LËVIZJA-KOSOVA-SHQIPËRIA!

04 janar 2019 | 16:58

Bedri Islami

Disa vite para se të fillonte lufta e vërtetë në Kosovë, ndërkohë kishin filluar aksionet e para të organizuara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila ishte formësuar mbi bazën e një Vendimi historik të Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe nga njerëzit më të denjë të saj, në gazetën “Zëri i Kosovës” , në dy numra rradhasi, kam publikuar shkrimin tim , “Çfarë është në të vërtetë Lëvizja Popullore e Kosovës”, duke menduar se kjo e vërtetë, edhe në këtë formë, duhej bërë e njohur.

Kanë shkuar vite dhe tashmë idetë themeltare të Lëvizjes, në kohë të caktuar, ose janë bërë realitet ,ose po shkohet drejt qëllimit final. Nuk është e thënë se një organizatë politike, një strukturë e saj, njerëzit që e kanë përbërë atë, do i çojnë ata vetë deri në fund të gjithë synimet e brezave. Nuk është gjithnjë e mundur kjo.

Edhe vetë Lëvizja nuk ishte krijuar në një hapësirë boshe. Nuk ka qenë ajo e para dhe e vetmja organizatë thellësisht kombëtare dhe e përkushtuar ndaj popullit të saj.

Para saj ka pasur edhe organizata të tjera atdhetare, që kanë sakrifikuar e kanë bërë të mundur që flaka e dashurisë për kombin të mos humbasë.

Ka pasur edhe përsonalitete të fuqishme para Lëvizjes që kanë qenë shembulltyra e Njeriut Ideal, luftëtarë të paepur dhe Lëvizja është nisur nga këto premisa kur ka ndërtuar programin e saj politik, ushtarak e kombëtar.

Lëvizja kishte fatin e madh të merrte prej tyre ajkën më të mirë të ideve dhe të qendresës.

Kishte fatin që, në kohën e drejtimit prej saj të luftës, Kosova të jetë e lirë dhe të hidhen hapat e bashkimit të kombit, proçes që nuk bëhet përmes luftës, por përmes mendjes dhe njerëzve idealistë, të cilët, ndoshta, edhe sot, nuk janë në atë denjësi që kërkojmë, por, nesër mund të qeverisin, mund të kenë drejtues më të aftë, më pragmatikë se sa drejtuesit që kishte Lëvizja.

Kjo, nëse ndodh, duhet të na gëzojë, e nëse ndodh shpejt, duhet të na bëjë të lumtur.

Nisur nga disa debate të herëpasherëshme, që lindin bulojnë, shuhen, përsëri lindin, bulojnë e vazhdojnë, ndaj Lëvizjes dhe për Lëvizjen po krijohen ide të prapshta, sikur në rradhët e saj ka pasur vetëm punë jo të mira, vetëm hile e dredhi.

Njerëz që kurrë nuk kanë qenë pjesë e saj, përkundrazi, në të shumtën kanë qenë argatë të shërbimeve serbe, qoftë të organizuar, qoftë si ide, duke u nisur nga debatet e sinqerta që dëshirojnë disa nga veprimtarët e Lëvizjes të sqarojnë probleme e ndërthurje të ndryshme, tani po kërkojnë të baltosin një strukturë politike, ushtarake e kombëtare, pa të cilën, duhet thënë hapur e fort, historia e Kosovës do të kishte qenë ndryshe dhe bashkë me të edhe historia e kombit.

E kam thënë, e them dhe do ta përsëris deri në minutën e fundit të jetës sime se, e kam pasur për nder që kam qenë pjesë e Lëvizjes dhe që, sëbashku me shokët, kemi bërë atë që kemi menduar se është më e mira për Kosovën dhe kombin.

Për një tufë udbashësh, në mendime, shkrime e ide, të mirë dhe të denjë për Kosovën kanë qenë vetëm anëtarët e Lëvizjes që janë vrarë në luftë, ndërsa vetë Lëvizja paska qenë e majtë, paska qenë enveriste, paska qenë skematike, paska qenë e shitur tek dreqi e i biri.

