
“Liderët janë të përkohshëm – Kosova është e përjetshme”, kjo është porosia e Hashim Thaçit nga Haga
Ish-presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në intervistën në Rubikon në Klan Kosova, nga Haga ka folur edhe për mikun e tij të madh, kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën.
Thaçi tha se Shqipëria sot është në drejtimin e duhur, e destinuar të ketë të ardhme të sigurt perëndimore dhe sipas tij, Rama po e bën historinë evropiane të shqiptarëve.
“Shqipëria sot, është në drejtimin e duhur, e destinuar të ketë të ardhme të sigurt perëndimore. Edi Rama po dëshmon vizion të shëndetshëm e modern me plot optimizëm dhe besim. Edi po e transformon dhe emancipon Shqipërinë dhe shqiptarët. Edi po e bën historinë evropiane të shqiptarëve”, u shpreh Thaçi.
Tutje, ai shprehu opinionin e tij edhe për Kosovën, duke thënë se duhet të ketë më shumë dashuri për shtetin dhe popullin, më shumë dialog, tolerancë, bashkëpunim e respekt për njëri-tjetrin.
“Dallimet politike do duhej t`i shndërrojnë në motiv për punë më cilësore, shteti mund të ndërtohet fuqishëm edhe në kundërshti, por këto kundërshti të kuptohen dhe respektohen si garë për punë më të mirë, e jo për të penguar njëri-tjetrin, duke e paguar çmimin Kosova. Liderët janë të përkohshëm. Kosova është e përjetshme”, tha Thaçi.