Lirika e Bujarit, midis atyre më të mirave

05 qershor 07:43

Familjarë të Bujarit,

Kolegë të bibliotekës dhe të gazetës,

Shokë, miq dhe dashamirë,

Mirë se keni ardhur në këtë gazmend të librit.

 

Sot po promovojmë librin me poezi Linga e heshtjes të Bujar Salihut, të një mërgimtari të lidhur mish e kockë e shpirt me Kosovën. Edhe ky, gati si të gjithë “gërrnaqat” e tjerë!

Kam zgjedhur, për të folur për vlerat e këtij libri, një poet, një studiues dhe një kritik: Ademin, Eminin dhe Flamurin, të cilët më kanë thënë se nuk janë takuar më parë me Bujarin, por kanë njohuri për poezinë e tij. Kur ua dhashë këtë libër për lexim, u befasuan me stilin e poezive të Bujarit. Për shembull, Ademi, në restorantin “Edi 2”, në prani të Eminit, më tha se secilën faqe të librit që hapja qëlloja në ato poezi që Berati ka veçuar në shënimin që ka nxjerrë për librin në kopertinën e pasme dhe më vinte mirë për shijen e njëjtë.

Edhe Emini, në prani të Ademit, më tha se nuk e dija që Bujari shkruan kaq bukur poezi.

Se çfarë do të flasin sot, do t’i dëgjojmë bashkë. Nëse flasin keq, i nxjerrim jashtë!

Angazhova për këtë promovim edhe poeten dhe moderatoren, ndër dy a tri më të mirat në Kosovë, Alketa Gashi Fazliun, për ta na lexuar disa vargje nga ky libër…

Para se të flas më shumë, për politikë dhe për art, po i jap fjalën Alketës të na lexojë një poezi.

 

LINGA E HESHTJES

 

Ajo vinte rrallë si fatamorganë e përgjumur mbi re lehonash

Ikte si vetëtimë e trishtë pa mundur ta shihja kurrë në sy

Në atë pikë nevralgjike besoja në mallkime e besëtytni

Por s’praja të shpresoja edhe në kthimin e saj të ri

Natës teksa flija në gjinjtë e butë të jargavanit

Si në baladë të Rozafës rrënoheshin harqet

Kush kërkonte t’i bëj fli muzat palimpset

Unë mallkoja mitet besën e gojëdhënat

Po atë stinë ti mbete Sibilë e zënë rob

S’doja gjë tjetër veç ty të shihja të lirë

Ta gjeje lumturinë tënde ikjeve përtej

Qoftë edhe me mua plaguar në betejë

Përpëlitesha duke klithur asaj humbelle

Aorta ime e çarë derdhej mbi atë dhe gri

Vitet seç na ikën hijeve të frikshme ngulitur

Simfoni lotësh bebëzës tënde të njomë ngjitur

Dikur në tëndin sy purpur dritë aureolash veguan

Kur të gjithë menduan se të gëlltiti ai oqean i trazuar

Erdhe si këngë e fundit mjellmash atij horizonti memec

I dhe jetë lingës së heshtur asaj që s’po më bëzante qe sa vjet

 

Alketë, do të nxjerrim shpesh të na lexosh poezi.

Politika në Kosovë, sidomos kjo e pasluftës, ka përmbysur vlerat kulturore. Mediat ndjekin pas politikën, nuk ndjekin atë që duhet – kulturën. Pjesa më e madhe e mediave online sot nuk ka rubrikë të kulturës, por secila ka rubrikë të politikës. Në këtë përballje politikë – kulturë, viktimë është bërë kultura, e cila ka marrë tërthor sepse ata që janë në krye të mediave nuk janë as specialistë të gazetarisë, as të letërsisë. Nuk e di mirë çfarë janë. Njerëz, po, me arsimim me dhe nën mesatar. Por, herët a vonë, e më mirë vonë sesa kurrë, kultura do ta zë vendin meritor sepse është art i vërtetë, ndërsa politika, meqë konsiderohet art i së mundshmes, që anon kah mashtrimi, do të mbesë pa publik. Pra, po qe se tash politikës ia shohim këmbët përpjetë e kulturës kokën mbi dhe, gati të ngufatur, kjo gjendje s’do të zgjasë gjatë. Më lejoni ta them një shaka të Nastradin Hoxhës, i cili, i dëshpëruar me gjendjen e kohës kur jetonte, një ditë u tha shokëve:

Kur të vdes më varrosni me kokën poshtë e me këmbët lart.

