Limani dhe Bytyqi vazhdojnë kontratat me Prishtinën 

29 maj 2025 | 12:58

Fituesja e Kupës së Kosovës në futboll, FC Prishtina ka vazhduar kontratat me futbollistët Ardian Limani dhe Ramiz Bytyqi. Limani edhe pse kishte oferta të tjera nga klube të ndryshëm ka vendosur t’i mbetet besnik klubit kryeqytetas.

“Futbollisti i palodhur dhe me përvojë është i njohur për angazhimin e tij në çdo pozitë që kërkohet, do të vazhdoj të kontribuojë edhe më tej në projektin e Prishtinës. Ardian Limani ka rinovuar me klubin për dy vite të tjera, pavarësisht interesimit nga klube të tjera”, thuhet në njoftimin e Prishtinës.

Limani që në të kaluarën ishte pjesë e Dritës dhe Feronikelit, pjesë e Prishtinës është nga janari i vitit 2024. Për dy vjet kontratën me Prishtinën e ka vazhduar edhe Ramiz Bytyqi.

“Ramiz Bytyqi do të jetë pjesë e FC Prishtina edhe për dy vitet e ardhshme. Vrapues i pandalshëm dhe gjithmonë i gatshëm për të kontribuar si në mbrojtje ashtu edhe në sulm. Ky vazhdim kontrate është dëshmi e besimit të ndërsjellë mes lojtarit dhe klubit për objektiva të mëdha në të ardhmen”, ka njoftuar klubi prishtinas. Të mërkurën kontratën e ka vazhduar me skuadrën fituese të Kupës edhe Ardian Muja si dhe portieri Agron Kolaj.

/Veton ZYMBERI/ 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Behxhet Sh.  SHALA - BAJGORA Shpërfytyrim i një madhështie: E…