Janë po ata që , kur i dënonin djemtë e vajzat e Lëvizjes me shumë vite burgim, i quanin irredentistë, i quanin nacionalistë, i quanin se po prishin bashkim – vllaznimin, i quanin se donin bashkimin kombëtar. Dhe i dënonin ashpër.

Unë e pranoj se Lëvizja ka qenë strukturë e fuqishme thellësisht nacionaliste, se ajo ka pasur ide irredentiste, se ka qenë për bashkimin kombëtar dhe kundër shtetit serb. Nacionalizmi i bën nder një kombi të vogël, dhe sidomos një kombi që ka gjysmën e tij nën pushtim!

Në 18 vite organizim i struktuar politik i Lëvizjes dhe pararendësve të saj, antarët e kësaj organizate, sëbashku, kanë bërë mbi 4.200 vite burgim. E theksoj, mbi 4.200 vite burgim. Në të njëjtën kohë kur sulmesit e sotëm bënin pushime në plazhe, qanin se po prishet shteti titist.

Të gjithë, ose më saktë, thuajse të gjithë, herojtë e Kosovës në tri dekadat e fundit, kanë qenë antarë ose drejtues të Lëvizjes!

Para monumenteve të tyre përulet kombi i tërë.

Titistët e djeshëm dhe të sotëm, kur bie fjala për to thonë tinzisht se ata nuk e dhanë jetën për Lëvizjen. E vërtetë, por ishin pjesë e Lëvizjes, që nga Jusufi, Kadriu, Bardhoshi..e deri tek mitet kombëtare Ademi e Fehmi Lladrovci. Lavdinë e tyre e kërkon gjithkush,strukturën ku bënin pjesë bëjnë sikur e harrojnë.

Edhe nëse e harrojnë të tjerët, vetë ne, antarët e saj, nuk duhet të harrojmë vlerat dhe përparsitë e saj.

LËVIZJA NXORRI NGA PËRVOJA E FISME E POPULLIT TË KOSOVËS ATË FIGURË TË GJALLË DHE VETJAKE QË ËSHTË NJËRA NGA TË PAKTAT GJËRA TË MËDHA TË VLERAVE KOMBËTARE: SHEMBULLTYRËN E NJERIUT QË GUXOI TË LUFTOJË KUR GJITHÇKA DUKEJ E FRIKSHME RRETH SAJ:

Shpesh herë mendoj me vete: e fituam luftën dhe përsëri ka ende njerëz që sulmojnë nëj strukturë që e bëri të mundur këtë. Po sikur, edhe mund të ndodhte, të ishte humbur kjo luftë: Çfarë do të ishte bërë kundër Lëvizjes dhe njerëzve të saj: Nuk guxoj as ta mendoj!!!!

Është e vërtetë se lufta nuk mund të fitohej pa ndërhyrjen e forcave të bashkuara ushtarake të NATO-s, por pjesë të Drejtorisë Politike të UÇK-së dhe të Kryesisë së Lëvizjes kishin lidhje me këto struktura.

Nëse nuk do të kishte UÇK , të jetë githkush i bindur,nuk do të kishte ndërhyrje të NATO-s. Kosovba aty ishte, Serbia e kishte pushtuar, dhuna po rritej, por veç deklarata politike dhe misioneve pa frut, asgjë nuk lëvizi nga bota.

UÇK-ja lëvizi botën.

Nëse nuk do të kishte LPK nuk do të kishte Ushtri Çlirimtare të Kosovës.

Lëvizja ishte bari i gjelbër i Kosovës, që edhe kur u pre,edhe kur u dogj, lindi më gjallërisht se kurrë.

Të tjerat janë ciflat që mbesin pas në çdo luftë.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Partizanit të Tiranës ka njoftuar se ka arritur…