Po pse?, e pyetën miqtë.

Kam dëgjuar, u tha hoxha, se kur të vijë fundi i botës çdo gjë do të kthehet së prapthi, kështu që unë do të kthehem mbarë.

Çfarë them me këtë mesazh të hoxhës? Mediat kanë varrosur kulturën, por e kanë varrosur me kokën poshtë. Kur të kthehet bota mbrapsht, e më mbrapsht se tani s’besoj se do të ngjajë më, kultura kthehet mbarë. Me këtë aktivitet, e të tjerë të këtij lloji, me dashamirës të librit e të kulturës pranë shkrimtarëve dhe librave, përmbysim politikën dhe ndjekim pas kulturën.

Po flas hem për politikë e hem për kulturë sepse sot nuk më takon mua të flas për vlerat e këtij libri për dy arsye: e para, sepse nuk dëshiroj t’i bëj marketing këtij libri meqë jam botues; së dyti, sepse sot do t’ju japim libra falas, atje jashtë edhe pak bukë e ujë. Për poezi po i jap fjalën Ademit, se është më specialist se unë. Urdhëro, Gash i Drenicës, se i gurit tybe s’je!

 

 

Adem Gashi

 

SPROVË LEXIMI

(Librit të Bujar Salihut Linga e heshtjes)

 

Nuk do t’i shmangem natyrës ngjarjes për të cilën jemi mbledhur, përurimit të librit të Bujar Salihut, Linga e heshtjes. Urime Bujar!

Megjithatë, në trajtë sprove, do t’ju rrëfej sesi e lexova këtë libër. Në të përfshihet edhe bindja, konstatimet dhe shijet e mia, pa përjashtuar elementet e vlerësimit dhe të analizës.

E gjitha mbështetet në tri paragjykime. Unë e di që paragjykimet të shpien doemos në lajthitje, po ç’t’i bëj kësaj kokës sime rebele që tundohet kaq hovshëm e me kënaqësi nga përballjet (sfidat)!?

I pari. Duke ndjekur zhvillimin e hovshëm të poezisë sonë, paraqitjet e shumta në çdo shteg publikimi, mosseleksionimi i duhur, largesa me autorin (emër i njohur për mua gjithsesi), por me paraqitje të rralla, më mbërtheu përtacia e leximit. Pastaj u kujtova se ç’u them miqve kur u dhuroj librin tim të ri. Ma ke borxh të ma lexosh vetëm një poezi, aty ku qëllon të hapet libri! Kështu bëra edhe me librin e Bujarit. Libri u hap në faqen 85 ku gjeta poezinë Buka. Kaq m’u desh. Po të doni mund ta kap mbështetjen tek Eko-ja: Lexomëni së paku tridhjetë a dyzetë faqet e fillimit të prozës, pastaj ndaluni po mundet! E lexova librin dhe më pëlqeu. Kur m’u dha detyra për të hedhur dhe ndonjë mendim a mbresë, siç bëj rëndom, edhe e rilexova.

E padiskutueshme se lirika e Bujarit vjen midis atyre më të mirave në gjithë regjistrat që trajtojnë poezinë sot dhe këtu, domethënë në arealin e shqipes. Nuk po ju lodh me epitetet e panevojshme dhe të fryra si tullumbace se është poezi moderne, se është poezi postmoderne, kontemporane, reale dhe ireale a diçka midis. Është poezi e bukur, lirikë e pastër me kulturë gjuhësore dhe shtresime dijesh autoriale, me denduri tropesh e figurash stilistike, ku dominon metafora, oksimoroni dhe ironia. Një vlerë më vete paraqet ritmi poetik. Autori ka zotësinë që përmbajtjet t’i vesh me kostume formash nga më të ndryshmet (vargu distik, tercinë,katrenë, njëshkolonë etj.). Në planin tematik buis jeta me shtjella të dendura kujtimesh, të rënda, të vrazhda e të mallshme, atdhedashuria pa farfuri folklori dhe dashuria me ndjeshmëri urbane, liria si përmbysje dhe lufta si liri në horizont.

