Lexuesi në tekst
DAVID LODGE
Zonjë, si mund të ishit kaq e pavëmendshme gjatë leximit të kapitullit të fundit? Aty të thashë, Se nëna ime nuk ishte papiste. – Papiste! S’më thatë një gjë të tillë, zotëri. Zonjë, ju lutem më lejoni ta përsëris nga e para, unë ju tregova qartë, të paktën siç mund ta thonë fjalët, me kuptim të plotë, një gjë të tillë. – Atëherë, zotëri, duhet të më ketë ikur ndonjë faqe. – Jo, zonjë, – nuk ju ka ikur asnjë fjalë. – Atëherë më ka zënë gjumi, zotëri. – Zonjë, krenaria ime nuk ua lejon këtë ngushëllim. – Deklaroj, pra, se s’di asgjë për këtë çështje. – Ky është faji që ua ngarkoj zonjë; dhe si ndëshkim, insistoj që menjëherë të ktheheni prapa, domethënë, sapo të arrini në shenjën pasuese të pikësimit, ta lexoni përsëri gjithë kapitullin.
Këtë ndëshkim ia ngarkova zonjës, jo për shkak të pakujdesisë apo poshtërsisë, por për shkak të motiveve më të mira; andaj nuk do t’i kërkoj falje kur të kthehet:
– “Kjo, për të qortuar shijen e mbrapshtë që ka depërtuar te mijëra të tjerë, jo vetëm tek ajo – për leximet e cekëta, që më shumë bëhen në kërkim të aventurave, sesa të erudicionit dhe njohurive të thella, që në një libër të këtij lloji, po të lexohej siç duhet, sigurisht do t’u përcilleshin.
LAURENCE STERNE
Jeta dhe opinionet e Tristram Shandy’t, xhentëlmen (1759-67)
ÇDO ROMAN duhet të ketë një narrator, sado jopersonal të jetë, por jo domosdoshmërisht narrater. Narrateri është secili evokim ose surrogati lexuesit të romanit brenda tekstit. Kjo është po aq e thjeshtë sa thirrja e njohur e romancierëve viktorianë, “I dashur lexues”, ose po aq e elaboruar sa struktura e “Zonjës Bathurst” të Kipling-ut, e shqyrtuar më herët (Kapitulli 7), ku narratori “unë” është gjithashtu narrater i storjes së rrëfyer nga tre personazhe të tjerë të cilët vazhdimisht shkëmbejnë dy rolet. Italo Calvino veprën Nëse një natë dimri një udhëtar, e fillon duke e ndërsyer lexuesin të hyjë në një disponim receptiv: “Relaksohuni. Përqendrohuni. Largoni çdo mendim tjetër. Lëreni botën përreth të venitet. Më së miri mbylleni derën; TV-ja të rrijë gjithmonë e ndezur në dhomën tjetër.” Sado i konstituuar të jetë narrateri, ai gjithmonë është mjet retorik, është mënyrë që kontrollon dhe ndërlikon reagimet e lexuesit të vërtetë që gjendet jashtë tekstit.
Laurence Sterne-i, duke rrëfyer nën maskimin e lehtë të Tristram Shandy-it, luan të gjitha llojet e lojërave me relacionin narrator-narrater. Më saktë, sikur një komedian amfiteatri që monton ndonjë ndihmës në audiencë, ndërhyrjet e të cilit i përfshin në akt; Sterne-i nganjëherë e personifikon lexuesin si një Zonjë ose Zotëri, e merr në pyetje, e ngacmon, e kritikon dhe e lajkaton, për të argëtuar dhe mësuar ne të tjerëve.
Tristram Shandy është roman idiosinkretik, ku narratori me të njëjtin emër merr përsipër të rrëfejëjetën e tij që nga momenti i ngjizjes deri në moshën madhore, por kurrë nuk e kalon vitin e pestë, sepse përpjekja të përshkruajë dhe shpjegojë çdo incident me besnikëri dhe hollësi, e fut në digresione të pafundme. Gjithçka lidhet me gjëra të tjera që kanë ndodhur para ose pas, ose në një vend tjetër. Guximshëm, por pa shpresë, Tristram-i përpiqet ta ruajë rendin kronologjik. Në kapitullin XIX, akoma i zhytur dëshpërimisht në historinë e para lindjes, ai aludon për fatin ironik të babait të tij, i cili mbi gjithçka tjerët urrente emrin “Tristram”, por jetoi aq sa ta shohë djalin e pagëzuar rastësisht dhe deklaron: “nëse s’qe e domosdoshme të lindesha para se të pagëzohesha, në këtë çast do t’ia shpjegoja lexuesit.”
