Lidhjet e para të Fan S. Nolit me Biblën

27 tetor 2025 | 08:31

BUJAR MEHOLLI

Shkrimet e para dhe drama “Israilitë dhe Filistinë”

Qysh në rininë e hershme plot vrull e angazhim social, kur nisi të merret me gazetari dhe të botojë tekste publicistike, te Noli vërehet toni i guximshëm dhe prirja për të qenë bindës. Ai fillon me organet e rëndësishme të Rilindjes Kombëtare, gjegjësisht me gazetat Kombi dhe Drita si dhe me revistën e famshme të Faik Konicës, Albania, ku nis të shquhet si entitet dhe merr pozicion politik kundër shovinizmit grek. Në gazetën Kombi do të shfaqet individualiteti i tij i vërtetë kur nis të botojë tekste i frymëzuar nga problemet përreth lëvizjes kombëtare shqiptare. Megjithëse i ri dhe pa përvojë në politikë, Noli arrin t’i trajtojë çështjet e bashki­mit kombëtar dinjitetshëm si dhe t’i tregojë rrugët dhe mjetet për t’ia arritur qëllimit. Andaj, siç shprehet studiuesi Nasho Jorgaqi: “Noli fiton zemrën e lexuesit jo vetëm me njohjen e situatës politike, por edhe me përkushtimin dhe militanizmin atdhetar, sidomos me pozicionin dhe këndvështrimin origjinal të vështrimit e të trajtimit të halleve shqiptare”.[1]

Kur është në pyetje çështja shqiptare Noli nuk ngurron të jetë polemizues i ashpër me kundërshtarët, duke parë problemet ai është i shqetësuar për udhëheqjen e lëvizjes kombëtare andaj nuk ndalet së kërkuari njerëz të zotë në ballë të saj dhe është i vendosur në qëllimet patriotike dhe politike. Edhe te publicistika mund të vërehet aureola biblike që e përcjellë Nolin kur portretizon për bashkatdhetarët e tij njeriun udhëheqës që është i gatshëm për t’u vetësakrifikuar – për ta çuar përpara idenë e lirisë. Andaj, sipas Jorgaqit, “publicistikën noliane e karakterizon fryma realiste dhe tonet luftarake. Gazetari i ri kërkon t’i ndërgjegjësojë bashkatdhe­tarët se udha s’është e shtruar me trëndafila”.[2]

Siç e shohim, Noli filloi karrierën me guxim intelektual dhe individualitet të theksuar e me tone të fuqishme, burrërore, për­mes të cilave thërret shqiptarët për ta çliruar atdheun dhe për t’u emancipuar. Gjuha e tij publicistike, si dhe ajo poetike më vonë, karakterizohet nga individualiteti, qartësia (konciziteti) dhe forca ideo-artistike.

“Fjala shqipe në penën e Nolit merrte forcë e bukuri të rrallë. Gjuha e tij ishte plot nerv e vitalitet, e saktë, lakonike, karakteri­zuese dhe goditëse. Ajo depërtonte menjëherë në zemrat e lexu­esve”.[3]

Në fillimet e hershme drejt rrugës intelektuale, Nolin e kara­kterizonin vendosmëria dhe besimi në ideale. Lidhja me muzikën dhe njohja me filozofinë e gjermanit Fridrih Niçe do të ndikojnë te Noli i ri që gjithherë veten e sheh si të dërguar nga providenca hyjnore për të bërë gjëra të mëdha.

Para se ta analizojmë veprën e tij të parë letrare, dramën Israilitë dhe Filistinë të ndikuar nga historia biblike, na duhet ta shohim fillimin e interesimeve për artin dramatik, idetë dhe rrethanat në të cilat e krijoi këtë vepër. Kur Noli mori në duar kryeveprën Kështu foli Zarathustra të Niçes u entuziazmua dhe zuri t’i përkthejë disa fragmente, kurse veten e quajti revolucionar në një letër dërguar Thanas Tashkos më 1906.

Revolta e Fan S. Nolit të ri ishte e thellë, sistematike, andaj nuk mundi të qëndrojë indiferent kundrejt padrejtësive dhe kështu u bë intelektual progresist, i angazhuar, që ngre kokën për qëlli­min e çlirimit të popullit shqiptar dhe bërjes së Shqipërisë demo­kratike-liberale.

Letërsia zë vend të rëndësishëm në veprimtarinë e Fan S. Nolit. Duke e nisur në fillim të shekullit XX karrierën artistike letrare, Noli e vazhdoi gjer në vitet ’60, duke punuar i ndikuar nga rrethanat jetësore dhe veprimtaritë e tjera intelektuale. Krijimta­rinë letrare të Fan S. Nolit mund ta ndajmë në tri periudha: Per­iudha e parë nis më 1902 kur Noli i hedh hapat në fushën krijuese, dhe shkon deri më 1916. Më pas kemi periudhën e dytë që është më e rëndësishmja dhe më e frytshmja, ajo përbën pikën kulmore të frymëzimit poetik dhe zë fill në vitin 1925 duke vazhduar gjer në vitin 1932. Si periudhë të tretë dhe e fundit i marrim vitet e fundit të jetës së tij. Aty Noli i rikthehet shkrimit duke krijuar disa vjersha në të cilat shpreh përsiatjet dhe ndjenjat që i ngjallën ngjarjet e jetës politike shqiptare pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore.

