Lidhja më e dukshme e dramës dhe e teatrit është ajo me ritualin

27 maj 2022 | 16:00

ESE

Prof. Dr. Haqif MULLIQI

Politika ndikon mbi teatrin e dramën, që nga koha e Perikleut

Antropologjia e dramës dhe e teatrit përpiqet të na mësojë bazat e artit dramatik përmes një prizmi apo edhe perspektive kulturore. Këtu, në fakt, mbi të gjitha, kemi të bëjmë me një traditë specifike, me tema të veçanta, ndonjë forme apo edhe zhanri të caktuar, e më pas, gjë që është mbase më relativja e që është pjesë e këtij hulumtimi, me një kulturë të caktuar relevante dhe specifike në një periudhë historike. Ndërsa ekziston edhe diçka tjetër përmes së cilës ndahen të gjithë dramaturgët, regjisorët, aktorët, skenografët, kostumografët dhe kompozitorët e një teatri të një periudhe kohore është gjithçka që dëshmon një prezencë në këtë medium arti. Ndërsa kjo është një prezencë materiale me te cilën punohet dhe e cila është vazhdimisht në një lloj përplasjeje me rrethanat e jashtme të cilat e kushtëzojnë zhvillimin e artit dramatik, në rastin konkret që drejtpërsëdrejti ndërlidhet me krijuesin, me atë se si dhe sa punon ai që ta krijojë artin e tij.  Se si e sheh realitetin të cilit i referohet një shkrimtar dramash në kushtet dhe rrethanat e terrorit shpirtëror dhe politik. Si i shkruan ai simbolet në mbarështimin e tekstit. Se si e percepton hapësirën ku e vendos dramën. Kohën në të cilën ndodh ngjarja, apo edhe si i krijoj mundësi regjisorit që të ngre dramaturgjinë e tij, idetë dhe si i shfrytëzon paralipsat në mozaikun e madh, ashtu që shikuesit më shumë apo edhe më pak të vëmendshëm të një shfaqjeje teatrore të gjurmojnë deri në fund të dramës dhe të përpiqen që t’i gjejnë apo edhe krijojnë kontekstet e veprës të cilat, ndonjëherë e kalojnë kontekstin e zakonshëm artistik të dramës apo edhe teatrit.

Për këtë arsye mendohet se antropologjia, është shkencë e cila merret me studimin e njeriut dhe jetës së tij, kulturën, organizatën shoqërore dhe institucionin, në të kaluarën dhe në të tanishmen, madje, nga një perspektivë e shumanshme, e kombinuar nga njohuritë e më shumë disiplinave të përafërta, gjë që ka ndikuar që, gjatë shekullit të kaluar (edhe në kontekstin e zhvillimeve të dramës dhe të teatrit në Kosovë për rreth një çerek shekulli) të jetë në një lloj kontakti shumë, shumë të afërt me teorinë e dramës, ngase, edhe vetë drama, por edhe antropologjia , gjatë gjithë historisë të të ekzistuarit të tyre janë marrë dhe vazhdojnë të merren me një pyetje shumë kruciale, e ajo është se: kush është njeriu, e që ngre mbi sipërfaqe çështjet që, aty për aty kanë të bëjnë me problematikat që kanë të bëjnë me identitetin.

Në këtë kuadër, për dramën dhe teatrin e Kosovës në periudhën e sipërpërmendur, sikundër edhe për dramën në përgjithësi është primare dhe e një rëndësie të veçantë që të bëhet studimi i temave, ngjarjeve, i miteve, ritualeve, dokeve, zakoneve, e veçorive të tjera që gjejmë nder veprat dramatike, ngase, fuqia shprehëse e tyre e tejkalon një rregull të rëndomtë, të shkruar dhe vetëm teorik.

“Lidhja më e dukshme e dramës dhe e teatrit është ajo me ritualin. Jo rastësisht studiuesi Jorge Livraga ka zbuluar që tragjeditë e Eskilit janë vazhdim i procesioneve religjioze të Tempullit të Eleuzinës, ku ai vetë kishte shërbyer një kohë si mjeshtër i ritualeve religjioze” , thotë profesori Krasniqi. Ndërsa, politika për nga natyra e saj është anti-rituale. Është edhe e kundërta e religjiozes. Është, thjeshtë, një praktikë e ashpër. Fundja, vetë drama tematizon elemente e ngjarje politike, por edhe drama më politike, gjithmonë esencialisht mbetet jashtë politike, sepse natyra e artit dhe e politikës janë të kundërvëna. Natyrisht, politika ndikon mbi teatrin e mbi dramën, së paku që nga koha e Perikleut  e deri në ditët tonë. Ose ndikon për mirë ose për keq. Por, ndikimi saj është evident. Fjala vjen, sot nga politikat qeveritare varet motivimi i dramaturgëve për të shkruar tekste, po edhe aftësia e teatrove për të vënë në skenë drama me mesazhe të fuqishme estetike. Ka pasur periudha kur edhe teatri ka ndikuar mbi politikën, por ato janë periudha të çrregullimeve të sistemit të vlerave sikundër janë revolucionet, (fjala vjen, Revolucioni Borgjez Francez), ose periudha kur kërkohet një agjent shtesë identitar dhe gjendet te teatri, sikundër ka ndodhur fjala vjen me kombin çek.