Mendoj se edhe struktura e një libri, pra strukturimi i materies poetike, sjell në një variant profilin prej krijuesi të mëvetësishëm të autorit. Salihu është mjeshtër i lirikës përkushtuese, ose siç thuhet, me dedikim. Ai skalit ngeshëm e shkurt portretet e miqve, të figurave historike që janë e s’janë në jetë. Jo me lavde e përthirrorë, por me penel depërtues në profilin shpirtëror të tyre. Të këtillë e gjeni figurën e Gjergjit, të Adem Jasharit, të Agim Ramadanit, të Adem Demaçit, e Podrimjes; të babait, të nënës e të xhaxhait e deri te Shaip Beqiri.

Këtu edhe paragjykimi i dytë.

Bashkëfolësit me mua do ta trajtojnë më ngulmueshëm strukturën e këtij libri, ndaj unë nuk do të merrem më tej me të.

Në rilexim më ngeli vëmendje në një nocion poetik që vjen e bëhet fjalë – çelës: Ëndrra. Po jua paraqes:

…po ne s’e kemi braktisur kurrë ëndrrën për ty / f. 12

…të shihja ëndërr në mëngjes / nuk dija ta tregoja ëndrrën / f. 13

…Naisus mbeti veç hije në gurë / Ëndërr e atyre që s’u kthyen kurrë / 14

…A ke parë ëndërr / Copëza të thyera qielli / 21

…Kishin parë veç një ëndërr / 23

…Po kthimin tënd të fundit e mbaj mend si ëndrrën e keqe / 29

…Ëndrra m’u fik në qivur/ 31

…Mbi flatra pulëbardhash / Fluturoi ëndrra e fundit / 34

…Si në një jetë tjetër bubullimash ëndërr për Atdheun / 41

…Në ëndrra hyjneshash / Zunë të futen kalorësit e qytetit tënd / 46

…E i se s’të besohet si në një ëndërr të keqe plot trishtim / 47

…Vegime të fjetura mashtrim apo ëndërr e huaj / 52

…Po më shfaqen e rishfaqen si në ëndërr të plagosur / 71

…Mes ëndrrash e klithmash / 78

…T’ua dëftojmë edhe ëndrrën e parë / 84

…Dhe kam frikë lojën në ëndërr… / 89

…Armëpushim shikimesh dhe ëndërr / 101

…Në ëndrra pasqyra letra që zakonisht vinin vonë / 106

…Në ëndrra bënim shumë dashuri / po aty

…t’i laj sytë me vesë ëndrre / 111

…Ti mos u fut në ëndrrën e saj / po aty

Janë pra njëzetë e një raste që në një përimtim të vëmendshëm do të kapnin një trajtim prej së paku njëzetenjë faqesh. Po këtu mund të konstatohet shkurt se ëndrra tek autori vjen si metaforë, si oksimoron, si togfjalësh, si mbiemër, si gjendje. Në vendin e duhur dhe në kohën e duhur, asnjëherë e kërkuar dhunshëm dhe asnjëherë e ndërfutur dhunshëm. Ja mjeshtëria e përdorimit të fjalës.

Ja edhe paragjykimi i tretë.

Autori kot e ka vënë në fund poezinë Në vend të pasthënies. Ajo, në strukturën e këtij libri, s’mund të lexohet veçse si parafjalë e tij. Dhe titulli? Ah titulli! Mund të jetë monogram i përmbajtjes, sipas Shopenhauerit, vullnet i autorit sipas zgjedhjes së lirë, apo edhe nunëri e një tjetri. Kur pashë nënshkrimin prej redaktori të Shaip Beqirit thashë më vete: ky duhet të ketë dorë këtu, mbase në trajtë rekomandimi për ta përzgjedhur. Përfundimi im: Nuk i rri mirë zilka e heshtur (Linga e heshtjes) tramundanës shpirtërore.