Në vitin 1907 Noli botoi dramën Israilitë dhe Filistinë që është vepra e parë e tij në shqip dhe që shënon fillimin e dramaturgjisë shqiptare. Noli në këtë vepër, që është sprova e parë në fushën e letërsisë, shtron çështjen e madhe të lëvizjes sonë kombëtare, dilemën: kufizimin inert nga propaganda apo rrokja e pushkës?

Në themel të kësaj vepre është vënë legjenda biblike e Sam­sonit, brenda së cilës autori sjell episode të reja, rikrijuese, duke përmbushur shestimin artistik se ideja mund të përhapet me bindje dhe jo me dhunë a detyrim. Noli si autor që ribën skemën, merr subjektin nga Bibla (Dhiata e Vjetër) dhe e rikrijon atë. Izrae­litët monoteistë vendosin mision t’i kthejnë filistinët politeistë në fenë e tyre. Rabini, që ngrihet kundër, është i vetëm, ai nuk e sheh rrugën e bindjes si të frytshme dhe se për ta arritur qëllimin e lartë, duhet të përdoret forca.

Për t’i bindur filistinët që të besojnë në një perëndi, izraelitët vendosin ta bëjnë këtë me të mirë, ndaj ngarkojnë Samsonin e ri me këtë mision. Ai ishte djalosh me cilësi të spikatura fizike dhe ishte i sigurt në vete, andaj mendohej se do të arrinte ta kryente misionin. Por, për filistinët politeizmi ishte i drejtë dhe ata nuk donin ta braktisnin.

Akti i dytë dhe i tretë paraqesin peripecitë e djaloshit Samson. Filistinët përqafonin politeizmin sepse ishte i zhveshur nga misti­cizmi dhe ua lejonte atyre shijimin e jetës tokësore. Siç shihet, në këtë dramë ata që mëkatojnë janë filistinët, jo izraelitët. Filistinët ia kthejnë krahët Zotit dhe adhurojnë Baalin dhe Molohin (statujë bronzi) derisa e gjykojnë dhe e tallin heroin e Izraelit. Si kundër­vënie ndaj planit të izraelitëve, ata udhëzojnë Dalilën e bukur që përmes lajkave voluptive ta zbulojë forcën e këtij djaloshi që i kishte mposhtur disa herë ata, kur kishin dashur ta zënë rob.

Samsoni është i pathyeshëm derisa futet loja lajkatare e Dalilës. Këtu kemi të bëjmë me humbjen e arsyes dhe dobësinë e zemrës. Samsoni dashurohet në të, dhe duke e parë Dalilën si të denjë për të qenë e dashura e tij, shfaqet katarsa për të cilin flet filozofi antik Aristoteli. Samsoni, duke u pastruar shpirtërisht me Dalilën e bukur, është në pritje të përgjigjes nëse njeriu duhet të jetë skllav i pasioneve apo duhet t’i zotërojë ato, andaj për këtë çështje në fund të dramës kemi këtë pasazh: njeriu duhet të jetë Zot i pasio­neve…, “po ju pandehtë se qëllimi i rrojtjes është të ecim me katër këmbë përmbi dhet si bagëtia”.

Nëse njeriu është zotërues i zemrës mund të sakrifikohet për idealin e lumturisë. Në portretin e djaloshit Samson, Noli trajton edhe fatin e tij që çdoherë ia shqetësoi unin dhe e bëri të thirret në heronjtë që i adhuronte. Edhe këtu Noli ndalet dhe mendon: çfarë qëndrimi duhet të mbajë njeriu në jetë? Çfarë rruge i duhet ta ndjekë për t’i realizuar aspiratat e tij atdhetare? Për këto dhe pyetja të tjera, përgjigjet do t’i japë vetë jeta dhe krijimtaria e mëvonshme e Nolit, të cilin a mos e priste fati i djaloshit Samson? Kështu Noli duket sikur zbulon dhe gjykon vetveten duke e parë çdoherë në rolin e udhëheqësit që, sipas tij, duhet të jetë “shembull” në të gjitha drejtimet dhe assesi i shkëputur nga masat. Të tillë e portretizonte Noli kreun e një vendi, si personalitet që ka përgje­gjësi të madhe dhe që kërkon angazhim shpirtëror e fizik. Duke e konsideruar popullin si fëmijë të tij, Noli i kushtoi rëndësi të madhe gjuhës, me të cilën ka për qëllim të depërtojë sa më thellë dhe të jetë bindës në atë që përçon qoftë përmes veprave artistike qoftë përmes veprimtarive të tjera intelektuale. Është forma ajo që e formon estetikisht “materien” e Nolit. Siç shprehet teoricieni letrar anglez Rene Velek: “Në veprën e mirë artistike forma e asimilon plotësisht materien: ajo që ka qenë ‘botë’ bëhet ‘gjuhë’. Në një rrafsh ‘materia’ e veprës letrare artistike janë fjalët, në tjetrin, përjetimi i sjelljes njerëzore, kurse në të tretin mendimet dhe qëndrimet njerëzore”.[4] Vendin kryesor në dramë e zë marrë­dhënia e Samsonit dhe Dalilës, që do të thotë harrim i misionit nga ana e Samsonit kundrejt filistinëve dhe tundim nga gjërat e jetës tokësore.

