Liria e shtypit

18 janar 2023 | 10:32

George Orwell

Ideja themelore e këtij libri për herë të parë u ngjiz në vitin 1937, por arriti të përfundohej vetëm afër fundit të vitit 1943. Kur u shkrua ishte më se e qartë se do të ishte shumë e vështirë të botohej (pavarësisht prej mun­gesës së madhe të librave, gjë që garanton se çdo gjë që përshkruhet si libër do të “shitet”), dhe ashtu ndodhi, nuk u pranua nga katër shtëpi botuese. Vetëm njëra prej tyre nuk pranoi ta botonte për arsye ideologjike. Dy botues kishte vite që botonin libra anti-rusë, dhe tjetri s’kishte shfaqur anësi të dukshme politike. Njëri nga botuesit në fillim pranoi ta botonte librin, por pasi ndërmori hapat fillestarë të procesit të botimit, vendosi të merrte mendim te Ministria e Informacionit, ku e paralajmëruan ose më e pakta, e këshilluan që kurrsesi të mos e botonte. Ja një fragment i letërpërgjigjes së botuesit:

“Ju përmenda reagimin e një zyrtari të rëndësishëm të Ministrisë së Informacionit (MI) në lidhje me Ferma e kafshëve. Më duhet ta pranoj se mendimi që ai ka shpre­hur më ka bërë ta mendoj çështjen seriozisht. Tani e kuptoj që libri mund të shihet si diçka, botimi i të cilit ishte një këshillë tepër e gabuar tani për tani.

Nëse fabula do t’u drejtohej diktatorëve dhe dik­taturave në përgjithësi, atëherë botimi do të ishte në rregull, por fabula ndjek, siç po e kuptoj tani, pikë për pikë ngjarjet që u kanë ndodhur rusëve sovjetikë dhe dy diktatorëve të tyre, dhe mund të njëjtësohet (identifikohet) vetëm me Rusinë, por jo me diktaturat e tjera. Edhe diçka tjetër; libri do të kishte qenë më pak fyes nëse kasta drejtuese në fabul të mos ishin derrat.[1] Mendoj se zgjedhja e derrave si kasta në pushtet, padyshim që do të përbënte fyerje për shumë njerëz, veçanërisht për këdo që preket shpejt, siç ndodh pa dyshim me rusët.

Një përgjigje e tillë nuk është shenjë e mirë. Natyrisht askush nuk do që një organ qeveritar ta ushtrojë pushtetin e censurës mbi libra që nuk mbështeten financiarisht nga shteti (përveç censurës për shkak të sigurisë, të cilën askush s’e kundërshton në kohë lufte). Por rreziku kryesor ndaj lirisë së mendimit dhe shprehjes tani nuk është ndërhyrja e drejtpërdrejtë e MI-së apo e ndonjë institucioni zyrtar. Nëse botuesit dhe redaktorët përpi­qen t’i mbajnë larg botimit tema të caktuara, kjo nuk ndodh sepse i frikësohen ndjekjes penale, por sepse i frikësohen opinionit publik. Në këtë vend mungesa e guximit intelektual është armiku më i keq me të cilin duhet të përballet shkrimtari ose gazetari, dhe mua më duket se kjo dukuri nuk është diskutuar siç e meriton.

Çdo person me gjykim të paanshëm dhe me përvojë gazetareske e pranon që gjatë kësaj lufte censura zyr­tare nuk ka qenë edhe aq e bezdisshme. Nuk i jemi nën­shtruar censurës, atij lloj “bashkërendimi totalitar” që afërmendsh pritej të ndodhte. Shtypi ka disa ankesa të përligjura, por në përgjithësi qeveria ka vepruar mirë dhe ka qenë çuditërisht tolerante ndaj mendimeve të pakicave. Fakti kobzi, në rastin e censurës letrare në Angli, është se në pjesën më të madhe ajo ushtrohet në mënyrë vullnetare.

