Liria ka emër!

19 nëntor 2020 | 18:49

Shkruajnë: Menderes Zeneli & Reshat Ajvazi

Një ndër aktivistët e hershëm të Bukocit ishte edhe Reshat Ajvazi i cili fillimisht ka qenë i inkuadruar në LPK e pastaj në UÇK dhe UÇPMB. Reshati ishte frymëzuar nga veprat e vëllezërve Gërvalla dhe të Kadri Zekës. Kontaktet e para me ilegalitet bashkë me Xhavit Ajvazin i patën marrë në Bilaq tek Mejdi Jahiu i cili vepronte nga Zvicra në LPRK. Aty Mejdiu i njoftoi për organizatën, Reshatin dhe Xhavitin, duke u treguar se në Preshevë ekziston LPRK-ja, dhe që nga kjo kohë fillon ti furnizonte me materiale propaganduese. Sipas pohimeve të z.Agush Bujes që na i dha për vëllezërit Mejdi e Shabi Jahiu, në mes tjerash na tha se “me Mejdiun jemi njohur në fund të vitit 1996 në St. Gallen të Zvicër, ku së bashku me Ejup Sadikun, Shefqet Hasanin e etj. kemi filluar konsultimet për formimin e Këshillit Popullor në St.Gallen, i themeluar në mars 1987, ku përfaqësues nga organet e LPRK-së ishte veprimtari Xhavit Haliti.

Për krijimin e këtyre lidhjeve ka ndihmuar edhe bashkveprimtari Avni Dehari. Vëllezërit Mejdi e Shabi Jahiu kanë dhëne kontribut edhe në shoqatën “Mëmedheu” në St.Gallen e “Xhevat Ajvazi” në Widnau të cilat u bëne qendra të organizimit e grumbullimit të fondit të UÇK-së , ”Vendlindja Thërret” e më vonë edhe “Zëri i Atdheut”.

Më vonë do të kyçen në aktivitete edhe Arben Arifi i cili u takonte radhëve të UÇK-së, pastaj Jeton Arifi, pjestar UÇK-së dhe UÇPMB-së, Vaxhid Aliu pjestar i UÇPMB-së, Naser Halili pjesëtar i UÇK-së dhe UÇPMB-së, Elmi Ajvazi pjesëtar i UÇK-së dhe UÇPMB-së, Shefik Ajvazi pjesëtar i UÇPMB-së, Refik Ajvazi, pjesëtar i UÇPMB-së, Bashkim Arifi, pjesëtar i UÇPMB-së, Agron Arifi pjesëtar i UÇPMB-së, Vllaznim Arifi, pjesëtar i UÇPMB-së, Malush Misini pjesëtar i UÇPMB-së, Tomor Misini pjesëtar i UÇPMB-së, Xhevrije Arifi pjesëtare e UÇK-së, Salihe Ajvazi pjesëtare e UÇK-së, Mide Ajvazi pjesëtare e UÇK-së dhe UÇPMB-së, Martanesha Arifi pjesëtare e UÇK-së, Xhemajl Ajvazi pjesëtar i UÇK-së dhe UÇPMB-së, Mitat Ajvazi, pjesëtar i UÇK-së dhe UÇPMB-së, Naim Ajvazi luftëtar i spikatur i UÇPMB-së dhe Xhemal Zeneli aktivist i LPK-së pjesëtar i UÇK-së dhe epror i UÇPMB-së, Vasuf Zeneli pjesëtar i UÇK-së dhe UÇPMB, Suat Zeneli pjesëtar i UÇPMB.

