Lewandowski flet hapur për pensionimin: Nuk kam frikë nga fundi
Robert Lewandowski vazhdon të lidhet me një largim të mundshëm nga Barcelona, tani që ka hyrë në gjashtë muajt e fundit të kontratës së tij. Katalanasit janë të gatshëm të ndahen nga 37-vjeçari, i cili ka qenë një shërbëtor i jashtëzakonshëm për klubin që nga ardhja e tij nga Bayern Munich në verën e vitit 2022.
Lewandowski, i cili ka shënuar gol në fitoren e fundjavës së Barcelonës ndaj Espanyolit, vështirë se do të marrë një kontratë të re, çka do të thotë se do të kërkojë një klub të ri. Një tjetër opsion është pensionimi dhe, siç ka treguar ai në podcastin “High Performance (përmes MD)”, ka nisur të përgatitet për jetën pas futbollit.
“Nuk kam frikë ta përfundoj karrierën, sepse kam filluar të përgatitem për të, të përgatis gjëra që mund t’i bëj pas futbollit. E di që futbolli është një pjesë shumë e rëndësishme e jetës sime, por futbolli nuk është e gjithë jeta ime, sidomos tani. Kur isha i ri nuk mendoja për këtë, sepse në kokë kisha vetëm futboll, futboll dhe futboll. Por tani e di se jam shumë pranë përfundimit të karrierës. Nuk e di (sa vite kanë mbetur): një, dy, tre, ndoshta katër, nuk e di, por nuk kam presion. Nëse një ditë e dëgjoj trupin tim dhe ndiej se diçka ka ndryshuar, atëherë do të jem gati ta përfundoj rrugëtimin tim”, ka thënë ai.
Lewandowski ka folur gjithashtu për ardhjen e tij te Barcelona në vitin 2022, ku iu kërkua të luante rolin e mentorit për lojtarët e rinj të klubit.
“Te Bayern mentaliteti ishte ndryshe, sepse kishim lojtarë më me përvojë dhe më të fortë. Kur u bashkova me Barcelonën, pashë shumë lojtarë të rinj që kishin nevojë të ishin më kërkues ndaj vetes. Klubi më tha se u duhej dikush si unë, që t’u mësonte se të jesh në majë nuk është vetëm për një, dy apo tre javë, por se edhe ajo që bën jashtë fushës është shumë e rëndësishme. Ajo që bën në palestër, sa e rëndësishme është të punosh fort çdo ditë. Por më pas, kur i njoha njerëzit dhe u tregova se kultura është ndryshe nga ajo në Gjermani, fillova të mësoj edhe unë prej tyre. Empatia, gjithçka që e rrethon futbollin. Dhe kjo më ndihmoi shumë edhe mua”, ka thënë Lewandowski.