Idetë jopopullore mund të zhduken dhe faktet e papër­­­shtatshme të mbahen në errësirë, pa nevojën e ndonjë ndalimi zyrtar. Kushdo që ka jetuar gjatë në një vend të huaj e ka parasysh shumë mirë se në sa e raste artikujt dhe lajmet e bujshme për gjëra që do të zinin me meritë vendin e titujve kryesorë në medie, mbahen larg nga shtypi britanik, jo sepse qeveria ndërhyn, por për shkak të një marrëveshjeje të përgjithshme të hesh­tur që “nuk do të ishte mirë” ta bënim publik një fakt të veçantë. Në rastin e shtypit të përditshëm kjo është shumë e lehtë të kuptohet.

Shtypi britanik është jashtëzakonisht i centralizuar dhe pjesa më e madhe e tij ka pronarë të pasur që kanë të gjitha motivet të tregohen të pandershëm për tema të veçanta të rëndësishme. Por e njëjta lloj censure e mas­kuar vepron edhe për librat dhe revistat, ashtu si dhe për shfaqjet në teatër, filmat dhe në radio. Ekziston gjit­hmonë një ortodoksi, një grup idesh që hamendësohet se të gjithë njerëzit që mendojnë si duhet, i pranojnë pa asnjë diskutim. Nuk është haptas e ndaluar të thuash këtë apo atë, por “nuk është e përshtatshme të thuhet”, ashtu si afro mesit të kohës viktoriane s’duheshin për­mendur pantallonat e burrave në prani të një zonje. Kushdo që sfidon ortodoksinë sunduese sheh si e dety­rojnë kaq shpejt ta mbyllë gojën sa habitet edhe vetë. Mendimeve që s’janë në modë thuajse s’u kushtohet fare vëmendje, as në median me lexues masivë dhe as në shtypin elitar.

Tani për tani dogma sunduese kërkon admirim pa gjykim kritik ndaj Rusisë Sovjetike. Këtë e dinë dhe e zbatojnë thuajse të gjithë. Çdo kritikë serioze ndaj regjimit sovjetik, nxjerrja në dritë e çdo lloj fakti që qeveria sovjetike zgjedh ta mbajë të fshehur, ka shumë gjasa të të bëjë të pabotueshëm. Dhe ky komplot mbarë­kombëtar për t’i bërë qejfin aleatit tonë, çuditërisht zhvillohet ndërkohë që ne kemi një trashëgimi tole­rance të mirëfilltë intelektuale. Por, edhe pse s’të lejo­het ta kritikosh qeverinë sovjetike, të paktën ke njëfarë lirie për ta kritikuar tonën. Vështirë se të botohet një sulm ndaj Stalinit, por e njëjta gjë ndaj Çërçillit do të botohej pa kurrfarë problemi në libra dhe revista. Ndërkohë, gjatë pesë vjetëve të luftës, gjatë dy ose tri prej tyre, bëhej fjalë nëse mbijetonte apo jo kombi, u botuan libra të panumërt, pamflete dhe artikuj që mbro­nin një marrëveshjeje paqeje, pa ndërhyrë askush. Për më tepër, botimi i tyre nuk ngjall ndonjë pakënaqësi të madhe. Për sa kohë që nuk cenohet prestigji i Bashkimit Sovjetik, parimi i fjalës së lirë është ruajtur në nivele të pranueshme. Ka edhe tema të tjera të ndaluara, disa prej të cilave po i përmend tani, por ky qëndrim mbizo­tërues ndaj BS-së është shenja paralajmëruese më serioze. Dhe ky qëndrim është ky që është, sepse ka ndodhur vetvetiu dhe nuk është pasojë e veprimit të ndonjë grupi interesi.