Të gjithë këta luftëtar dhe luftëtare të spikatur të dy ushtrive çlirimtare, shumica prej tyre edhe pjesëtar të organizatave ilegale të cilat kishin programe të qarta politike dhe ushtarake për çlirimin e të gjitha viseve shqiptare të mbetura nën Jugosllavi. Djemtë e Bukocit në bashkëpunim më të gjitha celulat dhe grupet e UÇK-së që vepronin në Kosovën Lindore, patën rol dominues për krijimin dhe funksionimin e kanalit furnizues dhe qarkullues të mjeteve logjistike dhe të personave eminentë, udhëheqës e luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Me punën e palodhshme dhe me kryerjen e një varg aksionesh, u krijuan mundësitë që Presheva dhe njësitet e UÇK-së të kësaj ane të marrin lidhje direkte me Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë drejtim, në prillin e vitit 1998, krijohen kontaktet e para me Feniksin dhe Tonin, të cilët, nën direktivën e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, të cilët ishin të ngarkuar me mision të veçantë, në Prishtinë. Kontakti me Feniksin dhe Tonin vihet me ndihmën e Xhemail Zenelit dhe Fatmir Arifit nga Bukoci, të cilët në atë kohë ishin studentë në Prishtinë, por të sistemuar në njësitet e UÇK-së në Preshevë.

Në një periudhë mjaft kritike për Kosovën dhe trojet shqiptare, janë ngarkuar disa djem që kishin fituar përvojë luftarake nga Bukoci dhe Lugina, për ti përcjellur udhëheqësit e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës nga Prishtina në Kumanovë. Personat e Qeverisë së Përkohshme ishin: Hydajet Hyseni, Bajram Kosumi, Mehmet Haziri, Ismail Kastrati, Istref Klinaku dhe një ish-oficer nga Zhegra i cili ishte plagosur në luftime të zhvilluara në Zonën e Llapit, që iu kishte bashkangjitur udhëheqësve të Qeverisë, me qëllim të largimit jashtë vendit për tu shëruar. Gjatë rrugëtimit, ata u vendosën në Sllubicë tek lagjja e Zahirve, për të vazhduar rrugën drejt Kumanovës.

 Me këtë detyrë ishin ngarkuar: Xhemajl Zeneli, Mustafë Shaqiri, Reshat Ajvazi dhe Fazli Hajdari, të cilët ishin përgjegjës për ta siguruar rrugën, dhe anëtarët e Qeverisë së Përkohshme, deri në destinacionin e caktuar që ishte Kumanova. Një detyrë tjetër e rëndësishme që iu ngarkua luftëtarëve të Preshevës dhe rrethinës ishte sigurimi i një radio-transmetuesi për UÇK-në dhe transportimi i saj në zonat e luftës. Fillimisht për këtë punë është përkujdesur Fatmir Arifi i cili kishte lidhje familjare më Ismet Bexhetin, i cili e kishte radion e vet në Kumanovë. Ismeti pos që ishte këngëtar i njohur u takonte lëvizjeve ilegale të kohës dhe ishte ndër veprimtarët e besueshëm. Pasi Fatmiri kishte biseduar më Ismet Bexhetin, Ismeti kishte vendosur që Radion e vet ta japë për nevojat e UÇK-së.

Pas këtij vendimi Fatmir Arifi e kishte diskutuar idenë për radion e luftës edhe më Xhemal Zenelin të cilin e kishte djalë axhe, pastaj me Adrian Mehmetin, Basri Beken nga Okrashtica e Vushtrisë, Shefqet Avdiun nga Gjakova, Mentor Hoxhën e disa të tjerë. Ky grup kishin ardhur në përfundim se si me e marrë radion dhe me e dërguar në zonat e luftës. Për aparaturën e (radio-stacionit) që e bëri dhuratë Ismet Bexheti për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, kërkohej organizim e vigjilencë për bartjen e saj. Kështu që nga Kumanova deri në Preshevë, aparatura e (radio-stacionit) që më vonë do të emërohet Radio “Kosova e Lirë”, është bartur nga disa pjesëtar të UÇK-së.

Kurse nga Presheva e deri në Kosovë (Sllubicë), është bartur nga Reshat Ajvazi, Xhemajl Zeneli, Fatmir Arifi dhe Adrian Mehmeti. Nga Presheva deri në Sllubicë, aparatura e (radio-stacionit) është bartur më traktorin e Mustafë Shaqirit nga Rahovica. Në Sllubicë ishte duke pritur Shaqir Shaqiri dhe Fazli Hajdari, këta dy, Shaqiri dhe Fazlia aparaturën e dorzuan tek Islam Berisha (dëshmorë), i cili e vazhdoj rrugën nënë përcjelljen e ushtarëve të UÇK-së së Gjilanit, që përfaqësoheshin nga Elisa Ymeri-Ylli, deri në bazën kryesore në Malet e Berishës.

