Liderët e UÇK-së alarmuan institucionet se po rrezikohet mbrojtja e tyre

07 shkurt 2024 | 12:15

Gregory Kehoe dhe ekipi i tij nga kompania “Greenberg Legal Associates” para disa ditësh kanë kërkuar të tërhiqen nga mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi në rastin e tij në Gjykatën Speciale. Kjo kërkesë ka ndodhur për shkak të moskryerjes së obligimeve financiare.

Në fund të muajit janar të këtij viti, vëllai i ish-presidentit Hashim Thaçi, Idrizi, ka sqaruar se kontrata me kompaninë ligjore “Greenberg Legal Associates” nuk është vazhduar në vitin 2024 për shkak të vështirësive financiare për mbulimin e kostos së të gjithë avokatëve të angazhuar si pjesë e mbrojtjes së Thaçit.

Pas këtij zhvillimi ka reaguar Ministria e Drejtësisë (MD), e cila është përgjegjëse për kompensimin e ekipeve mbrojtëse në rastin e liderëve të UÇK-së dhe të tjerëve.

“Në përputhje me Udhëzimin Administrativ numër 08/2022 për mbrojtjen juridike të personave të akuzuar potencialë për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, Ministria e Drejtësisë ka lidhur marrëveshje për përfaqësim me avokatët përkatës të personave të akuzuar, në këtë rast, me mbrojtjen e z. Hashim Thaçi, për të cilin rast, raportohet tërheqja e mbrojtjes për shkak të mosrealizimit të pagesave. Në përputhje me udhëzimin dhe marrëveshjen e tillë (legjislacionin në fuqi), Ministria e Drejtësisë ka kryer të gjitha obligimet lidhur me pagesën apo kompensimin e mbrojtjes së z. Hashim Thaçi”, ka njoftuar MD-ja, duke shtuar se kjo ministri kryen pagesa vetëm me avokatët me të cilët ka marrëveshje, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Aktualisht, Ministria e Drejtësisë ka thënë se ka marrëveshje me avokatin e Hashim Thaçit, Luka Misetiq.

Mbrojtja e liderëve të UÇK-së kërkon ndryshimin e udhëzimit: Po rrezikohet mbrojtja

Duke iu referuar procesit gjyqësor në Gjykatën Speciale në Hagë dhe vështirësive për mbulimin e shpenzimeve për ekipet mbrojtëse, avokatët e katër liderëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në emër të katërshes çlirimtare i kanë bërë kërkesë Ministrisë së Drejtësisë që të ndryshohet dhe plotësohet Udhëzimi Administrativ nr. 08/2022, i cili parasheh tarifa të reja për avokatët dhe shpenzimet e tjera për mbrojtjen juridike të të akuzuarve në proceset gjyqësore pranë Gjykatës Speciale.

Kërkesa e liderëve të UÇK-së për ndryshimin dhe plotësimin e Udhëzimit Administrativ, të cilën e ka siguruar “Epoka e re”, ishte bërë më 24 prill të vitit 2023. Sipas kësaj kërkese, udhëzimi aktual administrativ është duke paraqitur vështirësi për mbrojtje adekuate sa iu përket të akuzuarve të cilët po mbahen në paraburgim nga Gjykata Speciale.

“Katër të akuzuarit shprehin shqetësimin e tyre se tavanet në tarifat e avokatëve dhe shpenzimet e tjera të prezantuara rishtazi në Udhëzimin Administrativ nr. 08/2022 nuk reflektojnë kostot aktuale që mbrojtja pëson në këto raste. Për rrjedhojë, mundësia që katër të akuzuarit të realizojnë një mbrojtje efikase dhe efektive është në rrezik. Me udhëzime bashkërisht nga katër të akuzuarit, po ju paraqesim një kërkesë për rritjen e tarifave të avokatëve dhe shpenzimet e tjera për kompensim për arsyet si në vijim. Që në fillim duam t’i shprehim shqetësimet tona sa i përket mënyrës dhe metodës së kalkulimit të shumave ligjore sipas Udhëzimit Administrativ nr. 08/2022. Ndonëse e respektojmë obligimin e organeve publike si Ministria e Drejtësisë për t’u kujdesur për fondet publike, theksojmë, gjithashtu, se ministria duhet të kujdeset për fondet publike në një mënyrë që nuk rrezikon mbrojtjen e katër të akuzuarve në proceset gjyqësore pranë Dhomave te Specializuara”, është thënë në kërkesën e katër liderëve të UÇK-së, e cila mban nënshkrimin e avokatëve të tyre.

Sipas kësaj kërkese, Udhëzimi Administrativ nuk pasqyron gjendjen faktike për mbrojtje efektive të liderëve të UÇK-së.