Servilizmi me të cilin pjesa më e madhe e shtresës intelektuale angleze ka kapërdirë dhe përsëritur propa­gandën ruse nga viti 1941 e këtej do të kishte qenë shumë befasues po të mos kishin bërë të njëjtën gjë në shumë raste të tjera të ngjashme. Për një seri çështjesh kundërthënëse, këndvështrimi rus është pranuar pa u shqyrtuar fare dhe i është servirur publikut duke shpër­fillur plotësisht të vërtetën historike ose dinjitetin inte­lektual. Një shembull i vetëm ndër të shumtë: BBC festoi njëzetepesëvjetorin e Ushtrisë së Kuqe pa për­mendur Trockin. Kjo është gati njësoj si të përkujtosh betejën e Trafalgarit pa përmendur Nelsonin, por kjo nuk ngjalli asnjë protestë në radhët e intelektualëve anglezë. Në betejat e brendshme të vendeve të ndryshme të pushtuara, gati në të gjitha rastet, shtypi britanik mbajti anën e palës që mbështetej nga rusët dhe ka hedhur baltë ndaj krahut kundërshtar, nganjëherë duke mos bërë publike prova materiale për shkak të këtij qëndrimi të njëanshëm. Një rast veçanërisht dome­thënës ishte ai i kolonel Mihailoviçit, udhëheqësit çet­nik jugosllav.

Rusët, të cilët te Tito shihnin të përkëdhelurin e tyre jugosllav, e akuzuan Mihailoviçin si bashkëpunëtor të gjermanëve. Kjo akuzë u botua menjëherë në faqet e para të shtypit britanik, mbështetësve të Mihailoviçit nuk iu dha asnjë mundësi për ta kundërshtuar, dhe faktet që provonin të kundërtën thjesht nuk u botuan. Në korrik të vitit 1943 gjermanët ofruan një shpërblim prej 100 000 kurorash ari për kapjen e Titos, dhe një shpërblim të ngjashëm për kapjen e Mihailoviçit. Shty­pi britanik u “rraskapit” duke shkruar për shpërblimin për kapjen e Titos, por vetëm një gazetë përmendi (me shkronja mezi të lexueshme) shpërblimin për Mihailo­viçin, ndërsa akuzat për bashkëpunim me gjermanët vazhduan. Diçka shumë e ngjashme ndodhi edhe gjatë luftës civile në Spanjë. Edhe atëherë grupet e armato­sura në anën republikane, të cilat rusët ishin të vendosura t’i shtypnin, u sulmuan pa mëshirë në shtypin e majtë anglez dhe çdo deklaratë në mbrojtje të tyre, qoftë edhe si letër, nuk u pranua të botohej. Tani shihen si të dënueshme jo vetëm kritikat serioze ndaj BS-së, por edhe fakti që ekzistojnë kritika të tilla, në shumë raste mbahet sekret. Për shembull, pak para vdekjes së tij, Trocki kishte shkruar biografinë e Stalinit.

Mund të hamendësojmë që libri nuk ishte krejt i paanshëm, por pa diskutim që do të ishte shitur. Një botues amerikan arriti ta botonte dhe libri ishte futur në shtyp. Besoj se kopjet ishin në librari kur BS hyri në luftë. Libri u tërhoq menjëherë. Kurrë nuk u shkrua një fjalë për të në shtypin britanik, megjithëse ishte e qartë që ekzistenca e një libri të tillë, dhe botimi, përbënte lajm për t’i kushtuar qoftë edhe disa paragrafë. Është e rëndësishme të bëhet dallimi midis llojit të censurës që inteligjenca letrare angleze ia imponon vetes me vullnet të plotë dhe censura që nganjëherë imponohet nga gru­pet e interesit. Për fat të keq, disa tema nuk mund të diskutohen për shkak të “interesave të posaçme”. Rasti më i njohur është ai i mjekësisë popullore. Në këtë rast, është Kisha Katolike ajo që ka ndikim të madh në shtyp dhe mund t’ia mbyllë gojën deri-diku kritikës ndaj saj. Skandali ku përfshihet një prift katolik nuk bëhet publik thuajse asnjëherë, ndërsa kur futet në telashe një prift anglikan p.sh. rektori i Stiffkeyt) shndërrohet në lajm për faqet e para të gazetave. Rrallë ndodh të vëresh ndonjë skenë me prirje anti-katolike në teatër ose në ndonjë film.