Megjithëse e shkurtër dhe e papërfunduar, kjo dramë ofron mundësi për disa interpretime. Siç shohim, konfliktet mes izrae­litëve dhe filistinëve, përveç në rrafshin fetar, përshkallëzohen dhe shtrihen edhe në atë etiko-moral. Samsoni si përfaqësues i Izraelit është në mision për përhapjen e fesë dhe këtu ndodhet para një dileme të madhe: nëse duhet t’i nxisë të besojnë ata përmes paqes apo përmes mënyrave të dhunshme, sforcuese? Pra, karshi misionit të tij të shenjtë, kemi një temë tjetër, atë të kënaqësive jetësore dhe konflikteve që sjell ajo duke ia vështirësuar përmbu­shjen e misionit Samsonit. Këtu kemi të bëjmë me dilemat shekspiriane, nëse heroi duhet t’i ndjekë pasionet jetësore apo misionin që ia kanë ngarkuar? Nga kjo dramë na del qartazi mesazhi se qëllimet e larta gjithherë janë të rrezikuara dhe hasin në lloj-lloj pengesash, në këtë rast misionit hyjnor të Samsonit i ndërhyjnë dobësitë e kënaqësive triviale që njeriu i ka të trashë­guara si dhe epshet e jetës të cilave është vështirë t’u rezistohet.

Zhanri i dramës në Shqipëri ka qenë shumë më pak i lëvruar sesa gjinitë e tjera letrare, andaj shkrimi dhe botimi i kësaj drame nga Noli, siç rrëfen në Autobiografi, vjen pas interesimit të tij për artin dramatik kur punonte si sufler, aktronte dhe ishte pjesë e ekipeve të teatrove lëvizëse.

Israilitë dhe Filistinë hap udhën për analizë dhe reflektim në këtë zhanër të cilin Noli mëtonte ta përhapte në hapësirat shqiptare. I ndodhur mes një periudhe kur mbaron një shekull dhe nis një i ri, 20-vjeçari Noli kishte shumë ide dhe përsiatej për të ndikuar në shoqërinë shqiptare përmes artit. Pikërisht në fillim të shekullit 20 dhe në vitet pasuese krijohen lëvizje artistike me qëllimin kryesor: krijimin e artit novator, avangard dhe ikjen nga kanonet tra­dicionale retrograde (puritane). Fan S. Noli, i ndodhur mes këtyre lëvizjeve, megjithatë nuk tundohet, siç do të shohim në artin e tij, nuk reflektojnë eksperimentet artistike, ai i qëndron besnik tradi­tës klasike. Kështu, merr këtë histori të Samsonit nga “Libri i Gjykatësve” që mbulon hapësirën historike kur Izraeli ishte cak i armiqve të jashtëm e të brendshëm. Samsoni me fuqi të mëdha, prototip i mbinjeriut që përmend Niçe në filozofi, duket sikur nuk mund t’u rezistojë instinkteve dhe të heqë dorë nga gjërat e jetës tokësore kundrejt qëllimeve.

Më vonë figura e Samsonit do të transformohet në fenë e krishterë dhe për kah ana shpirtërore do të krahasohet me vetë Jezu Krishtin, pasi Samsoni doli kundër filistinëve që shtypnin popullin hebre. Figura e Samsonit “për shekuj mbeti një arketip i figurës së heroit duke përfaqësuar efektet e asgjësimit të prodhuar mbi heroin nga tërheqja femërore, asgjësim nga i cili ai arrin të shkundet vetëm kur paguan si çmim sakrificën ekstreme të vetes”.[5]

Samsoni bëhet personazh tipik për Fan S. Nolin dhe veprën e tij dramatike. Subjekti biblik gërshetohet me filozofinë dhe moralin; me këtë personazh retorik që zgjedh, Noli arrin t’u japë skenave koloritin tragjik me përsiatjet dhe veprimet e heroit që gjendet në situata të kundërta me njëra-tjetrën. Në tri aktet e dramës ky hero gjatë rrugëtimit të tij përballet me vështirësi brenda të cilave i shfaqet dobësia kur rrezikon të mposhtet nga demonët përreth. Dyzimi i Nolit me personazhin Samson na duket që nis nga fillimi i dramës kur Samsoni nga një ambient niset në një botë tjetër në të cilën përballet me kontraste.