Për njëzet vjet, pas lufte, në Kosovë, kur u bënë plane dhe u ideuan veprime vetëm e vetëm që teatri të mos funksionojë si duhet dhe të mos luaj rolin e tij në shoqëri

Por, t’i rikthehemi rëndësisë së madhe që ka për dramën dhe teatrin studimi antropologjik, në veçanti i miteve dhe ritualeve. Këtë, besojmë në mënyrë shumë të suksesshme e ka prezantuar studiuesja gjermane dhe antropologia Erika Fisher-Light, e cila, njëherësh është edhe profesoreshë e teorisë së dramës, e cila, përmes një studimi të gjatë dhe mjaft korrekt, mund të themi, është përpjekur ta dëshmojë atë se sa është e futur dhe qenësore antropologjia brenda teorisë së dramës. Kështu, kjo studiuese, konceptet e saja dhe gjetjet teorike që i hasim tek libri i saj Historia e dramës evropiane  të thuash, që nga fillimi dhe deri në fund i mbështet tek konceptet e identitetit. Madje, në vetë hyrjen e këtij studimi, Erika Fisher-Liht, sikurse edhe Milazim Krasniqi nga këndvështrimi i tij, përpiqet ta argumentojë meritën të cilën e ka pikërisht antropologjia bashkëkohore në ndryshimin e diskutuar të konceptit të identitetit statik i cili ishte zhvilluar në shekullin e XVIII duke iu falënderuar Rusos.

Kjo autore, gjithashtu citon edhe teorikun tjetër gjerman të dramës dhe të antropologjisë, Helmut Plesnerin  i cili në studimet e tija e përafron një mendim se, pak a shumë, “gjendja esenciale antropologjike në bazën e vetë është teatrale, , ngase, subjekti, në të njëjtën kohë është edhe aktor e edhe shikues, dhe, si i këtillë, është në sendërtues i conditio humana. Dhe pikërisht në këtë kuadër vetë të ekzistuarit e teatrit është pjesë e conditio humana, të cilin edhe sipas studiuesve tanë si Muhamedin Kullashi, Josif Papagjoni, Milazim Krasniqi, Emin Z. Emini, Aleksander Dhima, Besim Rexhaj  e ndonjë tjetër, teatri, në fakt e simbolizon vetë ai. Në ndërlidhje me këtë, dramaturgu anglez Ronald Harvud  mendon se, pikërisht për shkak të këtyre ndërlidhjeve që kanë drama dhe teatri me antropologjinë e që kanë refleksione aq të fuqishme tek identiteti, del se teatri nuk është gjë tjetër pos njërit prej kompromiseve më gjenioze që ka bërë njeriu me veten e tij.  Teatri, sipas Harvudit mund të jetë kontrovers apo edhe të pohojë diçka – një pretendim apo edhe synim tonin- të jetë madje edhe subversiv apo edhe konservativ, të argëtojë apo edhe iluminojë njerëzit, por, po të dojë mund të jetë të gjitha këto së bashku, e edhe më shumë se kaq.  Ndaj dhe, mendojmë se, përgjatë gjithë historisë janë bërë aq e aq përpjekje që teatri dhe drama të disiplinohen, të futen ne kurth dhe të mos funksionojnë ashtu sikundër funksionojnë. Një përpjekje e këtillë është vënë re, fatkeqësisht edhe në periudhën (të paktën) njëzet vjeçare në Kosovë, kur u bënë plane dhe u ideuan veprime vetëm e vetëm që teatri të mos funksionojë si duhet dhe të mos luaj rolin e tij në shoqërinë kosovare, duke u përpjekur dhe marrë masa që te vihet, madje edhe jashtë ligjit.