Çdo aktor mund të të paralajmërojë se një shfaqje ose film, ku sulmohet ose vihet në lojë Kisha Katolike, do të bojkotohet nga shtypi dhe ka gjasa të dështojë. Por kjo gjë është e padëmshme ose të paktën është e kup­tueshme. Çdo organizatë e madhe kujdeset për intere­sat e veta sa më mirë të jetë e mundur, dhe propaganda e hapur nuk është një gjë që duhet kundërshtuar. Askush s’pret më që “Daily Worker” të publikojë fakte të papërshtatshme për BS-në ashtu si nuk pret që “Catholic Herald” ta denoncojë Papën. Por s’ka njeri që s’e di se pse botohen “Daily Worker” dhe “Catholic Herald”. Shqetësuese është se kur bëhet fjalë për BS-në dhe politikat e tyre nuk mund të presësh kritikë inte­ligjente madje, në shumë raste, as mendime të sinqerta nga shkrimtarët dhe gazetarët liberalë që nuk janë nën trysni të drejtpërdrejtë për t’i falsifikuar opinionet e tyre. Stalini është i shenjtë dhe disa aspekte të politikës së tij nuk duhet kurrsesi të diskutohen seriozisht.

Është vënë re se ky rregull zbatohet thuajse gjithmonë që prej vitit 1941, por ka vepruar, më shumë nga sa duket, dhjetë vjet më përpara. Gjatë atyre viteve kritika ndaj regjimit sovjetik nga e majta mund të merrte vëmendje me vështirësi. U krijua në masë letërsi anti-ruse, por pothuajse tërësisht ishte në këndvështrimin konservator dhe dukshëm e pandershme, e vjetër dhe e nxitur prej motivesh të ndyra. Nga ana tjetër, vërshoi po aq masivisht dhe në mënyrë po aq të pandershme propaganda pro-ruse e cila çoi në ndërprerjen e marrë­dhënieve me këdo që përpiqej të diskutonte me pjekuri çështjet vërtet më të rëndësishme. Mund të botoje libra anti-rusë, por kjo të garantonte shpërfilljen ose keqpa­raqitjen nga thuajse i gjithë shtypi elitar. Si publikisht ashtu edhe privatisht të paralajmëronin se ishte më mirë “të mos e bëje”.

Ajo që thoshe ndoshta ishte e vërtetë, por ishte “e papërshtatshme” dhe çonte ujë në mullirin e këtyre apo atyre interesave reaksionare. Ky qëndrim mbrohej me arsyetimin se këtë e diktonte situata ndërkombëtare dhe nevoja urgjente për një aleancë anglo-ruse por ishte më se e qartë se qe thjesht justifikim. Intelektualët an­glezë, ose një pjesë e madhe e tyre, kishin ushqyer një besnikëri prej nacionalistësh ndaj BS-së, dhe me zemër mendonin se të vije në dyshim mençurinë e Stalinit ishte si të bëje blasfemi. Po të njëjtat ngjarje që ndodh­nin në Rusi dhe diku tjetër, duhej të gjykoheshin me standarde të ndryshme. Ekzekutimet e pafundme gjatë spastrimeve që ndodhën në vitet 1936-1938 u duartro­kitën nga kundërshtarët e përjetshëm të dënimit me vdekje, dhe për ta ishte po aq e përshtatshme të nxirrje në shtyp lajmet për krizat e urisë në Indi, por që patjetër duhej të fshiheshin kur ndodhnin në Ukrainë. Dhe nëse kjo kishte ndodhur para luftës, atmosfera intelektuale tani sigurisht që nuk është më e mirë.