Duhet theksuar se në as një kohë, dhe për as një çast, kurrë nuk i kemi ndalur aktivitetet tona në rrugën tonë për ta fituar lirinë e pavarësinë e vendit. Kemi dhënë dhe do të japim sa herë që e kërkon nevoja. Gjatë muajt shkurt të vitit 1990 u organizuan demonstrata në tërë Kosovë në shej përkrahje dhe solidariteti me minatorët e Trepçës të cilët kishin hy në zgarfellën e minjerës në shej të paknaqësive dhe padrejtësive që i bëhëshin popullit të Kosovës.

Sikurse në Kosovë ashtu edhe në Preshevë, si shej përkrahjeje të minatorëve shpërthyen protestat dhe demonstratat edhe në Preshevë me 1 dhe 2 Shkurt 1990. Në këto demostrata, si shumë të tjerë, morën pjesë edhe të rinjtë e Bukocit, ndër ta edhe Avdyl Ajvazi i cili u dallua në këto protesta për organizim e qëndresë. Pasi filloi pluralizmi politik në Preshevë gjatë viteve 90’ta, së bashku me disa veprimtarë dhe student nga Prishtina bëmë hapin e parë në Preshevë, ku me 5 gusht 1990 e formuam, “Shoqatën e Pavarur Demokratike”. Për formimin e kësaj shoqate, organizimi dhe takimi ishin gjysëm ilegal.

Nga këshilli inicues kryetar i SHPD u propozua Ali Ahmeti nga Presheva, kurse nga Bukoci morën pjesë; Ali Ajvazi, Rabit Ajvazi, Reshat Ajvazi. Nga fshati Depcë ishte Shaqir Shaqiri, nga fshati Shoshajë Jakup Rrustemi, nga fshati Ilincë, Tahir Dalipi e shumë të tjerë. Më vonë në Preshevë u formua Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) më kryetar Ali Ahmetin. Me formimin e kësaj partije u formuan edhe degët e saj. Ndër degët më aktive të PDSH-së ishte ajo e fshatit Bukoc të cilën e përfaqsonte Xhavit Ajvazi. Kjo degë përfshinte 4 fshatra Bukocin, Gosponicën, Garën dhe Shoshajën e Epërme.

 Ndër organizimet që kishin përmasa të mëdha, ishte përgaditja dhe organizimi i Referendumit që ndodhi më 1 dhe 2 mars të vitit 1992. Qëllimi i organizimit të Referendumit ishte për një autonomi territoriale dhe politike të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, me të drejtë bashkimi me Kosovën. Kryetar i komisionit të Referendumit ishte Gani Misini, ndërsa antarë ishin: Nehat Ajvazi, Rabit Ajvazi, Xhemail Arifi dhe Zejush Misini. Mbi 90% të votuesve u përgjigjën pozitivisht. Në Preshevë në Komision për numrimin e votave dhe rrjedhën e Referendumit ishte Iljaz Zeneli.

Në vitin 1992-1993 situata në Kosovë filloi të keqësohet shumë, pushteti serb e kishte shtuar zullumin mbi popullatën shqiptare që kishte mbetur jashtë trungut amë e veçanërisht në Kosovë. Kjo situatë tregonte qartë se kërkohej një organizim i shpejt për tu kundërvënë pushtetit serb. Në shenj solidarizimi me Kosovën u organizuan shumë grupe ilegale nga Presheva dhe viset për rreth. Aktivitetet anti Serbi u shtuan shpejt.

Në atë kohë shumica e veprimtarëve që vepronin ilegalisht, ishin aktiv në PDSH e qe edhe këtu vepronin gjysëm ilegalisht. Në këtë periudhë vepronin në ilegalitet: Shaqir Shaqiri, Nuri Amidini, Reshat Ajvazi dhe Mustafë Shaqiri. Zakonisht grupet ilegale në këtë kohë funksionin në bazë të tresheve e sidomos anëtarët e LPRK-së dhe LPK-së. Fatmir Arifi, Xhemal Zeneli, dhe Afrim Dalipin vepronin në kuadër të LPK-së. Një prej aksioneve që e kishim ndërmarrë në atë kohë ka qenë iniciativa për ti penguar zgjedhjet lokale të Serbisë në Preshevë. Në atë kohë në shenj mospajtimi hodhëm trakte nëpër Preshevë.