Kjo fjali (e shkruar pas fragmentit që kam nxjerrë) do t’i jepte indikacione Zonjës lexuese për bindjen fetarë të nënës së tij, sepse “Zonjë, sikur nëna të ishte papiste, s’do të rridhte kjo pasojë”. Sipas një dokumenti që Tristrami e riboton në tekst (në frëngjishten origjinale) arsyeja është se disa teologë të ditur të Sorbonës, së fundi, kishin miratuar idenë e pagëzimit të foshnjave me kusht, in utero, që rrezikoheshin nga lindjet e vështira. Pagëzimi bëhej me anë të “nxjerrjes së një sasie të vogël lëngu”. Prandaj, në vendet katolike romake, mund të pagëzoheshe para lindjes.
Ngacmimi i katolikëve romakë (ai vetë qe famullitar anglikan) dhe përhumbja në humorin ngucakeq për pjesët intime, janë tipare të shkrimeve të Sternit që nganjëherë përdoren kundër tij. Por, vetëm një lexues indiferent nuk pushtohet nga zgjuarsia dhe eleganca e bisedës me “Zonjën” (gjallëria e së cilës forcohet nga pikësimi i lirë dhe idiosinkratik i Stern-it) dhe veçimi i “lexuesit”. Sepse funksioni i vërtetë i këtij digresioni është të definojë dhe mbrojë artin e tij. Zonjës i kërkohet të rilexojë kapitullin e mëparshëm, “për të qortuar shijen e mbrapshtë… për leximet e cekëta, që më shumë bëhen në kërkim të aventurave, sesa të erudicionit dhe njohurive të thella, që në një libër të këtij lloji, po të lexohej siç duhet, sigurisht do t’u përcilleshin…”
Nuk është për t’u habitur që Tristram Shandy qe vepër e preferuar e romancierëve eksperimentalë dhe teoricienëve të romanit të këtij shekulli. Siç e theksova në pjesën e mëhershme, romancierët modernë dhe postmodernë, gjithashtu, janë përpjekur që lexuesit t’i mbajnë larg kënaqësisë së thjeshtë të storjes duke e ndërprerë dhe rirenditur zinxhirin e temporalitetit dhe shkakësisë, kutradicionalisht vareshin. Stern-i anticipoi që Joyce-i dhe Virginia Woolf-i të mundësojë që trillet e mendjes njerëzore të përcaktojnë formën dhe drejtimin e rrëfimit. “Formë hapësinore” – njëra nga sloganet e poetikës moderne, do të thotë, t’i jepet veprës unitet letrar me anë të modelit të motiveve të ndërlidhura, që perceptohen vetëm duke e “lexuar tekstin përsëri” (d.m.th., duke e rilexuar) ashtu siç rekomandohet nga Tristrami.
Dialogu me lexuesit e tij e hap natyrën temporale të përvojës së leximit në mënyrë akoma më radikale. Romani përfytyrohet si një dhomë ku ne, si lexues, jemi të mbyllur me narratorin. Për shembull, përpara se t’i tregojë detajet intime të ngjizjes, ai deklaron se këtë “e shkroi vetëm për kureshtarët dhe kërkuesit” dhe lexuesve që nuk janë të interesuar për përshkrime të tilla u bën thirrje ta kapërcejnë. Ai thotë:
“________ ________ Mbylle derën ________ ________”
me besimin tinëzar se do të zgjedhim të qëndrojmë brenda me të.
Në fragmentin e cituar, një nga të shumtë, Zonjës i kërkohet të rilexojë kapitullin e mëparshëm “sapo të arrini në shenjën pasuese të pikësimit” (një kujtesë e përpiktë dhe karakteristike e natyrës së procesit të leximit). Ne që, si të thuash, qëndrojmë me autorin, na bën të ndihemi të privilegjuar nga vetëbesimi i tij dhe në heshtje të distancohemi nga lexuesi mos-perceptues dhe nga “shija e mbrapshtë që ka depërtuar te mijëra të tjerë, jo vetëm tek ajo”, e leximit të romanit vetëm për shkak të storjes. Në këtë pikë, duke qenë të painformuar, siç është ajo lidhur me referencën ndaj katolicizmit romak, nuk mund t’i rezistojmë justifikimit autorial mbi metodën.
Përktheu nga anglishtja: Meliza Krasniqi.
Marrë nga numri 24 i revistës “Akademia”.
© “Armagedoni”