Ndaj dhe, Milazim Krasniqit, mendon se politika e posedonte dhe e posedon një lloj afiniteti dhe një lloj dëshire që ta eliminojë dramën dhe teatrin si medium. Dhe, “… Nëse kjo nuk është e mundshme, atëherë ta vërë nën kontroll ose ta bëjë të pavlerë e të prefekt”,  thotë Krasniqi. Që do të thotë politika, gjithmonë, e ka urryer artin dhe e urren edhe sot, sado që sot këtë nuk e shpreh me fjalë, me program, por e zbaton duke e ngulfatur artin me kulturën masive.  Por, fakti se këto tentativa për ta “zhbërë” teatrin kanë pësuar gjithmonë, mendojmë se, këtu, para të gjithash bëhet fjalë për atë se teatri ishte dhe vazhdon të jetë diçka që u nevojitet njerëzve  e për të cilën kanë nevojë.

Me fjalë të tjera, drama ka bliruar nga nevojat e njerëzve për ta krijuar një medium ku do të mund të luajnë vetveten. Ku do të flasin për hallet dhe problemet e njerëzve, pra vetë atyre. Ku krijohen ide të mëdha dhe të fuqishme të cilat i frymëzojnë njerëzit, por edhe i edukojnë që të vazhdojnë të jenë të qëndrueshëm, të pathyeshëm dhe të pa mëdyshur. Drama që shfaqet në teatër është një zhanër i një shfaqjeje kulturore siç janë dasmat, manifestimet e ndryshme, koncertet, apo, gjithçka që përbënë identitetin kulturor.

Identiteti mund të rekonstruohet vetëm përmes një vargu të analizave të strukturave individuale

Sipas kësaj, të qenit diçka tjetër, apo edhe dikush tjetër, siç duket, ishte diçka që i ka tërhequr njerëzit gjithmonë. Bile, në shpellat Trois Freres, në jugperëndim të Francës, për shembull, fotografitë primitive në mure, të cilat i kanë vizatuar njerëzit të cilët kanë jetuar aty para mijëra vjetëve, paraqesin njerëz që duken si kafshët, pra, njerëzit që i luajnë ato. Madje, konsiderohet se ky është forma më e hershme në të cilën njerëzit e kanë marrë identitetin e të tjerëve. Arsyet për një mutacion imagjinativ qëndrojnë, patjetër në rrafshin e të pandehurit, dhe kjo do të mbetet kështu përgjithmonë. Pandehmat mund të jenë të formësuara me ndjenjat personale të natyrës njerëzore të asaj që pandehet, por edhe një supozim tjetër është se sa më racionale të jenë pandehmat, sipas një rregulli të pashkruar, aq më te dyshimta janë. Ngase ato kanë të bëjnë në etnologjinë, por edhe në marrëdhëniet e pazhvilluara linguistike të njeriut parahistorik dhe nevojën e tij, që buron së andejmi, që të tregojë se çfarë ka ndodhur në kohë gjuetie, ashtu që, në këtë mënyrë do të pretendojë që ta interpretoj rolin e gjahtarit në rrethana të caktuara.

Një supozim tjetër është ai se gjahtarët kanë veshur lëkura kafshësh dhe, siç thekson edhe Fisher-Lighte kjo përkujton përshkrimet e Van Genepit  mbi procesionet e kalimit nëpër kultura të ndryshme efekti i të cilëve janë ndryshimet në identitetin e individit, por edhe të kulturave të tëra, gjë që ka qenë, ndër të tjerat edhe synim i regjimit serb në Kosovë, të thuash që nga viti 1912 kur, në Luftërat Ballkanike është pushtuar Kosova,  e me theks të veçantë për këtë studim, pas ngjarjeve studentore të vitit 1981 deri në përfundim të luftës dhe çlirim të Kosovës nga pushtimi afro njëshekullor.

Këto momentume të përpjekjes për ta ndryshuar identitetin e individit si dhe për t’i shndërruar në diç tjetër kultura të ndryshme të popujve, për çfarë dhe historia flet për zhdukje të popujve të tërë, janë të ndërlidhura me kalimet simbolike të kufijve, për çfarë në mënyrë mjaft të argumentuar dhe të detajuar ka folur edhe Viktor Tarneri,  e që është quajtur liminalitet.  Ndërsa kjo tregon se struktura e dramës dhe e identitetit të cilin e shpreh janë të ndërlidhura ngushtësisht, ndaj dhe mund të thuhet se identiteti mund të rekonstruohet vetëm përmes një vargani analizash të strukturave individuale, gjegjësisht të teksteve të veçanta dramatike, gjë që do të jenë edhe objekt më i gjerë dhe më i detajuar i këtij studimi. Ndërsa, në studimet e saja mbi dramën evropiane, Erika Fisher-Liht, në ndërlidhje me këtë e afron edhe një fotografi të kulturës evropiane në diakroni përmes shpalosjes së dramave më të njohura dhe më te domethënshme evropiane, gjegjësisht të atyre që janë vlerësuar në radhën e dramave botërore, dhe të atyre që kishin, në një mënyrë apo tjetrën efektin më të madh të intertekstualitetit. Në fakt, ajo e ka bërë një përzgjedhje të dramave të cilat, në kohën e tyre i kanë vënë në pikëpyetje konceptet e identitetit dhe, të cilat, e kanë cytur dhe stimuluar brezin që ka pasuar për t’u bërë atyre një lexim të ri.

