Libër “homazh” për viktimat e dhunës, për gratë e vrara

05 mars 20:54

Kaltrina Pacolli

 Këtë fjalë, për këtë poemë timen, e cila mori dheun dhe qiellin muaj më parë, u dashtë ta shkruaj për t’ua bërë me dije atyre që mund të më pyesin sot, nesër, pasnesër, kurdoherë, se pse nuk e shkrova dhe nuk e botova në standardin e shqipes, por kështu me gabime drejtshkrimore. Pa dyshim se bëra një sprovë të shkrimit, për të njëjtën poemë, edhe në standardin e shqipes. Por, t’ju them të drejtën, ai variant s’e kishte fuqinë që e ka sot ky. Po ta shkruaja dhe ta botoja në standard, nuk do ta kishte bërë gjithë jehonën që tashmë ka bërë dhe që do ta bëjë edhe më tutje, edhe pse nuk dëshiroj të jetojë gjatë tema e kësaj poeme dhe gjuha e saj. Prandaj, në fund vendosa ta shkruaj dhe ta botoj duke lënë mënjanë rregullat e ’72-shit të gjuhës shqipe e duke marrë parasysh klithjet dhe gjuhën e vajzave dhe të grave shqiptare, të cilat, për shkak të maltretimeve, të dhunës fizike dhe psikike, janë bërë kufoma të djemve dhe të burrave edhe në ditë të veçanta të tyre. Ndonjëherë ndonjërës edhe dita e festës i është kthyer në ditë morti: ditëlindja i është bërë ditë vdekje!

Nuk do të doja që asnjëra vajzë, grua, nënë, asnjë njeri ta gjente vetveten, as dikush tjetër, një shoqe, një nënë a një grua të dikujt brenda kësaj poeme dhe rreshtave të saj. Nuk do t’i dëshiroja ato, por do të doja që ky libër të ishte kudo: në automjete urbane dhe rurale, në banesa dhe në shtëpi të çdo shqiptari, në çdo lokal dhe në çdo bibliotekë. Kudo ku ulet një burrë dhe kudo ku ulen një vajzë dhe një grua përkrah ose përballë një djali dhe një burri.

E kam thënë dhe më parë, u detyrova ta shkruaj të njëjtën poemë pasi dëgjova rrëfime të ndryshme për jetën nga vajza dhe gra të keqtrajtuara nga burrat e tyre. Pasi pashë, dëgjova dhe shikova, në media dhe në libra, vuajtje të përjetimeve të tyre të vështira dhe të pazakonta. Të rënda saqë të rrëqethin mishin dhe ta trazojnë mendjen dhe zemrën. U detyrova ta shkruaj sepse nuk mund ta mbaja përbrenda vetes tmerrin që kisha dëgjuar nga rrëfimet për përjetimet e tyre. Së këndejmi, u detyrova ta shkruaj sepse konsideroj se ua kisha për borxh ta bëja. Dhe ja që e bëra, iu bashkëngjita zërit dhe protestës edhe të atyre që sot hanë dhé, edhe të atyre që sot heshtin kur duhet të flasin.

Le të bëhet dhe të mbetet ky libër i shkurtër, homazh për viktimat e dhunës, për qindra dhe mijëra vajza dhe gra!

Le të bëhet dhe të mbetet ky libër i shkurtër, brejtje ndërgjegjeje për të gjithë ata djem dhe burra që ngrehin dorë mbi vajzat, të dashurat dhe mbi gratë e tyre!

Le të bëhet dhe të mbetet ky libër i shkurtër, tekst përkujtimi për gratë e vrara nga burrat!

Lavdi jetës së tyre!

 

(Parathënia e librit “Unë, kufoma e ardhshme”, botoi “Armagedoni”, Prishtinë, 2021 )

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Klinika Infektive dhe ajo e Pulmologjisë në Prishtinë janë të…