Samsoni pothuajse nuk duket si profetët tokësorë, sepse ai me psalmet që nxjerr nga goja më shumë portretizohet si një engjëll që kudo i përhap fjalët e shenjta. Noli e portretizon atë si një figurë të mbinatyrshme, me misionin e shenjtë për ta përhapur fenë e Izraelit, por pa e përdorur dhunën megjithëse ka forcë të jashtë­zakonshme. Më vonë në poezi do të shohim Jezuin që është i njëjtë me Samsonin në këtë aspekt. Edhe Jezui nuk dëshiron ta përdorë “kamçikun”, sepse vetëm përmes dijes vjen liria dhe paqja. Se Noli i ri në këtë dramë dëshiron t’i ngjajë Samsonit është e qartë: ky personazh biblik në dramë na paraqitet idealist dhe i vendosur në misionin e tij. Noli u formua si intelektual duke e parë veten çdoherë misionar në mes të shqiptarëve. “Dua ta përhap mbi gjithë botën dhe asnjë fuqi nuk mund të më qëndrojë. Dua t’i mësoj filistinët ta këqyrin Perëndinë brenda në natyrë dhe përjetësinë në dashuri, por këto nuk përhapen me zjarr e me hekur, po vetëm kur njeriu është i lirë t’i marrë vesh, apo jo?”[6], thotë ai.

Këtu ndërmendim fjalët e Sabri Hamitit te libri Arti i leximit kur thotë: “Noli në konceptin e vet human e shoqëror, që del nga jeta dhe nga vepra e tij e shkruar, nuk e pranon dhunën, pra nuk e përdorë. Nuk e pranon diktatin, po përqafon lirinë e plotë të individit, lirinë dhe tragjiken si nivelin më të lartë të kërkimit të lirisë që manifestohet në flijimin”.[7]

Samsoni, duke zotëruar fuqi të jashtëzakonshme, është e qartë që del triumfues në çfarëdo situate, andaj armiqtë vendosin ta komplotojnë me kërcënim jo fizik. Për këtë ia vendosin pas Dalilën e cila e fiton betejën me të. Samsoni i ndodhur para një beteje brenda zemrës së tij, errësohet, nuk është i zoti të gjykojë as të shpëtojë nga kumti fetar, ai ëndërron vetëm për këtë femër, për Dalilën. Në këtë krizë emocionale fuqia e madhe i zvogëlohet brenda tokës së pasioneve dhe joshjes pas Dalilës, kështu Noli portretizon heroin tokësor që, megjithatë, rrethohet nga dobësitë dhe pasionet me çka dhe i projektohet fati. “Ah! Moj Dalilkë! Përpara teje ndjenj të më mpaket fuqia, pandeh se dëbier udhën. Gjanj si zogu që flytyron pa pushim brënda në shkretëtirët dhe i lodhur nga udha e shumë zbret tek i pari oaz të pijë ca pak ujë në kruat”.[8] Teoricieni frëng Maurice Blanchot kur flet për dramën, mes të tjerash, shprehet se: “Drama i jep zë, tek njeriu, të pathënës, të pashprehurës, jo njerëzores, asaj që është pa të vërtetë, pa drejtësi, pa të drejtë, aty ku njeriu nuk arrin ta njohë veten”.[9] Gjatë gjithë jetës Nolin e përshkoi aura e një njeriu aktivist, reformator e idealist; përherë duke dashur ta ndryshojë statukuonë ekzistuese. Noli kishte energjinë e duhur t’u bëjë ballë barrierave, madje me gaz në buzë t’i mbronte idealet e tij refor­muese, edhe kishtare. Kjo evidentohet fare qartë në përgjigjen kundrejt akuzave për antiamerikanizëm të MekLeinit dhe Marko Lipës. “Nuk jam dhe nuk kam qenë kurrë anëtar i ndonjë orga­nizate prekomuniste, komuniste a anti-amerikane. Përkundrazi, gjithmonë kam lëvduar modelin e demokracisë amerikane dhe jam përpjekur ta evidentoj faktin historik se Shqipëria ia detyron pavarësinë, në radhë të parë, përkrahjes së Amerikës dhe veça­nërisht presidentit Uillson”, shkruan ai. Si kryepeshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, Noli, me kurajë të pashoqe e punë kolosale, përpiqet për zbatim të programit amerikan në kishën të cilën e udhëheq, teksa në fund të përgjigjes liston punët e bëra drejt këtij qëllimi. “Po bëhen tani më se dhjetë vjet që kur Kisha jonë iu vu punës për ta zbatuar programin e amerikani­zimit. Na u duk se rruga më e mirë për Kishën tonë, që ta futnim shërbesën anglisht, duke filluar nga të kremtet e mëdha si Krisht­lindja dhe Pashkët. Këtë gjë duhesh ta bënim për ta tërhequr brezin e ri, shumë prej të cilëve as nuk e flasin shqipen, as nuk e kuptojnë. Po për ta kthyer shërbesën në anglisht duhesh një punë kolosale dhe shpenzime të mëdha. Jam i kënaqur të them se kësaj detyre ia dolëm mbanë”, përfundon Noli. Botimet e “Librit të Lutjeve për Ortodoksët e Lindjes” dhe “Hymnores së Ortodok­sëve të Lindjes” janë dëshmi e qartë e angazhimit të Nolit si klerik i moderuar, i cili me aktivizim konstant formëson dualizmin midis dijes dhe shërbesës fetare – “djemtë e Shqipërisë punojnë dhe nuk flenë” do të thoshte ai në një ligjëratë në Washington Holl, kurse në meshën e mbajtur në kishën Sveti Spas në Sofje të Bullgarisë, Noli, nën petkun idealist të Samsonit, thotë: “Ne nuk jemi as grekë, as bullgarë, por jemi thjesht shqiptarë. Këtë vëllezër dhe motra të dashura, na e vërtetoi më së miri dhe mesha e jonë sot të cilën e dëgjuat me aq vëmendje, sepse e kuptuat se ajo u mbajt në gjuhën tuaj, që është e ëmbël për ne si qumështi i nënës! Të bekuar qofshi!”

