Librat e autores Mihane Hoxha nuk kanë nevojë të sqarohen, ato kanë nevojë të ndjehen
Dafina Jegeni-Krasniqi
Të nderuar të pranishëm, të dashur miq të librit,
Sot kemi kënaqësinë të mbajmë në duar dy libra që nuk janë thjesht vepra të shkruara, por janë frymë, janë kujtim, janë shpirt i hedhur në letër. Dy libra të lindur nga dora dhe zemra e autores Mihane Hoxha, e cila sot na e ka dhënë privilegjin të prekim një pjesë të botës së saj të brendshme.
Unë kam nderin të flas si redaktore e këtyre veprave, që për mua nuk kanë qenë vetëm tekst për t’u rishikuar, por udhëtime për t’u jetuar. Me Mihanen nuk punon thjesht mbi fjalën; punon mbi emocionin, mbi kujtesën, mbi zemrën e hapur. Ajo është një autore që të detyron të ndalesh, të reflektosh, të dëgjosh – sepse çdo fjali mban peshën e së vërtetës dhe butësinë e një shpirti që di të rrëfejë.
Në “Rrënjët e pashkëputura”, Mihanja na fut me delikatesë në një rrëfim të çmuar familjar. Ajo e ndjek zërin e babait të saj me një përkushtim të butë e të thellë, duke e kthyer atë zë në një murmurimë që mbetet gjatë në zemër. Në çdo faqe ndjehet dashuria e saj për kujtimet, për familjen, për rrënjët që e mbajnë njeriun të qëndrueshëm përballë kohës. Ky libër nuk është vetëm një histori , është një amanet emocional, një falënderim i heshtur dhe i pastër për të kaluarën që na ndërton.
Ndërsa “Eva tokësorja” na çon në një udhëtim krejt tjetër, një udhëtim brenda njeriut, brenda gruas, brenda pyetjeve që shpesh i mbajmë të fshehura. Aty Mihanja ngrihet si një zë i butë, por i fuqishëm, që të shoqëron me kujdes përmes ndjenjave, humbjeve, shpresave e rimëkëmbjes. Gjatë redaktimit të kësaj vepre, vërtetoj edhe njëherë që Hana nuk është thjesht një poete, ajo është një rrëfyese që zbulon gruan e vërtetë , me të gjitha dimensionet e saj: të brishtë, të fuqishme, të lënduar, dhe të pandalshme. Ajo ngre pyetje që shqetësojnë dhe nxisin reflektim.
Nuk dua t’ju marr shumë kohë, sepse këto dy libra flasin vetë. Ato nuk kanë nevojë të sqarohen; kanë nevojë të ndjehen.
Hana, të falënderoj nga zemra për këtë dhuratë të dyfishtë – për kurajën tënde, për sinqeritetin tënd dhe për botën që ke zgjedhur ta ndash me ne. Ti ke sjellë dritë, kujtim, reflektim dhe bukuri—jo vetëm në faqe, por në mënyrën se si e sheh dhe e ndjen jetën. Je një zë i veçantë në letërsinë tonë, një zë që meriton të dëgjohet dhe të nderohet.
Ju faleminderit të gjithëve që jeni këtu për të nderuar autoren, librat dhe emocionin që ata mbartin në çdo faqe.
*Fjalë rasti në promovimin e librave “Rrënjët e pashkëputura” dhe “Eva tokësorja” të autores Mihane Hoxha



