Ligjërimi kombëtar i intelektualit

11 qershor 2020 | 21:00

Xheladin Zeneli, Shqiptarët në Mal të Zi – popull i rrezikuar, Art Club, Ulqin, 2019, f. 276.

Shkruan: Begzad Baliu

Në vitin 1990, gjeniu i mbrojtjes së të drejtave të shqiptare në ish-Jugosllavi, Profesor Rexhep Qosja, në Fondacionin për të Drejtat e Njeriut të Kongresit Amerikan, mbajti kumtesën me titull Populli shqiptar në Jugosllavi është i rrezikuar. Zor të besoje aso kohe se një bashkëvendës i tij nga Ana e Malit, dy dekada më vonë, po në këtë fondacion do të mbante një kumtimtillë shqetësues dhe më tej të botonte  një vëllim fjalimesh, reagimesh, kumtesash e polemikash me titull Shqiptarët në Mal të Zi – popull i rrezikuar. Në të vërtetë, megjithëse tekste të shkruara dy dekada më vonë dhe megjithëse tekste të shkruara për çështje më të kufizuara a më të veçanta të fatit të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, të shqiptarëve në Kosovë dhe të shqiptarëve në Mal të Zi, ato shquhen, pra, për diskursin politik e kombëtar,përkatësisht ligjërimin intelektual të reagimit të tij, si dhe për pikëpamjen moderne të paraqitjes së fatit të rrezikuar të shqiptarëve e perspektivës europiane të tyre.

Në këtë rrjedhë, ishin tri arsye që e nxitën leximin e këtij vëllimime analiza, vështrime, opinione, artikuj studimorë e divulgativë, me fjalime, kumtesa e intervista dhe me polemika e reagime mbi gjendjen e shqiptarëve në Mal të Zi.

E para, biografia jetësore e autorit të këtyre teksteve e lidhur ngushtë me disa prej ngjarjeve të zhvilluara në jetën politike, kulturore dhe historike të shqiptarëve në Mal të Zi. Autori i këtij vëllimi Xheladin Zeneli është një prej intelektualëve të formuar në Universitetin e Sarajevës, i cili në kapërcyell të demokracisë postkomuniste u angazhua në jetën politike të Malit të Zi, me shpresë se do të ndihmonte zgjidhjen e çështjes kombëtare të shqiptarëve në Mali të Zi, por i zhgënjyer prej atakimeve gjithfarëshe të këtyre proceseve ai dha dorëheqje nga pozita e deputetit të legjislacionit parë në zgjedhjet shumëpartiake në Mal të Zi dhe më tej u largua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë mënyrë, autori i këtij vëllimi përmbushë biografinë kryengritëse të tij, që në të vërtetë është biografi e etikës së lartë dhe e përgjegjësisë nacionale ndaj kombit të tij.

E dyta, biografia intelektuale e autorit të këtyre teksteve është e lidhur ngushtë me diskutimet politike, kulturore dhe analitike të aktivitetit të diasporës shqiptare në Amerikë. Autori i këtyre teksteve Xheladin Zeneli, megjithëse u largua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me aktivitetet e tij u bë strumbullari i shumë organizatave shqiptare atje, zëdhënësi i idealistëve të këtyre forumeve dhe dëshmitari i pranuar edhe në institucionetmë të larta të Administratës Amerikane.    

E treta, konceptet, termat, shprehjet dhe ligjërimi politik i tij, janë mbrujtur prej refuzimit kryengritës të vendlindjes dhe të veshur prej diskursit të krenarisë së të qenit në mbrojtje të së vërtetës dhe vetëm të vërtetës. Autori i këtij vëllimi që në rastin e parë shquhet prej diskursit moral, kur e kur të strukturuar nga koncepti i etnisë, në ligjërimin e ambientit të ri do të kujdeset që të formësoj  ide, çështje, koncepte me prirje pragmatiste, sikur është veç tjerash ideja e zgjedhjes së çështjes shqiptare mbi parimin e popujve historikë, të njohur tashmë ndërkombëtarisht, një ide e cila për fat të keq nuk u inicua as nuk u kërkua të realizohej me shumë interes për shqiptarët në Maqedoni.

Megjithëse të shkruara a të kumtuara në kohë dhe rrethana të ndryshme, trajtesat e këtij vëllimi paraqesin një tërësi koherente idesh, konceptesh e projektesh, prej të cilave mund të nxiten forma të rëndësishme të shqyrtimit të pozitës së popullit shqiptar në Mal të Zi, qoftë në rrafshin shtetëror, qoftë në rrafshin kombëtar a ndërkombëtar.

Në të vërtetë duke lexuar trajtesat e këtij vëllimi vura re se si dy breza veprimtarësh trajtojnë çështjen kombëtare. Brezi i Profesor Qosjes, i cili çështjen kombëtare shqiptare në ish-Jugosllavi e shihte mbështetur në rendin e ri, rendin e mbështetur në të drejtat dhe liritë e individit, si dhe brezi tjetër, i cili zgjedhjen e çështjes shqiptare në Mal të Zi e sheh brenda parimeve të së drejtës së popujve historikë.

Prishtinë, më 11. 6. 2020​​

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, njëherësh nënkryetare e Lidhjes Demokratike…