LETRA (QË NUK MË LEXOHET) DREJTUAR KOMISIONARIT HAHN

03 dhjetor 20:34

ADEM GASHI

Z. Hahn, nuk dyshoj se ju e njihni lidershipin e Kosovës. Nuk dyshoj se e dini që nuk i ka përmbushur as për së afërmi kushtet e detyrueshme sipas kërkesave tuaja: kushtin e sundimit të ligjit dhe të luftimit të korrupsionit të tmerrshëm që po na gërryen.

Nuk po ju pyes as përse ia liberalizuat vizat Serbisë, shkaktares së luftërave e të tmerreve në Ballkan, ndërkohë që neve na e tundni shaminë shantazhuese të 2020-s; nuk po ju pyes as përse nuk i vini në shenjë mospërmbushjet e marrëveshjeve që ka nënshkruar Serbia për mospengim të Kosovës për aderim në organizmat ndërkombëtare (Interpol, UNESKO etj); nuk po ju pyes as për të tjerat që janë shumë.
Po, një pyetje, pavarësisht prej zemërgjerësisë sime, nuk e shmang: Çështë tani ky presioni i taksës? Ne presim me net e me ditë, me muaj e me vite (e dini çjanë dy dekada pritje!?) për më të dashurit tanë të rrëmbyer e të zhdukur nga Serbia.

Zotëri Hahn, ne presim eshtra. Dhe po lodhemi e po vuajmë, po plakemi e po vdesim nën tiraninë e pritjes.

Nuk besoj të mos e dini ju se pleqtë e plakat tona, nuset e fëmijët e foshnjat nuk vajtën në Serbi të luftonin. Ne mendonim se tregtarët e shpirtrave të vdekur të Gogolit sishin veçse personazhe të imagjinatës së shkrimtarit. Po ja ku na u shfaqën Çiçikovët serbë në shekullin XXI, z. Hahn.

Duke qenë me vokacion shkrimtari sgjej ngushëllim tjetër, Komisionari Hahn, veçse ta shkruaj Baladën për ESHTRAT dhe Satirën për TAKSËN. 

E dini se në fjalorin mortor ka një nocion: KENOTAFE. Ky kuptohet edhe në gjuhën tuaj, edhe në të gjitha gjuhët e Evropës. Janë varret boshe, z. Hahn, janë edhe mbi 1 600 kenotafe të hapura.

Nejse. Duke e ditur që nuk më lexohet as kjo letër, nuk po lodhem ta përkthej në asnjë gjuhë. 

Le të jetë gjëma ime. Kaq.

Prishtinë, 3. 12. 2018

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një autobus është përfshirë nga zjarri në Gjermani. Në mesin…