Miti biblik i Samsonit në dramën e Fan S. Nolit

Zakonisht kur flitet për dramën Israilitë dhe Filistinë fokusi kryesor i studiuesve është te miti biblik i Samsonit të cilin e mori Noli dhe e (ri)bëri dramë. Çështja kryesore është sa i qëndroi besnik këtij miti dhe në çfarë mënyre e konceptoi heroin biblik, dramaturgu i ri shqiptar? Për këtë po përpiqemi ta bëjmë një për­qasje të legjendës biblike dhe subjektit të dramës së Nolit. Samsoni, sipas Biblës, deklarativisht lindi atë­herë kur izraelitët ishin pushtuar prej filistinëve dhe qëndruan nën thundrën e tyre plot dyzet vjet. Dhe ky dënim u dha për izraelitët nga Jehovai për shkak të largimit-devijimit nga rruga e tij dhe porositë e fesë monoteiste. Me t’u dhënë shumë izraelitë pas adhu­rimit të idhujve, Jehovai i lejoji ata, filistinët, që t’i shtinin në duar. Megjithatë te izraelitët kemi Manoa­hun i cili e donte Jehovain, por që nuk kishte fëmijë pasi e shoqja nuk mund të lindte.

Kur një ditë Jehovai dërgoi një engjëll te gruaja e Manoahut, ai i tha: “Ti do ta lindësh një djalë që do ta shpëtojë Izraelin nga filistinët. Ai do të jetë nazire, pra shërbëtor i Jehovait”. Atyre nuk u lejohej prerja e flokëve. Pas një kohe kur gruaja lindi djalë, atë e quajtën Samson dhe Jehovai e bëri shumë të fortë, aq sa mund të vriste me lehtësi; në një rast vrau tridhjetë filistinë. I shquar dhe me forcë të mbinatyrshme, Samsoni assesi nuk duhej t’i priste flokët. Kështu u ushqye një urrejtje e madhe ndaj tij nga filistinët të cilët në çdo mënyrë përpiqeshin ta vrisnin. Një herë kur ky po pushonte në Gazë, te portat e qytetit tentuan ta vrisnin, por pa sukses.

Në historinë biblike theksi vihet në forcën dhe të bëmat e Samsonit, sidomos ato kundrejt filistinëve të cilët i vret dhe i shkatërron me lehtësi pasi që këta kishin dalë nga rruga e drejtë dhe i nëpërkëmbnin izraelitët porsa u vinte rasti. Samsoni na del tip hakmarrës e agresiv, por Noli i jep tipare dhe karakteristika të tjera duke e vënë atë pas një ideali të caktuar. Në Bibël rrëfehet se si filistinët më së fundi marrin Dalilën, një vajzë shumë të bukur së cilës i japin monedha argjendi nëse arrin ta zbulojë forcën e madhe të Samsonit në mënyrë që ta kapin dhe burgosin. Pas magjepsjes nga ajo perri, ngadalë Samsoni dorëzohet dhe ia tregon sekretin e fuqisë së madhe që e ka te flokët. Me ta gjetur sekretin ajo e vë të flejë në prehrin e saj dhe i presin flokët duke e lënë pa fuqi dhe të tradhtuar. Samsonin e kapin, e verbojnë dhe e fusin në burg. Kur mblidhen mijëra filistinë në tempullin e Dagonit, perëndisë së tyre, bërtasin dhe duan të tallen me Samsonin i cili i lutet Jehovait dhe i kërkon prapë forcë. Flokët i rriten prapë dhe ai shemb kolonat e tempullit duke vrarë shumë filistinë, bashkë me ta vritet edhe vetë.