Por tani, që të rikthehemi te ky libër imi, reagimi ndaj tij nga shumica e intelektualëve anglezë do të jetë shumë i thjeshtë: “Nuk duhet të ishte botuar”. Naty­risht, ata kritikë që e zotërojnë artin e denigrimit nuk do ta sulmojnë me argumente politike, por me ato letrare. Do të thonë se është libër i mërzitshëm, pa kuptim dhe shpenzim i kotë letre. Kjo mund të jetë e vërtetë, por nuk mbaron me kaq. Askush nuk thotë se s’duhej të ishte botuar thjesht sepse libri është i dobët. Në fund të fundit, hektarë me broçkulla shtypen çdo ditë dhe s’do t’ia dijë askush. Intelektualët anglezë ose shumica e tyre do ta kundërshtojnë këtë libër, sepse përgojon udhëheqësin e tyre dhe (sipas tyre) i bën dëm kauzës së përparimit. Po të bënte të kundërtën, s’do të thoshin asgjë kundër tij, edhe nëse gabimet letrare do të ishin dhjetë herë më të mëdha sesa janë. Për shem­bull, suksesi i “Klubit Majtist të Librit”, për një per­iudhë katër apo pesëvjeçare, tregon se sa të gatshëm janë ata të tolerojnë letërsinë e pavlerë dhe të shkruar për ibret, nëse thotë atë që ata që duan të dëgjojnë.

Çështja në këtë rast është shumë e thjeshtë: A ka të drejtën të dëgjohet një opinion, edhe në mos qoftë aspak popullor, madje edhe pa kurrfarë kuptimi? Para­shtrojeni kësisoj çështjen dhe thuajse çdo intelektual anglez do të ndiejë nevojën për t’u përgjigjur me “po”. Por po ta bëni më konkrete dhe pyesni: – Po një opinion që sulmon Stalinin? A ka të drejtë një opinion i tillë të dëgjohet?” dhe përgjigjja më e shpeshtë do të jetë “jo”. Në këtë rast, kjo pyetja sfidon dogmën e kohës, prandaj parimi i fjalës së lirë shkelet. Tani, kur kërkohet liria e fjalës dhe e shtypit, nuk kërkohet liri absolute. Duhet të ketë ose më mirë do të ketë gjithmonë një lloj censure sa të ketë shoqëri të organizuara.

Por liria, sipas Roza Luksemburgut, është “liria e tjetrit”. I njëjti parim mishërohet te fjalët e famshme të Volterit: “Nuk më pëlqen fare kjo që po thua, por do ta mbroj deri në vdekje të drejtën tënde për ta thënë”. Nëse liria intelektuale, e cila, padyshim, ka qenë një nga shenjat dalluese të qytetërimit perëndimor, ka ende kuptim, kjo do të thotë se të gjithë kanë të drejtën të thonë dhe të botojnë atë që besojnë se është e vërtetë, me kusht që të mos dëmtojnë drejtpërdrejt pjesën tjetër të komunitetit. Si demokracia kapitaliste ashtu edhe versionet perëndimore të socializmit e kanë marrë si të mirëqenë këtë parim. Qeveria jonë, siç e kam theksuar, ende duket se e respekton atë. Njerëzit e zakonshëm, deri-diku ndoshta, sepse nuk janë të interesuar të kri­jojnë idenë se nuk janë tolerantë, në përgjithësi shpre­hen pa qenë të bindur se: “Kushdo ka të drejtë të shprehë mendimin e vet”. Vetëm intelektualët e fushave të letër­sisë dhe shkencës, ose më së shumti ata që duhet të jenë rojtarët e lirisë, por që në të vërtetë kanë filluar ta përçmojnë atë, në teori dhe në praktikë.

