërkombëtar, Kosovës nuk i lejohet vonesa në krijimin e institucioneve shtetërore. Sa më shpejtë duhet të formohet një qeveri gjithëpërfshirëse, e cila duhet të përmbushë detyrimet e pranuara ndërkombëtare të shtetit të Kosovës, të heqë sanksionet e padrejta ndaj shtetit tonë dhe të forcojë partneritetin euro-atlantik të vendit tonë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sistemi shëndetësor në Kosovë vazhdon të ballafaqohet me probleme të…