Si në Bibël ashtu edhe në dramën e Nolit, Samsoni shfaqet si njeri me disa të meta; njeri i dhënë pas grave dhe që zë besë lehtë, ndaj dështon në misionin e tij që kishte për t’i bindur filistinët të besonin në Jehovain, orvatjet për këtë rezultojnë të kota përfun­dimisht kur mbërthehet nga dashuria e madhe për vajzën dinake Dalila, që në fund i sjell pasoja fatale.

Edhe Dalilën Noli nuk e ndryshoi. Karakteri i saj është i njëjtë sikur në Bibël, po ashtu edhe në dramë. Dalila portretizohet si dinake e madhe dhe e pabesë që nuk nguron edhe të tallet me Samsonin pasi e arrin qëllimin, paçka se ky ushqen dashuri të madhe për të.

Personazhet si Kryerabini, Rabini e Rahila, Kryeprifti dhe mbreti i filistinëve qëndrojnë në zhvillimin e veprimit dhe janë personazhe të dorës së dytë. Ata luajnë rol në zbulimin e karakte­rit të heroit, Samsonit.

Siç kemi theksuar sipër, dramaturgu 20-vjeçar Fan S. Noli e merr këtë legjendë biblike dhe e ndryshon dukshëm për ta rikri­juar atë sipas nevojave intelektuale duke ua nënshtruar problema­tikave që i trajtoi. Siç thotë vetë, drama është një “sqelet drame”, pra një orvatje për ta krijuar e kryer atë. Për shkak të veprimtarisë intelektuale në disa fusha, drama mbeti e papërfunduar sepse në të gjallë Noli nuk mundi t’i kthehet prapë për ta përfunduar ashtu siç donte. Megjithatë, me këtë dramë me tri akte, me shpresë që do të luhej në skenë, Noli vë themelet e këtij zhanri në letërsinë dhe kulturën shqiptare, zhanër që më vonë do të lëvrohet me sukses nga autorë të tjerë si, fjala vjen, Et’hem Haxhiademi.

Fan S. Noli, që më vonë do t’i kurorëzojë rreth pesëdhjetë vjet si prift, është prototip i klerikut-intelektual që do ta shfrytëzojë kishën dhe librat e shenjtë për qëllimet e tij, që ishin përparimi i kulturës shqip­tare dhe emancipimi i popullit. Si nëpër fjalimet që mbante ku shquheshin fjalët e zjarrta, emocionale, që ndikonin te masa dhe arrinin efektin e bindjes, ashtu edhe në literaturë Noli merr histori biblike, zgjedh heronjtë e përshtatshëm me apetitet e tij, i rikrijon, dhe përpiqet t’ua vesh idetë që mëton t’i përhapë te lexuesit shqiptarë. E nisi me dramën Israilitë dhe Filistinë përmes së cilës do ta japë mesazhin se ndryshimet nuk vinë lehtë pa luftë dhe këmbëngulje, për ta vazhduar më vonë me poezitë e ndër­tuara mbi simbole biblike, aty ku do ta shohim shpërthimin e artit nolian, me theks të veçantë te mesazhi dhe tingulli i këtyre poezive që, siç thotë Mitrush Kuteli, janë auditive. Tema e Dalilës së bukur filistine është e pranishme te shumë autorë që e trajtuan në njërën apo mënyrën tjetër dhe, sikurse Noli, e rikrijuan tregi­min biblik. Kemi rastin e kantautorit të njohur uellsian Tom Jones, i cili incizoi në vitin 1968 këngën me titull “Delilah” me një subjekt tjetër. Në tekstin e kësaj kënge kemi të bëjmë me kryerjen e krimit nga pasioni, pasi që burri (Samsoni) mashtrohet nga gruaja e tij Dalila dhe e qëllon për vdekje duke thirrur: “A ka ndonjë Dalila të vërtetë?”. Ideja e kësaj kënge në fillim ishte të shkruhet historia moderne e Samsonit dhe Dalilës. “Teksti i këngës rrëfen një histori shqetësuese kur burri qëllon me thikë Dalilën e paarmatosur. Heroi lirik na del i dhunshëm dhe posesiv, duke kryer vrasje sadiste”.[10] Noli si i ri kur e shkroi këtë dramë, që fillimisht e titulloi “Verbimi i Samsonit”, mori dhe inkorporoi personazhe biblike e heronj mitikë.[11] Ishte pikërisht koha kur Noli interesohej për dramaturgjinë e Shekspirit, ndikimi i të cilit vërehet dendur te drama Israilitë dhe Filistinë. Siç krijoi Shekspiri person­azhe komplekse si Hamleti, Otello apo Romeo, Noli për­mes Samsonit të adaptuar nga Bibla, krijoi një figurë komplekse që bart idetë bazike të vet autorit dhe dramës. Patosi i Nolit të ri shohim se si e përshkon tërë dramën, aty ku shquhet ideja për të vërtetën dhe ngadhënjimin e saj kundër gënjeshtrës, të keqes e veseve dhe dilema shekspiriane se a duhet të thuhet e vërteta me zjarr dhe hekur apo me bindje dhe fjalë?