Një nga dukuritë e pazakonta të kohës sonë është liberali renegat. Përtej pretendimeve të njohura mar­ksiste se “liria borgjeze” është iluzion, tani ka një prirje të përhapur për të argumentuar se demokracia mund të mbrohet vetëm me metoda totalitare. Nëse e do demo­kracinë, sipas këtij argumenti, armiqtë e tij duhen shty­pur me çdo mjet dhe mënyrë. Dhe kush janë armiqtë e saj? Gjithmonë del të jenë jo vetëm ata që sulmojnë hapur dhe me vetëdije, por ata që e rrezikojnë “në mënyrë objektive” duke përhapur doktrina të gabuara. Me fjalë të tjera, mbrojtja e demokracisë kërkon asgjë­sim të plotë të pavarësisë së mendimit. Ky argument u përdor, për shembull, për t’i përligjur spastrimet në Rusi. Edhe rusofili më i flaktë zor se besonte se të gjitha viktimat ishin fajtore për të gjitha ato që akuzoheshin, por duke shfaqur mendime heretike ata “në mënyrë objektive” dëmtonin regjimin, prandaj ishte më se e drejtë jo vetëm të masakroheshin, por edhe të diskre­ditoheshin me akuza të rreme. I njëjti argument u për­dor për t’i përligjur gënjeshtrat shumë të vetëdijshme që u botuan në shtypin e majtë për trockistët dhe pakicat e tjera republikane gjatë luftës civile të Spanjës. Dhe sërish u përdor si kushtrim kundër habeas corpusit kur Mosli[2] u lirua në vitin 1943.

Këta njerëz nuk e kuptojnë se nëse nxit metoda tota­litare, do të vijë koha që ato të përdoren kundër teje dhe jo për të mbrojtur ty. Po të bëhet traditë burgosja e fashistëve pa gjyq procesi nuk do të mos ndalet vetëm te fashistët. Pak kohë pas mbylljes dhe rifillimit të botimit të Daily Worker, po mbaja një fjalim para një shoqate të punëtorëve në Londrën e Jugut. Publiku përbëhej nga klasa punëtore dhe intelektualë të shtresës së ulët dhe të mesme, po ai lloj publiku që dikur e shihje në takimet e Klubit Majtist. Fjala ime kishte të bënte me lirinë e shtypit dhe në fund, për habinë time, shumë prej tyre u ngritën dhe më pyetën: “A nuk mendoni se lejimi i botimit të Daily Worker është një gabim i madh?” Kur i pyeta pse, ata thanë se ishte një gazetë që nuk mund t’u besohej fort për besnikëri ndaj atdheut pran­daj nuk duhej të tolerohej në kohën e luftës.

U gjenda duke mbrojtur Daily Worker, e cila disa herë ka shpifur ndaj meje në mënyrë të përsëritur. Çështja është se ku e kishin mësuar këta njerëz këtë pikëpamje në thelb totalitare? Me shumë mundësi e kishin mësuar prej vetë komunistëve! Toleranca dhe qytetaria janë thellësisht të rrënjosura në Angli, por ato nuk janë të pashkatërrueshme dhe duhet të mbahen gjallë me për­pjekje të vetëdijshme. Rezultati i predikimit të doktri­nave totalitare është dobësimi i instinktit me anë të të cilit popujt e lirë arrijnë të dallojnë çfarë është dhe nuk është e rrezikshme. Rasti i Moslit[3] është shembull ilu­strues. Më 1940 ishte më se e drejtë që Mosli të inter­nohej pavarësisht nëse kishte kryer ndonjë krim. Po luftonim për jetën tonë dhe nuk mund të lejonim dikë që mund të ishte kuislingë të endej i lirë. Por të mos i jepje të drejtën të mbrohej, pa gjyq, dhe kjo në vitin 1943 ishte e papranueshme. Fakti që të gjithë nuk qenë në gjendje ta kuptonin këtë ishte një shenjë e keqe, edhe pse është e vërtetë që zemërimi për lirimin e Moslit deri-diku ishte artificial dhe po kështu ishte edhe për shkak të pakënaqësive të tjera. Çështja është se në ç’masë rrëshqitje të tilla drejt mënyrave fashiste të mendimit mund të gjurmohet në “anti-fashizmin” e dhjetë vjetëve të fundit dhe në mënyrat e paskrupullta që ka përdorur?