Më kujtohet, në vitin 1993, pas mbledhjes së Katërt të Përgjithshme të Këshillit Drejtues të LPK-së, kur mbi krerët e lëvizjes ishte vërsulur si bishë e tërbuar Serbia, dhe bënte kërdinë, në atë kohë, popullata shqiptare nga frika e pushtetit serb shpërnguleshin me të madhe nga trojet e veta, si nga Kosova, ashtu edhe Maqedonia, Kosova Lindore dhe Mali i Zi, drejt shteteve perëndimore, për të shpëtuar nga agresioni serb.

Për ta ndalur këtë shpërngulje kaq masive, LPK-ja, intelegjenca përparimtare, njerëzit me ndikim, por edhe disa individë nga partitë politike të kohës, apelonin që të ndaleshin shpërnguljet dhe të rezistohet në Kosovë dhe viset tjera kundër okupatorit. Kësaj thirrje gjithë-popullore iu përgjigjen edhe djemtë dhe vajzat më të mira të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës si pjesë e pandarë e trungut shqiptar.

Që nga shtatori i vitit 1997, pas konsultave me përfaqësuesit e LPK-së, Dega jasht vendit, Këshilli i Rrethit të Preshevës, shëndrrohet në njësitë e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e vënë tërë kapacitetin e saj në shërbim të plotë të luftës, duke u kyçur aktivisht dhe duke qenë në shërbim të plotë të UÇK-së. Pas këtij vendimi, gjatë periudhës 1996-1997, kur në Kosovë kishte filluar Ushtria Çlirimtare e Kosovës të mobilizonte radhët e veta për luftë, edhe në Preshevë, paralelisht me Kosovë filluan të organizoheshin grupet e para guerile. Fillimisht grupet e para të gueriles në anën e Preshevës u përcaktuan për bartjen dhe grumbullimin e armatimit prej Maqedonisë e vendeve tjera deri në Preshevë. Baza kryesore në këtë drejtim ishte caktuar fshati Bukoc.

Ne këtë fshat menjëherë filluan për ti hapur bunkerët për strehimin e armatimit. Duke e parë këtë situatë LPK-ja dhe grupet ilegale të saj, që vepronin në Luginën e Preshevës kishte marrë vendim që të bashkohen me UÇK-n. Ky vendim ishte edhe në nivel qendror. Lidhur më organizimin dhe kordinimin e veprimeve luftarake, është mbajtur një takim në Preshevë në shtëpinë e Reshat Ajvazit. Përgjegjës për organizimin e këtij takimi ishte Shaqir Shaqiri.

Në këtë takim kanë marrë pjesë: Reshat Ajvazi, Fatmir Arifi, Xhemal Zeneli, Adrian Mehmeti, Abdulla Veliu, Mustafë Shaqiri, Blerim Krasniqi, Abdulla Selimi, Ylli Imeri dhe Fazli Hajdari. Kurse për sigurinë e shtëpisë ishte caktuar Elmi Ajvazi dhe familja Ajvazi. Pas këtij takimi kishin filluar të organizoheshin grupet e para, normalisht ishin grupe të vogla sepse ishte fillimi. Ky grup e bëri bartjen e armëve të parë nga Maqedonia deri në Preshevë. Këto arme janë strehuar tek shtëpia e Hikmete Bajramit, motra e Bekim Bajramit, poashtu veprimtar i hershëm i ilegalitetit.

Prej kësaj baze u bë shpërndarja e armatimit duke i paisur me armatim personal këto njesite për të qenë në gjendje gadishmerije. Xhemal Zeneli kishte marrë përgjegjësi për ta formuar grupe në Rahovicë, për bartjen e armatimit. Kurse Reshat Ajvazi ishte caktuar që ti organizoj të rinjetë e fshatrave përreth për sigurimin e depove të armatimit dhe furnizmin me ushqim.