“Ne kemi vënë re se Udhëzimi Administrativ nr. 08/2022 paraqet një sërë anomalish në lidhje me tarifat për mbrojtjen juridike dhe shpenzimet e tjera të cilat jo vetëm se nuk pasqyrojnë kostot ekonomike për mbrojtjen e rasteve të madhësisë dhe rëndësisë së tillë por, mbi të gjitha, nuk përputhen me disa nga dispozitat e tjera të Udhëzimit Administrativ apo me praktikat e vendeve të tjera të rajonit. Për shembull, Udhëzimi Administrativ nr. 08/2022 prezanton një skemë të re kompensimi ku shuma përcaktohet nga një sërë faktorësh të listuar në aktin nënligjor. Së pari, shuma për kompensim varet nga faza e procedurave. Faktori vendimtar në përcaktimin e shumës për kompensim ndërlidhet me kompleksitetin e rastit, duke filluar me kompleksitet ‘të lehtë’ për ato të cilësuara si kompleksiteti 1, e deri tek ‘shumë e vështirë’ për rastet e kompleksitetit 4. Sipas Udhëzimit Administrativ nr. 08/2022, komisioni merr parasysh një sërë faktorësh kur përcakton kompleksitetin e një rasti, duke përshirë këtu por pa u limituar në pozitën e pretenduar e të akuzuarit në hierarkinë politike ose ushtarake; numrin dhe natyrën e akuzave në aktakuzë; numrin dhe llojin e dëshmitarëve dhe dokumenteve të çështjes; shtrirjen gjeografike të krimeve të pretenduara në aktakuzë; nëse çështja ngre aspekte të reja apo kompleksitetin e argumenteve ligjore dhe faktike të çështjes. Pra, sa më kompleks të jetë rasti, aq më shumë burime njerëzore dhe materiale nevojiten për të siguruar një mbrojtje adekuate dhe profesionale. Për sa më sipër, Udhëzimi Administrativ nr. 08/2022 parasheh se për një rast të kompleksitetit 4 (pra, rasti më i vështirë), ekipi mbrojtës i të akuzuarit duhet të ketë të paktën 12 anëtarë”, është thënë në këtë kërkesë.

Më tutje, në këtë kërkesë është përmendur rasti i ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili, sipas avokatëve, përmbush të gjitha kriteret për mbështetje institucionale.

Në këtë kërkesë janë bërë edhe disa krahasime me rastet e mëhershme që kanë ndodhur në Tribunalin e Hagës. Në krahasim me rastet e tjera është përmendur numri i dëshmitarëve të prokurorisë, i cili kalon mbi 300 dëshmitarë. “Siç jeni në dijeni, rasti Hashim Thaçi et al. ka hyrë tashmë në fazën e gjykimit. Është krejtësisht e qartë se rasti në fjalë përmbush të gjitha kriteret e listuara për ‘Kompleksitetin 4’ sipas Udhëzimit Administrativ nr. 08/2022. Në fakt, mjafton që ta shikoni numrin e dëshmitarëve që prokuroria synon të thërrasë për ta përcaktuar kompleksitetin dhe madhësinë e rastit. Aktualisht, lista e dëshmitarëve të prokurorisë përfshin 312 dëshmitarë, numër ky që ndjeshëm kalon numrin e dëshmitarëve që prokuroria kishte thirrur në raste të ngjashme pranë Tribunalit Ndërkombëtar Penal për Ish-Jugosllavinë (TNPJ). Për më tepër, aktakuza e ndryshuar shtrihet për një periudhë prej 1 viti e gjysmë dhe ngarkon të katër akuzuarit me shtatë vepra për krime kundër njerëzimit dhe katër vepra për krime lufte”, është thënë në kërkesën drejtuar Ministrisë së Drejtësisë.

Në këtë kërkesë është elaboruar edhe afati kohor kur ka ndodhur lufta në Kosovë dhe puna që është duke bërë mbrojtja e katër liderëve të UÇK-së.

“Për rrjedhojë, të katër ekipet tona të mbrojtjes duhet të angazhojnë orë të panumërta pune për t’i shqyrtuar materialet nga secili nga këto juridiksione, përfshirë këtu edhe shqyrtimin e dëshmive të dëshmitarëve dhe dokumenteve nga të gjitha këto procese. Kjo është një barrë shtesë mbi atë bazë – shqyrtimin e sasive të mëdha dëshmish të reja dhe dokumenteve të mbledhura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Pra, përgatitja e mbrojtjes juridike kërkon një dedikim të madh burimesh nga të katër ekipet e mbrojtjes, e gjitha kjo ndërkohë që gjykimi është në rrjedhë e sipër dhe mbrojtja është duke marrë në pyetje dëshmitarë në seancë gjatë gjithë ditës. Sipas Udhëzimit Administrativ nr. 08/2022, forma e kompensimit të tarifave të avokatëve përcaktohet ‘në bazë të praktikave të vendeve të shteteve nga vijnë avokatët dhe tarifave të përcaktuara sipas Udhëzimit Administrativ të Dhomave të Specializuara. Vlen të theksohet se shumica e avokatëve të angazhuar në ekipet mbrojtëse të katër të akuzuarve vijnë nga juridiksione ku tarifat për orë janë ndjeshëm më të larta se tarifat e paraqitura në tabelën e Shtojcës 1 të Udhëzimit Administrativ nr. 08/2022. Pra, përkundër asaj se çfarë thuhet në Udhëzimin Administrativ nr. 08/2022 si më sipër, tarifa për orë e propozuar nuk përputhet me ‘praktikat e vendeve të shteteve nga vijnë avokatët’. Për më tepër, praktika e vendeve të rajonit për raste të ngjashme gjithashtu dallon ndjeshëm me tarifat e ofruara në Udhëzimin Administrativ nr. 08/2022”, është thënë në kërkesë, duke përmendur rastin e Kroacisë.