Është e rëndësishme të kuptohet që Rusomania e tani­shme është vetëm shenjë e dobësimit të përgjithshëm të traditës liberale perëndimore. Sikur Ministria e Infor­macionit të kishte ndërhyrë dhe ta kishte penguar boti­min e këtij libri, pjesa më e madhe e intelektualëve an­glezë nuk do të kishte parë asgjë shqetësuese në këtë veprim. Besnikëria pa kushte ndaj BS-së duket se është dogma sot për sot, dhe aty ku përfshihen interesat e hamendësuara të BS-së, ata janë të gatshëm të tolerojnë jo vetëm censurën, por edhe falsifikimin e qëllimshëm të historisë. Për të dhënë një shembull: pas vdekjes së Xhon Ridit (John Reed), autorit të Dhjetë ditë që tron­ditën botën, rrëfim i drejtpërdrejtë për ditët e para të Revolucionit Rus, të drejtat e autorit të këtij libri kaluan në duart e Partisë Komuniste Britanike, të cilat besoj se ia kishte dhënë Ridi. Disa vjet më vonë komunistët britanikë, pasi shkatërruan botimin origjinal aq sa mundën, botuan një version të tjetërsuar ku nuk për­mendej fare Trocki dhe ishte hequr edhe parathënia e shkruar prej Leninit.

Nëse do të kishte mbetur në Britani qoftë edhe një intelektual radikal, ky akt falsifikimi do të ishte bërë publik duke u denoncuar në çdo gazetë letrare të ven­dit. Por pati pak ose aspak reagime. Për shumicën e intelektualëve anglezë ky ishte një veprim më se i natyr­shëm. Dhe kjo tolerancë ose pandershmëri e hapur do të thotë shumë më tepër sesa admirimi për Rusinë që tani është në modë. Me shumë gjasë kjo modë nuk do të zgjasë shumë. Dhe jam i sigurt që në kohën e botimit të këtij libri pikëpamja ime për regjimin sovjetik mund të jetë pikëpamje e pranueshme nga të gjithë, pa për­jashtim. Por çfarë dobie ka kjo dukuri atëherë? Të shkëmbesh një dogmë me një tjetër nuk do të thotë domosdo përparim. Armiku është mendja që punon si gramafon, pavarësisht nëse ty të pëlqen apo jo muzika që po luhet në një kohë të caktuar.

I njoh shumë mirë të gjitha argumentet kundër lirisë së mendimit dhe të fjalës, argumente që shpallin se kjo liri s’mund të ekzistojë, të tjerat që shpallin se nuk duhet të ekzistojë. U përgjigjem thjesht duke u thënë se nuk më bindin dhe se qytetërimi ynë për një periudhë katërqindvjeçare ka pasur në themelet e veta besimin e kundërt. Për gati një dekadë kam besuar se regjimi i tanishëm rus është në pjesën më të madhe një e keqe, dhe besoj se kam të drejtën ta them këtë, pavarësisht faktit se ne jemi aleatë me BS-në në një luftë të cilën dua ta shoh të fituar nga ne. Nëse do të më duhej të zgjidhja një tekst për të përligjur këtë që thashë, do të zgjidhja këtë varg të Miltonit: “Në respekt të rregullave të njohura të lirisë antike”.

