
Liberalizimi i tregut të energjisë, KEDS-i fillon zbatimin e vendimit të ZRRE-së për bizneset
Sipas Nenit 39 të Ligjit për Energjinë Elektrike (Nr. 05/L-085) dhe Rregullës për Furnizuesin e Mundësisë së Fundit (FMF), shërbimi i FMF-së është i kufizuar në një periudhë maksimale prej 60 ditësh.
Pas përfundimit të kësaj periudhe, në mungesë të një kontrate të rregullt furnizimi, dhe në përputhje me Nenin 8 të Rregullës për Ndërrimin e Furnizuesit, vazhdimi i furnizimit me energji elektrike nuk lejohet ligjërisht, dhe për të ruajtur integritetin e sistemit energjetik, është e nevojshme të bëhet shkyçja.
Bazuar në këto obligime ligjore të përmendura më lart, KEDS nesër, më 31.07.2025, është i obliguar të shkyçë nga rrjeti të gjithë konsumatorët që aktualisht nuk kanë një marrëveshje të rregullt furnizimi me një Furnizues Aktiv.
KEDS-i rikujton se ky proces është pjesë e reformave për liberalizimin e tregut të energjisë dhe është i përcaktuar nga autoriteti rregullator. Ne inkurajojmë bizneset që ende nuk kanë ndërmarrë këtë hap të kontaktojnë sa më parë furnizuesit e licencuar nga ZRRE për të përmbushur obligimet e tyre.
KEDS, si Operator i Sistemit të Shpërndarjes nuk ka ndonjë kompetencë furnizuese, por ka vetëm rolin e shpërndarjes së energjisë elektrike dhe si kompani e rregulluar është e obliguar ti zbatojë të gjitha vendimet e ZRRE-së.