Libër me interes gjuhësor dhe letrar
(Sadik Bicaj, “Vështrime gjuhësore dhe letrare”, Klubi Letrar “Podguri”, 2019)
Shkruan: Maxhun Osmanaj
Sadik Bicaj, gjuhëtar, poet, publicist, gazetar dhe pedagog shumëvjeçar: lexuesve arriti t’u ofrojë një libër me interes për gjuhësinë dhe letërsinë shqipe për fëmijë. Autori tashmë ka një përvojë botimi qoftë të librave gjuhësorë, qoftë publicistikë, andaj në mënyrë kronologjike në kapitullin e parë “Vështrime gjuhësore” trajton prejardhjen, formimin, drejtshkrimin, gjuhën standarde, problemet drejtshkrimore në media të shkruara dhe të folura, gabime drejtshkrimore të nxënësve në dy shkollat më të mëdha të Komunës së Istogut si dhe disa gabime të hetuara në gramatikat e klasave VI, VII, VIII dhe IX të autorit prof. dr. Bahri Beci. Ndërsa redaktori gjuhësor i këtij libri, mr. Skënder R. Hoxha, thekson: “Këto tema hedhin dritë në shumë çështje fonetike, morfologjike dhe sintaksore, ku autori zë ngoje përdorimin e trajtave dialektore, përdorimin e zanores ë, shenjat e pikësimit, ndarjen (gabimisht) të fjalëve në rrokje në fund të rreshtit, etj. (f. 196).
Në kapitullin tjetër “Vështrime letrare” jep disa vlerësime me interes për disa vepra letrare për fëmijë. Bicaj është ithtar dhe dashamirës i përdorimit të drejtë të gjuhës shqipe kudo: si në shkollë, shoqëri, media dhe në të folurit e përditshëm. Pra, përdorimin e fjalëve shqipe në vend të atyre serbokroate, turke apo çfarëdo gjuhe tjetër qoftë. Marrja me aspekte gjuhësore dhe puna si pedagog mësimdhënës i gjuhës shqipe për një kohë të gjatë, ia ka mundësuar një njohje më të thellë të këtyre problemeve gjuhësore që i hasim sot kudo. Ndërsa recensenti i librit në fjalë, dr. sci. Valdet Hysenaj, thekson: “Në këtë dritë autori kap edhe kriteret ekstralinguistike si: shtrirja gjeografike e popujve dhe gjuhëve, shkollat gjuhësore të kohës, themelvënësit e hulumtimeve gjuhësore: Eqrem Çabej, Shaban Demiraj, Idriz Ajeti, Rexhep Ismaili, Xhevat Lloshi, Isa Bajçinca, Shefkije Islamaj, Qemal Murati, Ragip Mulaku, Hysen Matoshi etj” (f. 198). Në kapitullin “Vështrime letrare”, Bicaj trajton në aspektin vlerësues disa libra të rëndësishëm për fëmijë që shënojnë prurje të reja nga pionierët e kësaj letërsie dhe pa këto vepra dhe autorë, letërsia shqipe për fëmijë do të ishte tepër e varfër në aspektin cilësor, tematik dhe stilistik. Kështu autori ndalet te tema “Figura e Skënderbeut në disa vepra të letërsisë shqipe”, ku me një vështrim të shkurtër panoramik zë ngoje veprat “Historia e Skënderbeut” e Marin Barletit, “Skënderbeu i pafanë” i Jeronim de Radës, “Istoria e Skënderbeut” e Naim Frashërit, “Historia e Skënderbeut” e Fan Nolit, “Kështjella” e Ismail Kadaret, “Skënderbeu” i Sabri Godosë, “Trimi i mirë me shokë shumë” i Sulejman Pitarkës, “Legjenda dhe rrëfime për Skënderbeun” i Naum Priftit. Bicaj vazhdon me poezinë e Migjenit, ku bën një analizë të thuktë të “Vargjeve të lira”, poezi dhe prozë. Autori me referenca të shumta plotëson mendimin e pasur kritik për veprën e poetit letrar për romanin “Droja” të njërit prej autorëve më emblematik të letërsisë shqipe për fëmijë, Rifat Kukaj. “Droja” është kryevepra letrare e Rifat Kukaj si dhe një ndër romanet më të mira në letërsinë shqiptare për fëmijë në përgjithësi” (f. 125). Autori ndalet te pionieri i letërsisë shqipe për fëmijë, Rexhep Hoxha, përkatësisht te romani “Verorja”, ku me një vlerësim kritik dallon veçantitë, ndërtimin, stilin figurativ, personazhet dhe fabulën e këtij libri, kryevepër të autorit Hoxha dhe mbarë letërsisë shqipe për fëmijë. Ai merr në trajtim edhe romanin “Shpella e piratëve” të autorit të mirënjohur Petro Marko. Autori nuk harron as studiuesin e mirënjohur, dr. Xhevat Syla, duke dhënë një vlerësim mjaft të pjekur për librin “Kush e shkruan poezinë (vlerësime për letërsinë për fëmijë)”.
Në fund autori trajton edhe disa poetë të letërsisë së sotme për fëmijë dhe të rritur. Në një kumtesë të “Flakës së janarit”, mbajtur në Pejë, Bicaj thekson disa veçori të atdhetarit dhe shkrimtarit Jusuf Gërvalla, ku mes të tjerash thekson: “Gërvalla në poezinë e tij shpreh fuqishëm dashurinë, dhimbjen dhe mallin për vendlindjen, shtëpinë dhe nënën, ndërsa edhe vetmia është e pranishme në disa poezi të tij” (f. 171).
Ndërsa recensenti tjetër i librit, Maxhun Osmanaj, ndër të tjera, për vlerën e këtij libri thekson: “Një veçori e trajtimit të romanëve në fjalë është ngase ai përzgjedh këto kryevepra të letërsisë shqipe për fëmijë dhe ndalet në një analizë të hollësishme dhe analitike, çka është një lehtësi për lexuesin” (f. 2001). Autori ka plotësuar librin me referenca të gjuhëtarëve, shkrimtarëve dhe kritikëve, pra ka vjelë material të mjaftueshëm për një libër me interes për nxënës, të fillores, gjimnazit dhe studentëve.
Ky libër do t’i shërbejë çdo mësimdhënësi për ta pasur si pronë të pasur intelektuale në bibliotekat e veta. Bicaj në librin “Vështrime gjuhësore dhe letrare” dëshmon se është fanatik, kërkues i problemeve gjuhësore dhe krijues i zellshëm letrar. Autorit i dëshirojmë shëndet dhe suksese të reja në krijimtari gjuhësore dhe letrare.