Personazhi kryesor Samsoni është i trazuar dhe i zhgënjyer, ai proteston kundër pabesive dhe padrejtësive duke kërkuar të vërtetën, perëndinë, por bie viktimë e vetvetes pa mundur t’i ikë kurthit të filistines së bukur. Noli gjatë gjithë karrierës artistike ishte zë i fuqishëm protestues kundër padrejtësive, shtypjes së popullit dhe regjimeve tiranike, plutokrate. Këtë do ta shohim më hollësisht sidomos në artin e tij poetik. Shkrimtari dhe studiuesi Ernest Koliqi pohon se Noli është “djalosh mendesquet e zemërndieshëm, i prirun kah analyza e shkaseve të ndryshme qi burojnë nga thellsit e shpirtit të vet e të tjervet edhe nga valavitja mysterioze e gjakut qi sejcilit i rreh ndër dej, asht i natyrshëm dishiri të dij psehin e rrethanave qi cilsojnë kushtet e tij njerzore të veçanta”.[12]

Dramës Israilitë dhe Filistinë i bëri analizë të hollësishme shkrimtari dhe studiuesi Martin Camaj i cili e cilësoi dramë ori­gjinale dhe për kah rrafshi gjuhësor kombinim diglosik apo dygjuhësh në kontakt. E kemi përmendur sipër se Noli bëri rikrijim në këtë dramë sikurse në poezitë e Albumit kur heronjtë biblikë i inkuadron në një poetikë të re për t’i vënë personazhet simbolike në funksion të reagimit artistik. Camaj e vë në dukje këtë çështje gjatë analizës së tij. “Noli shndërron edhe frymën apo atmosferën e tregimit mbi Samsonin, edhe disa tipare të karakterit të heroit, tue e vu theksin në fuqinë morale të tij. Me një fjalë: shndërrimi i landës së parë biblike në landë të trillueme letrare kryhet nga Noli simbas ecunive të përpikta të një krijimi artistik”.[13]

Këtë dramë në tërësi e përshkon ideja e luftës për të vërtetën kundër gënjeshtrave, veseve e ambicieve të pavlera, pompoze. Në qendër të dramës kemi Samsonin personazh pozitiv, heroik, mishërim i dashurisë dhe bartjes së ideve përparimtare. Elementet për ndërtimin e dramës janë klasike dhe në përputhje me teorinë e Aristotelit. Samsoni ndjek idealet e tij dhe misionin që ia kanë ngarkuar, mësimin fetar dhe shtrirjen e paqes në shërbim të Zotit, por rruga i është e mbushur me vështirësi, ai ndodhet mes pasio­neve e kënaqësive jetësore, triviale e boshe që e ftojnë, kurse i vetëdijshëm për dobësinë dhe mëkatet ai shkon pas tyre.

Drama Israilitë dhe Filistinë, që u përpoqëm ta analizojmë, është origjinale dhe përçon mesazhe me rëndësi të madhe shoqërore, duke na dhënë një protagonist të ngarkuar me mision hyjnor, por të tunduar nga të mirat materiale, bukuria dhe kërshëria ndaj fem­rës që e largojnë nga misioni dhe e çojnë drejt pësimit. Dramën e bëjnë të shquar temat që trajton dhe delli krijues i autorit që në moshë të re, i ndikuar nga dramaturgët e mëdhenj botërorë, përpiqet të krijojë një galeri personazhesh, koncepcionesh e per­ceptimesh, mbi të gjitha ta krijojë prototipin e heroit me idetë, pikëpamjet e synimet drejt realizimit të misio­nit, që në rrafshin semantik për popullin shqiptar ishte ngadhënjimi i së vërtetës, të mirës, të dobishmes kundrejt të këqijave, rrjedhimisht gënjeshtrës dhe hipokrizisë si norma shoqërore të etabluara.