Libër që më gëzon gjithsesi.

_______________________

Prishtinë, 4 qershor 2021

 

Të falemnderit, Adem!

 

Alketë, thuaja edhe një herë këngës që ti di!

 

S’E MBAJTE PREMTIMIN

Ali Podrimjes

 

Tek Ura e Shenjtë pezull pritëm ardhjen tënde

Na pate premtuar të na e lexosh një baladë për Mbretëreshën

Po ti nuk erdhe paske lënë Ulpianën dhe në vend se të dilje në Shkup

Paske ikur në Paris në atë farë vendi ku nuk vdiset

Andej detit mund ta takosh edhe Arbëreshin tënd të vjetër

Po atij asgjë mos i rrëfe për kopenë dhe ujkun e ri të Alpeve

Po të të pyesë për plagët e Vogëlushit tënd: rrëfeji si burrat pa lot në sy

Le ta përfytyrojë si do të dukej sot pas dyzet e ca vjetësh Lum Lumi

Ishullit të madh Albania udhëtimin mos e lër në gjysmë

A nuk na pate thënë se për fatin lirik të heroit duhet shkruar pa fund

Në vargun me degë të thyer pate vënë një bemol

Dhe ike duke u shkundur si plepi pa pasur një trohë besim në vete

Kështu nuk lihet Etnia bile një këngë sibilash mbi dritën e lënë ndezur

Ke mundur ta vësh Ali Podrimja

Ti mbete pa orën tënde të ikjes si uji i madh

Që rrjedh nën shtatë harqe urash

Jazëk sot ty ka me të thënë Lumi

S’e mbajte premtimin që i pate dhënë Shkupit dhe dhembjeve të mia

 

Të falemnderit shumë, Alketë!

 

Sa herë që rri me Ademin, thotë se Emini është specialist i poezisë sime, se kush më mirë se ai nuk e kupton poezinë time. I satës po, është, se rri gjithë ditën e lume me ty. Të shohim sa është specialist i poezisë së Bujarit.

Urdhëro, llapjan!

 

 

Linga e komunikimit

 

Dr. Emin Z. Emini, profesor universitar

 

Në organikën e objektit estetik të librit “Linga e heshtjes” të autorit Bujar Salihu identifikohen disa shtresa ligjërimore, figurative e ndjesore të cilat shpërfaqen të bashkëlidhura jo vetëm në dimensionin skematizues strukturor të qenies së veprës, por edhe në bërthamat përmbajtjesore poetike heterogjene. Skema e strukturës ndërtohet nëpërmjet funksionalizimit të numrit shtatë, i cili është pikëtakimi arkitekturor i poezive të sistemuara në shtatë cikle poetike, ndërkaq bërthamat janë produkt i motivacionit krijues poetik.

Akti i vetëdijes subjektive poetit i jep dorë që në ligjërimin e tij poetik, përpos të tjerash, ta përdorë gjuhën e artit pamor, konkretisht gjuhën e ngjyrës duke filluar nga e bardha e deri tek e zeza, të cilat realisht në pikturë s’janë gjë tjetër përveçse sinonim i dritës dhe hijes, përkatësisht e mira dhe e keqja në etikë, apo jeta dhe vdekja si kategori ekzistencialiste. Në këtë ecejake poetike është krejt e natyrshme të hasim edhe ngjyrat e tjera, të shohim një kolorit nëpërmjet të cilit autori ndërton arketipat e imazheve. Arketipat e tilla te recipienti marrin forma e trajta, përmbajtje e përbërje të nduarduarta, gjithnjë me intencën e dhënies së mundësisë së ripërkthimit të tyre në kuptime dontative të ligjërimit poetik, duke tejkaluar kështu, natyrshëm, gjuhën si mjet me funksion konotativ. Autori ndërton perspektiva të veçanta perceptimi dhe ato në disa raste i shoqëron me ide e koncepte dhe, në disa raste të tjera, edhe me e qëndrime vetjake jokanonore me qëllim të ndërtimit të tablove sa shpirtërore aq edhe konkrete. Nëpërmjet procesit krijues ai ngre dinstinkcionin ndërmjet reales dhe sureales, utilitares dhe pragmatikës, të vërtetës dhe imanencës së qenies njerëzore për ta sëndërtuar lirinë, të cilat më pastaj i rikomponon për të funksionalizuar shenja të reja komunikuese në raport me vlerat universale të shoqërisë njerëzore, pa harruar sistemin dinamik të artit si veprimtari krijuese estetike.

