
Lideri Suprem i Iranit bën paraqitjen e parë që nga armëpushimi
Irani do t’i përgjigjet çdo sulmi të ardhshëm të SHBA-së duke goditur bazat ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, tha Udhëheqësi Suprem Ajatollah Ali Khamenei, në fjalimin e tij të parë televiziv që nga arritja e një armëpushimi midis Iranit dhe Izraelit.
Khamenei, 86 vjeç, “shpalli fitoren” pas 12 ditësh luftë që kulmoi me një sulm iranian ndaj bazës më të madhe amerikane në rajon, të vendosur në Katar.
Ashtu si në komentet e tij të fundit, të publikuara më shumë se një javë më parë gjatë bombardimeve izraelite, ai foli nga një vend i fshehtë.
Në fjalimin e tij të regjistruar paraprakisht, të transmetuar në televizionin shtetëror, Khamenei premtoi se Irani nuk do të dorëzohej, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.
Bëhet e ditur se Trump tha “sigurisht” kur u pyet nëse SHBA do të godiste përsëri nëse Irani rindërtonte programin e tij të pasurimit bërthamor.
Ndryshe, presidenti amerikan tha se SHBA “kishte zhdukur” programin bërthamor të Iranit.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi gjithashtu “një fitore historike” të martën, pasi armëpushimi i brishtë hyri në fuqi, duke thënë se Izraeli kishte arritur qëllimin e tij për të hequr kërcënimin bërthamor dhe balistik të Teheranit.
Menjëherë pas fjalimit të Khameneit, Netanyahu postoi një mesazh me një fotografi të tij dhe Trumpit duke mbajtur duart me mesazhin: “Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku për të mposhtur armiqtë tanë të përbashkët”.