Në Bukoc për sigurinë e fshatit, ruajtjen e armëve dhe ruajtjen e ushqimit, ishin të angazhuar Vasuf Zeneli në bashkëpunim me Xhemal Ajvazin, Naser Aliun dhe Mitat Ajvazin dhe Fatmir Arifin i cili ishte përgjegjës për sigurinë dhe mirvajtjen e punëve në fshat. Pasi baza kryesore e armatimit dhe organizimit ishte në Bukoc, Shtabi i Përgjithshem i UÇK-së në Preshevë e kishte ngarkuar më detyrë Elmi Ajvazin që t’i vëzhgoj të gjitha fshatrat përreth Bukocit, dhe të raportoj kohë pas kohe për vendndodhjen e forcave serbe, më qëllim që të bëhej siguria e rrugëve për ta bartur armatimin drejt Kosovës.

Bazat e UÇK-së ishin të vendosura në shtepinë e Zijadin Arifit, Nijazi Ajvazit, Ramadan Zenelit etj. Shtabi i Përgjithshëm i Preshevës, kishte vendosur që në pikën e Bukocit të emëroj përgjegjës Xhemal Zenelin i cili bënte sigurimin e ushtarëve të UÇK-së të cilët vinin nga Zonat e luftës së Kosovës në drejtim të Maqedonisë për furnizim me armatim dhe anasjelltas. Në disa fshatra ishin caktuar edhe disa shtëpi për ti pritur dhe strehuar ushtarët e UÇK-së. Në Rahovicë shtëpia e Mustafë Shaqirit, kurse në Preshevë shtëpia e Bekim Bajramit dhe e Reshat Ajvazit.

E kam përmendur edhe në tekstin më lartë, por po e përserisë prap, një meritë të veçantë në të gjitha këto procese organizative e kishin edhe Mide Ajvazi nga Bukoci, Xhevrije Arifi nga Bukoci, Martaneshë Arifi nga Bukoci, Salihe Ajvazi nga Presheva, Mejreme Zeneli nga Presheva dhe Bedrije Shaqiri nga Rahovica. Këto gra meritojnë mirënjohje të madhe për mbështetjen e UÇK-së dhe UÇPMB-së, janë heroina të vërteta.

Duhet cekur se pas fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi forcat Serbe, paramilitarët serbë, filluan vrasjen dhe plaçkitjen e shqiptarëve në Malësinë e Preshevës. Më datën 28.5.1999 në Gosponicë ushtari i UÇK-së, Ibrahim Fejzullahu kishte shkuar për ti tërhequr bashkëfshatarët e tij, mirëpo ai vritet nga paramilitarët serb. Nga forcat serbe ato ditë u vra edhe Rahim Nuhiu. Kurse banorët e fshatrave tjera pësuan maltretim dhe keqtrajtime të mëdha nga paramilitarët serbë. Pas kësaj ngjarje me 30/5/1999 forcat paramilitare serbe kishin hy edhe në fshatin Bukoc, duke i malltretuar banorët e fshatit në mënyrat më brutale. Gjatë luftës së UÇK-së në Kosovë i gjithë fshati Bukoc ka qenë i mobilizuar dhe në gjendje gatishmërie duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm.

Nga fshati Bukoc në luftën e UÇK-së në Kosovë morën pjesë aktive: Reshat Ajvazi, Fatmir Arifi, Xhemal Zeneli, Vasuf Zeneli, Elmi Ajvazi, Xhemal Ajvazi, Naser Aliu, Mitat Ajvazi, Jeton Arifi, Bekim Bajrami, Arben Arifi etj. Rrugëtimin kontributdhënës për të mirën e vendit e vazhdojë Blerinë Ajvazi e cila ishte përfaqësuese e Kosovës në Samitin e Paqës në Koren e Jugut më 2017. Është shumë e qëlluar thirrja simbol “Liria ka emër”, që ishte shkas për ta shkruar këtë shkrim, sepse më të vërtetë liria ka emër. Ata që janë kundër lirisë dhe liri-bërësve, do t’i gjykoj historia.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Avni Kastrati është ish ushtari i radhës së Ushtrisë Çlirimtare…