Cilësori “antike” thekson faktin se liria intelektuale është një traditë me rrënjë të thella pa të cilën ekzi­stenca e kulturës sonë të dallueshme perëndimore vësh­tirë se do të ekzistonte. Shumë prej intelektualëve tanë po shihet qartë se po i largohen kësaj tradite. E kanë pranuar parimin që një libër duhet të botohet ose shtypet, lavdërohet ose mallkohet, jo për meritat që ka, por sipas përfitimit politik. Ndërsa të tjerët që nuk e mbrojnë këtë mendim e pranojnë atë vetëm nga frika. Një shembull i kësaj heshtjeje të pacifistëve të panumërt dhe të zhurmshëm anglezë në një kohë kur duhej ta ngrinin zërin kundër adhurimit në masë të militarizmit rus. Sipas këtyre pacifistëve, çdo lloj dhune është e keqe, dhe në çdo fazë të luftës ata na kanë nxitur të tërhiqemi ose të dorëzohemi ose, të paktën, të bëjmë një marrë­veshje paqeje. Por, sa prej tyre kanë thënë se lufta është po aq e keqe kur e bën Ushtria e Kuqe? Me sa duket, rusët kanë të drejtë të mbrohen, por kur ne bëjmë të njëjtën gjë, është mëkat i tmerrshëm. Kjo kundërthënie shpjegohet vetëm në një mënyrë; që do të thotë se është thjesht një dëshirë prej frikacakësh për të pasur marrë­dhënie të mira me aradhen e intelektualëve të cilët ndjenjën e patriotizmit e kanë më të firtë për BS-në sesa për Britaninë. E di se intelektualët anglezë kanë shumë arsye të tregohen ngurrues dhe të pandershëm, në të vërtetë i di përmendësh argumentet me të cilat shfajëso­hen. Por të paktën le të heqim dorë nga dokrrat se këtë e bëjnë për të mbrojtur lirinë nga fashizmi. Nëse liria ka ndonjë kuptim, atëherë ajo është e drejta për t’u thënë njerëzve atë që nuk duan të dëgjojnë. Njerëzit e zakonshëm ende pajtohen dashur pa dashur me këtë doktrinë dhe veprojnë sipas saj. Liberalët në vendin tonë – s’mund të thuhet e njëjta gjë për vendet e tjera, as për Francën republikane dhe as për ShBA-në sot – janë pikërisht ata që kanë frikë nga liria dhe janë inte­lektualët ata që duan ta fyejnë intelektin tonë. Për të sjellë në vëmendjen tuaj pikërisht këtë fakt, e shkrova këtë parathënie.

Parathënia e romanit “Ferma e kafshëve”, botuar për herë të parë në “Times Literary Supplement” më 15 shtator 1972.

Përktheu, për revistën “Akademia”, Granit Zela.

Të drejtat e përkthimit dhe të botimit, shtëpia botuese “Armagedoni”.

Ndalohet botimi pa pëlqimin e botuesit.

 

[1] Nuk është plotësisht e qartë nëse ky ndryshim është ideja e vetë Zotit… apo e ka origjinën nga Ministria e Informacionit, por ngjante se kishte vulën zyrtare.

[2] Oswald Mosley (1896- 1980), politikan britanik i cili më 1932 krijoi dhe u bë drejtues i Partisë së Bashkimit Fashist Britanik, arsyeja pse u burgos gjatë viteve 1940-1943. (Shënim i përkthyesit).

[3] Çështje e Gjykatës së Lartë angleze në të cilën ish-presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Automjeteve, Max Mosley, paditi “News of the World”. Gazeta kishte bërë publik përfshirjen e tij në atë që e quajti një akt seksual sadomazokist që përfshinte disa prostituta, pasi publikuan një video të incidentit të regjistruar nga njëra prej grave dhe detaje në gazetën e tyre, duke e përshkruar gabimisht si “me temë naziste”. U vendos që Mosleyt t’i jepeshin 60 000 paund si dëmshpërblim. (Shënim i përkthyesit).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar për takimet e…