Arketipat e imazheve poetike nuk janë njëngjyrëshe, siç janë titujt e disa poezive të këtij vëllimi, fjala vjen, siç janë shtatë poezitë e ciklit “Shtatë pamje dhe një legjendë”: E bardhë, E zezë, E përhirtë, E Gjelbër, E kaltër, E kuqe, E verdhë, apo edhe poezia “Dele e zezë”. Ngjyrat në duart e poetit janë mjete, përkatësisht njësi fonologjike dhe leksema autonome, komponimi i të cilave në telajon poetike i hap udhë për ta zbuluar sintezën e të kundërtave dhe, para së gjithash, elementin e ndjeshmërisë dhe ontologjinë e qenies.

Elementi i ndjeshmërisë shpërfaq konceptin për veçantitë etno-psikologjike, socio-kulturore e identitare (të njeriut të këtij nënqielli), siç është cikli “Shtatë letra” dhe shumica e poezive të ciklit “Shtatë herë Shkupi”, apo edhe poezi të tjera të shpërndara nëpër të shtatë ciklet poetike, përfshirë gjithmonë këtu edhe poezitë që për tituj kanë emërvendet, siç janë: Shqipëria, Nishi, Shkupi, Mitrovica Kosova.

Linja ontologjike, ndërkaq, përfaqëson premisat dhe kontekstet e diskursit universal të ekzistencës njerëzore që vijnë nëpërmjet paradigmave shoqërore-historike, por edhe si referenca të të pavetëdijshmes kolektive apo të kulturës dhe kujtesës antropologjike, e që në këtë rast do të veçoja ato poezi që ndërtohen me figura të njohura e mbase edhe të shumëpërdorura jo vetëm në poezinë e letërsisë kombëtare, por edhe gjithandej në letërsitë e huaja, pra figura që vijnë nga mitologjia, letërsia klasike a moderne, apo religjioni, siç janë: Kali i Trojës, Penelopa, Artemida, Itaka, Zoti e ndonjë tjetër.

Duke qenë se në librin “Linga e heshtjes” hapësira dhe koha nuk janë apriori kategori tematologjike e as e subjektit, poeti, sublimon disa bashkësi raportesh të stabilizuatra në aspektin e sintagmave kohore, me ç’rast i ballafaqon shënjuesit kohor duke krahasuar raportin objekt-subjekt, kujtoj këtu poezinë “Hija e qershisë”, të cilit objekt poeti në cilësinë e subjektit lirik i thotë: “Ty të mbaj mend të vogël sa unë pesë vjeç”/ për të vazhduar më pastaj “Ti u rrite kaq shpejt e unë mbeta i vogli yt”, apo poezitë “Fundi i asaj të diele”, “Një e diel si ajo” etj). Bujar Salihu bën edhe të kundërtën, nga përvoja krijuese subjektive fragmenatarizon linjën e temporalitetit dhe nëpërmjet këtij mekanizmi krijon sekuenca kohore adaptibile, të cilat marrin kuptimësi referenciale, madje ndonjëherë dhe kalendarike për krijuesin dhe për vetë subjektin lirik, siç ndodh te poezitë përkushtuese për dëshmorët, heronjtë, personalitetet e ndryshme, për poetët e krijuesit e tjerë dhe, sidomos, këtë segment e gjejmë të poezitë: “Ta kesh atdheun tënd”, “E përjavshme”, “Një natë me shi”, “Dita jote e fundit”, “Buka”, “Vjershë e vashës në vjeshtë”, “Fundi i vjeshtës” etj.

