Ligji për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor tash e 10 muaj në sirtarët e Kushtetueses

02 nëntor 2025 | 13:19

Edhe pas më shumë se 10 muajsh, Gjykata Kushtetuese ende nuk ka nxjerrë asnjë vendim për Ligjin për Sigurimin e Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor.

Moshyrja në fuqi e këtij ligji të miratuar në fund të vitit të kaluar po konsiderohet pengesë në qasjen e pacientëve në shërbime shëndetësore dhe organizimin e këtyre shërbimeve.

Nga Gjykata Kushtetuese për “Kosovapress” kanë thënë se ligji i kontestuar është në procedurë dhe vendimi do të merret pasi të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të bëra në kërkesë nga pala parashtruese.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Ligjin për sigurime të detyrueshëm shëndetësor e ka kontestuar në Gjykatën Kushtetuese duke pretenduar se ka pasur shkelje procedurale.

“Kjo lëndë është në procedurë të shqyrtimit nga Gjykata. Vendimi do të merret pasi që të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të bëra në kërkesë nga pala parashtruese, në përputhje me Kushtetutën, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e punës së Gjykatës”, kanë thënë nga Gjykata Kushtetuese.

Ndërsa në Ministrinë e Shëndetësisë (MSh), kanë thënë se janë në pritje të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, MSh-ja është njoftuar zyrtarisht që Ligji për sigurimin e detyrueshëm në kujdesin shëndetësor është kontestuar në Gjykatën Kushtetuese dhe për këtë jemi në pritje të Aktgjykimit”, është thënë në përgjigjen e MSh-së.

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK) i ka vlerësuar si të ngadalshme përpjekjet institucionale për sigurimet shëndetësore.

Kryetari i PRAK-ut, Besim Kodra, ka thënë se me këtë qasje do të nevojiten edhe pesë vjet që qytetarët të gëzojnë sigurime shëndetësore.

Ai ka thënë se pacientët kosovarë po ballafaqohen me barrë financiare për marrjen e shërbimeve shëndetësore.

Në anën tjetër, njohësi i politikave shëndetësore, Vlorjan Molliqaj, ka vlerësuar se ligji i ri për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor do ta lë një pjesë të madhe të shoqërisë kosovare pa sigurime shëndetësore.

Ai ka theksuar se në mungesë të sigurimit shëndetësor qytetarët po paguajnë nga xhepi i tyre shërbime tejet të kushtueshme.

Në vitin 2014 në Kuvendin e Kosovës është votuar Ligji për sigurimet shëndetësore, e afati për hyrjen në fuqi të këtij ligji ishte paraparë 1 janari 2017.

Ndërsa një dekadë më vonë në vitin 2024 nga qeveria e tanishme në detyrë ka hartuar një dokument tjetër për sigurimet shëndetësore, i cili ishte votuar në dhjetor 2024, por që ishte kontestuar në Gjykatën Kushtetuese.

Kujtojmë, qytetarët e Kosovës janë të vetmit në rajon që nuk kanë sigurime shëndetësore.

Kurse, në Shqipëri të gjithë shtetasit që paguajnë kontributet për sigurimet shëndetësore, kanë të drejtën e përfitimit të shërbimeve mjekësore falas, si dhe rimbursim të barnave.

Sigurimi shëndetësor dhe pagesa e kontributeve përkatëse janë të detyrueshme për të gjithë personat ekonomikisht aktivë, me banim të përhershëm në Shqipëri, si të punësuarit; personat e vetëpunësuar; punonjësit e papaguar të familjes; apo dhe persona të tjerë ekonomikisht aktivë.

Masa e kontributit të sigurimit të detyruar shëndetësor është 3.4 për qind e bazës për llogaritjen e kontributeve. Për të punësuarit, kontributet paguhen, në masën 50 për qind  nga punëdhënësi dhe në masën 50 për qind  (pesëdhjetë për qind) nga i punësuari.

Si bazë për llogaritjen e kontributit shërben paga bruto e personit të siguruar

Sigurimi i detyrueshëm shëndetësor në Shqipëri mbulon, gjithashtu, kategoritë e personave ekonomikisht joaktivë, pagesa e kontributeve të të cilëve financohet nga Buxheti i Shtetit.

Ndërsa, përfitojnë vizitat mjekësore pa pagesë në institucionet shëndetësore publike, që financohen nga sigurimi shëndetësor dhe në respektim të sistemit të referimit, vizitën falas në banesë – kur gjendja shëndetësore e të sëmurit nuk mundëson paraqitjen në institucionin shëndetësor, ekzaminimet mjekësore në institucionet shëndetësore publike, trajtimet mjekësore pa pagesë në spitalet publike, shërbimet e paketave shëndetësore në institucionet shëndetësore private të kontraktuara me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësorë, rimbursimi i plotë ose i pjesshëm i barnave të Listës së Barnave të Rimbursueshme në varësi të kategorisë; më konkretisht për barnat, personat e siguruar, ose nuk paguajnë fare ose kanë një pagesë të pjesshme që shkon deri në 50 % (për qind) të çmimit të barnave, por jo më shumë.

Kategoritë si pensionistë, invalidë të plotë, fëmijë 0 – 12 muaj, të sëmurë me CA, TBC, të verbër përfitojnë falas alternativën e parë të çdo bari të përfshirë në listë. E kategoritë si veteran dhe invalidë të luftës, përfitojnë falas në masën 100 për qind të gjitha barnat e listës së rimbursueshme, si dhe të gjitha barnat e tjera të regjistruara në Republikën e Shqipërisë.

Në prillin e këtij viti në Maqedoni të Veriut doli se numri i përgjithshëm i përfituesve të sigurimeve shëndetësore është mbi një milion e 820 mijë, që është më shumë se numri i banorëve.

Shumë shërbime të kujdesit shëndetësor bazë janë falas ose me tarifë minimale për të siguruarit.

Përfitime të tjera deri në njëfarë mase janë kompensim i pagës gjatë paaftësisë për shkak të sëmundjes apo aksidentit, ose gjatë pushimit të lindjes/pas lindjes.

Në Malin e Zi sistemi i sigurimit shëndetësor mbulon gjithë banorët, pasi që qeveria ka bërë ndryshime drejt financimit nga taksat për kujdesin shëndetësor publik.

Për shembull, është njoftuar se për herë të parë në Malin e Zi do të ofrohen shërbime PET/CT për pacientët onkologjikë në vend, përmes fondit të sigurimit shëndetësor.

Gjithashtu, në këtë vend është sigurimi i detyrueshëm i shëndetit për punonjësit, ku punëdhënësi kontribuon për sigurim shëndetësor.

Shërbime si stomatologjia, kurimi privat, apo shërbime jo‐thelbësore kanë pagesë shtesë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka kujtuar ish-kryeministrin Fatos…