“Kroacia ka paguar mbi 28 milionë euro nga buxheti i saj publik për t’i mbuluar shpenzimet për mbrojtjen juridike në një nga këto raste. Megjithatë, rasti në fjalë përfshinte tre të akuzuar nga katër që janë këtu, dhe prokuroria atje kishte thirrur vetëm 81 dëshmitarë, apo një e katërta e dëshmitarëve në rastin konkret. Përveç çështjeve të identifikuara më lart, sistemi i pagesave ‘duhet të ofrojë mekanizma mjaft fleksibil për t’iu përshtatur situatave kur ato lindin në mënyrë që t’i parandalojnë interesat e administrimit të duhur të drejtësisë’. Mirëpo në praktikë, ky sistem i pagesave nuk rezulton të jetë mjaftueshëm fleksibël për ta siguruar administrimin e duhur të drejtësisë për katër të akuzuarit. Shtojca 1 e Udhëzimit Administrativ nr. 08/2022 liston një sërë tabelash që shpjegojnë kalkulimet përkatëse për mënyrën e pagesës së tarifave të avokatëve dhe shpenzimeve të tjera. Megjithatë, kalkulimet e prezantuara në këto tabela përfshijnë disa gabime të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në skemën e kompensimit dhe rrezikojnë mbrojtjen e katër të akuzuarve. Shtojca 1 e Udhëzimit Administrativ prezanton një tarifë për orë për secilin anëtar të ekipit mbrojtës, varësisht nga roli i tij/saj”, është thënë kërkesën e liderëve të UÇK-së, duke shtuar  se kalkulimet aktuale të paraqitura në Udhëzimin Administrativ nr. 08/2022 “mbulojnë shpenzimet për tarifat e vetëm 1/3 të ekipit mbrojtës (pra, katër anëtarë nga dymbëdhjetë), çka sigurisht i vë ekipet mbrojtëse në rastin Hashim Thaçi et al. në një disavantazh thelbësor në krahasim me burimet në dispozicion për Zyrën e Prokurorit të Specializuar”.

Në fund të kësaj kërkese, ata kanë rikujtuar se Republika e Kosovës ka miratuar ligjin që garanton mbrojtje juridike adekuate dhe mbulon shpenzime për tarifat e avokatëve dhe shpenzimet e tjera për personat e akuzuar në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.

“Për fund, ndonëse orët mujore që ekipet tona punojnë tejkalojnë dukshëm orët mujore që mund të kompensohen sipas Udhëzimit Administrativ nr. 08/2022, dhe ndonëse tarifat për orë të caktuara në Udhëzimin Administrativ nr. 08/2022 janë më të ulëta se tarifa standarde për orë në juridiksionet përkatëse të avokatëve mbrojtës, ekipet mbrojtëse të katër të akuzuarve propozojnë vetëm që për secilin ekip mbrojtës të nderohet alokimi i paraparë për ekip siç është përcaktuar në Udhëzimin Administrativ nr. 08/2022, pra, tarifat e caktuara për orë të paguhen për të gjithë 12 anëtarët e ekipit siç parashihet nga Udhëzimi Administrativ nr. 08/2022. Pra, në rastin konkret, duke marrë parasysh se rasti Hashim Thaçi et al. është kategorizuar si rast i kompleksitetit 4, me mirësjellje ftojmë komisionin që t’i rishqyrtojë tarifat e avokatëve, ashtu që tarifat e të gjithë 12 anëtarëve të ekipit të mbulohen, siç edhe parashihet në Udhëzimin Administrativ nr. 08/202215 dhe, për rrjedhojë, të rritet shuma totale për tarifat e avokatëve për muaj në euro 242 mijë për muaj”, është thënë në kërkesën e cila mban firmën e avokatëve Luka Misetiq, Ben Emmerson, David Young  dhe Alegendra Venkateswari.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi ndodhen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Procesi gjyqësor ndaj tyre ka filluar më 3 prill të vitit 2023. Ata janë deklaruar të pafajshëm në raport me akuzat që ngarkohen nga Gjykata Speciale.

Kërkesën e plotë mund ta lexoni: KËTU

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
23 aktakuza për krime lufte janë ngritur nga viti 2020…