Një dimension tejet interesant dhe që hap shtigje të reja për analizë konstruktive dhe debat është gjakimi për njohje më të thellë të intelektit nolian si entitet shumëdimensional. Kjo konsi­ston mbi një qasje jokonvencionale të aktivitetit të tij, veçan kleri­kal, të cilën me sukses e realizoi kritiku Mensur Raifi, megjithëse nën kontekstin ideologjik marksist, në analizën me titull mjaft provokues dhe intrigues “Peshkopi anti­klerikalist”, ku Nolin e sheh në dritën e ndikimeve nga leximet ekzistenciale, niçeane, qysh në kohën e (para)shkrimit të dramës; kjo flakë antiklerikale e ndezur, sipas Raifit, ishte gjithë kohën e qetë, e koncipuar me një mirësi e butësi nga religjioziteti krejt personal, por kjo flakëz antiklerikale ngeli aty, e qetë dhe e heshtur, e përmbajtur, ajo nuk shpërtheu asnjëherë si revoltë, por dhe nuk u shua kurrë. Me gjithë shërbesën si prift, Noli krijoi dualizmin me një vetë­dije sociopolitike moderne e cila tentoi të ngjizet me aurën priftërore, nisur nga ndërgjegjja e përdorimit të teologjisë si mjet efikas për revolucion kulturor e politik, Noli konsiderohet pasardhës i racio­nalizmit iluminist me prirjet e majtizmit premarksist që si apostull i lirisë më tepër se peshkop dhe atë shpirtëror, mëtonte krijimin e vetëdijes sociale, barazisë dhe emancipimit mbarëkombëtar duke dalë kundër imponimeve dogmatike-religjioze që operojnë kundër lirisë dhe dinjitetit njerëzor. Raifi konstaton se Noli i dorëzuar dhjak, prift e famullitar i Kishës Ortodokse Shqiptare të Ameri­kës, s’mund të shkruante hapur kundër krishterimit a t’i shfaqte ashiqare tendencat e ideve të tij antiklerikale, apo të themi, here­tike – këtë Raifi e sheh, fjala vjen, te drama e cila ngeli e papërfun­duar pikërisht ngaqë ishte me ide jo krejt të qartë e precize, ndaj kjo formë e paprecizuar ideore i konvenonte për ta fshehur mendi­min antiklerikal.[14] I ndikuar nga idetë niçeane të mbinjeriut, Raifi shkruan se Noli i ri këtë nocion e kupton si çlirim prej indoktri­nimeve dhe imponimeve të huaja, identifikim me perëndinë si shkallë sipërore e identifikimit me heronjtë; perëndia është mirësia, ideja madhore e virtytit; Noli sa është kritik ndaj auto­ritetit religjioz, aq ka dhe respekt për këtë autoritet – është njëfarë kritike pendestare, shkruan Raifi, krejt në pajtim me religjiozitetin individual, një religjiozitet soji në mënyrën e vet, një kritikë e devotshme ndaj krishterimit. Duke afirmuar lirinë, çlirimin nga dogma dhe ortodoksizmi, Noli misionar e sheh drejtësinë si kruciale për strukturimin shoqëror, ndaj dhe drama e tij është protestë kundrejt indoktrinimit fetar, robërimit shpirtëror e trupor, kontrollit obskur e vullnetit të nënshtruar.

Marrë nga numri 24 i revistës “Akademia”

[1] Nasho Jorgaqi, Për Fan Nolin e të tjerë, Botimet Dudaj, Tiranë, 2001, f. 180.

[2] Po aty, f. 181.

[3] Po aty, f. 185.

[4] R. Velek e O. Voren, Teoria e letërsisë, Rilindja, Prishtinë, 1982, f. 366.

[5] Shih, Fan S. Noli në 130-vjetorin e lindjes, Konferencë Shkencore Ndërkombëtare, Korçë, 2012, f. 43.

[6] Fan S. Noli, Israilitë dhe Filistinë, Vepra I, Botimet Dudaj, Tiranë, 2003, f. 199.

[7] Sabri Hamiti, Arti i leximit, Rilindja, Prishtinë, 1983, f. 246-247.

[8] Fan S. Noli, Israilitë dhe Filistinë, Vepra I, Botimet Dudaj, 2003, f. 213.

[9] Maurice Blanchot, Lo spazio letterario, Einaudi Editore, Turin, 1975.

[10] Bob Morgan, The song ‘Delilah’ tells us something about our attitude to violence against women, cit. Huffpost, 2016.

[11] Musa Ramadani, Një dramë që filloi së jetuari, cit. nga Fan S. Noli në 100-vjetorin e lindjes, Instituti Albanologjik. Prishtinë, 1984, f. 242.

[12] Ernest Koliqi, Fan Noli, përlavdues epiko-lyrik i burrnis shqiptare, cit. nga Studime mbi Fan S. Nolin, Botimet Dudaj, Tiranë, 2008, f. 253.

[13] Martin Camaj, Israelitë dhe Filistinë, (Vepër rinore e Fan S. Nolit), cit. nga Studime mbi Fan S. Nolin, Botimet Dudaj, Tiranë, 2008, f. 260.

[14] Peshkopi antiklerikalist, revista Fjala, prill 1975.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
DAVID LODGE Zonjë, si mund të ishit kaq e pavëmendshme…