Në këtë kuadër, mendoj se, një prej tentativave tona është që përmes një leximi të ri të bërë dramave te shkruara viteve të tetëdhjeta dhe të nëntëdhjeta të shekullit të kaluara, si dhe vlerësimit të kushteve dhe rrethanave në të cilën ka ndodhur dhe është realizuar ajo dramë dhe ai teatër t’u bëjmë një lexim të ri, m,ë me distancë atyre veprave, si dhe t’i shqyrtojmë konceptet regjisoriale pa shumë ndjeshmëri kohore, presion apo edhe subjektivizëm. Thjeshtë nga balloknët e largët të kohës. Mendojmë se këtë analizë mund ta kundrojmë përmes “Orestias” së Eskilit nga shekulli i pestë Para Krishtit, përmes “Luftërave qytetare” të Robert Vilsonit, të Hajneri Milerit nga 1984 e deri tek dramat e Rexhep Qosjës “Sfinga e gjallë” dhe “Beselam pse më flijojnë”, “Kali i Trojës”, të Fadil Hysajt, “Mesjeta” të Flamur Hadrit, “Varri i qyqes” të Azem Shkrelit “Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit” të Teki Dervishit, apo edhe “Trilogjia ilire” dhe “Teatri i vogël” i Deli Ukës” të Ymer Shkrelit. “Lidhja e të gjithave është organike. Nëse një nivel i kundërvihet tjetrit, ose të tjerëve, shfaqet kriza e identitetit. Për këtë, studiuesi M. Krasniqi ndër të tjerat thotë se “…Lidhja e të gjithave është organike. Nëse një nivel i kundërvihet tjetrit, ose të tjerëve, shfaqet kriza e identitetit.

Fjala vjen, nëse dikush do të shkruante një dramë politike, ku do të arsyetohej gjenocidi serb kundër shqiptarëve, atëherë ai me të drejtë do të trajtohej si tradhtar. Pra, edhe kufijtë e dramës politike janë të caktuar. Nëse do ta elaboronim këtë çështje, do të na duhej të ktheheshim te skena e Arnold Hauzerit për ndikimin që ka tradita mbi artin”.  Pra, edhe sipas Milazim Krasniqit, sikurse edhe sipas Erika Fisher-Light apo edhe studiueses mendon serbe Ilena Qosiqit, se, kufijtë e dramës politike janë të caktuar. Madje, kjo e fundit, në studimin e saj “Teatri avangardë amerikan 1960 – 1980”,  mendon se në gjithë këtë e vetmja gjë që do të ishte e mundshme është që të përpiqemi që të zbulojmë aspekte të padiskutueshme, dhe, në të njëjtën kohë të pakapshme të pasurisë që krijon thesarin e identitetit njerëzor, por si dofarë kategorish të ndryshueshme në kornizat e qëndrueshmërisë së përjetshme dhe të pashkatërrueshme biologjike.  Në fund të fundit, kështu krijohet një percepcion se njeriu nuk është në gjendje ta krijojë identitetin e vetë të qëndrueshëm ngase ai lindë nën shtresimet dhe ngërçet e dhembjes, ndërsa, në periudhat e mëpastajme vuajtja i vazhdohet me të qenit rob nën ideologji të ndryshme he nën politikë, të cilat ia kufizojnë lirinë e natyrshme, duke e detyruar që të jetojë sipas rregullave që janë në kundërshtim me përcaktimin e tyre te synuar dhe të gjakuar.  E, nëse do ta elaboronim këtë çështje, do të na duhej të ktheheshim te skema e Hauzerit për ndikimin që ka tradita mbi artin. Në këtë rrafsh mund ta themi se ky koncept, në një mendre apo tjetrën, bien ndesh me principin e Artos  ”poshtë më me vullnetin e imponuar”, apo edhe me idenë e Fukos  mbi fundin e njeriut. Apo, siç shprehet pikërisht Fisher-Light, për të arritur te një konkluzion, çfarëdo qoftë për të gjitha këto, mendojmë se, fillimisht duhet të shikojmë se çfarë dhe si ishte dikur, si është dukur, çfarë ka bërë dhe çfarë në fakt ka synuar një ai njeri apo edhe një grup i caktuar etnik.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vendim për t’u përshëndetur. Ky është gjykimi i Safet Gërxhaliut…