Poeti Bujar Salihu, kështu, nëpërmjet copëzimit dhe rivijëzimit temporal dhe hapësinor ndërton formën e ekzistencës së qenies estetike dhe njëkohësisht me largimin nga ky diskurs përfiton formësimin e strukturës transcendentale mendimore. Prandaj, nëse për Morris – arti është ligjërim për të komunikuar vlera, oksimoroni i objektit letrar “Linga e heshtjes”, pas konsumimit estetik do të lexohet si linga e komunikimit, përkatësisht si cingarja e cila e thyen heshtjen dhe të thërret për bashkëbisedim. Me fjalë të tjera, të flasim nëpërmjet heshtjes. Kjo gjuhë shprehëse, realisht është ajo që Ivan Amstrong Riçards e quan shqisa komunikuese e veprës së artit me recipientin.

Të falemnderit, shoq! Meqë jo më shtati, t’u shtoftë bibliografia!

 

Alketë, për ta larguar publikun nga politika, duhet t’i lexojmë poezi.

 

FRYMA JOTE

Valbonës

 

Është shi i vaktë mbi lëndinë të njomë puthjesh plot pëshpërima

Luleshpatë e lagur që më merr si në shtrat ujëvarash me furi

Kuverta më e lartë që në rrebesh valësh frymë dalldie më jep

Pështjellë degëza të gjalla foleje shpirtit tënd si në përralla

Prilli ynë ma kujton vjershën e parë të vënë mbi hartën tonë të re

Veç puthjes sate magjike edhe buza jote trëndafil i çelur në baladë

Marrëzisht lundron si hyjneshë mbi oqeanin tim të trazuar në epsh

Dritë e virgjër në mesnatë fytyra jote regëtin detit tim të brishtë

Sa shpesh përfytyroj shtrëngimin e gjoksit tënd të përflakur

Dhe kam frikë lojën në ëndërr si kalorës klithmash në ato shtrëngata

Po vetëm ti di të më bësh qenie të bekuar vullkan të gjallë

Që dallgë-dallgë vjen plot stërkala shtatit tënd të bardhë

Qershi kristali që ka lulëzuar pas shiut të parë të pranverës sonë

Më lëmon me duart e buta shpirtit si uji i përroskës gurin e bardhë

Mbi pemën tënde të pjekur fluturoj si zog futem në çdo thellësi

Kthehem vonë shkruaj për dritën që më zbardh pa vënë gjumë në sy

Ti je guri im i alkimisë që të ri e të gjallë më mban për jetë e mot

Në më mbajte brenda shpirtit legjenda për mua rrënon çdo mit

Unë të kam vënë në majë shtize si qershinë që piqet e para nëograjë

Ti faqehënë dritë e flakë e pafikur brenda shpirtit tim bujar

 

Të falemnderit, Alketë!

 

Flamur Malokun e kam koleg të bibliotekës. Është profesor në Gjilan dhe në Prishtinë. Është poet dhe kritik. Aq sa ka shkruar libra me poezi, aq ka shkruar edhe me kritika. Nganjëherë, në katin e katërt të kësaj biblioteke, thias e çojmë. Por, pas çdo vështirësie, na vjen njëfarë lehtësimi, se njëri prej nesh lëshojmë pe dhe i grahim punës, ky në të vetën, unë në timen. Ta shohim sot, çfarë të mira e të liga ka gjetur në “Ligën e heshtjes”. Urdhëro!

 

 

Flamur Maloku

 

Bujar Salihu dhe poezia e heshtjes

 

Poeti  është njeri në radhë të parë, njeri i arsyeshëm, krijues i kohës së dhembjes, hije e mbrojtje e fjalës,  ku fjala dhemb më shumë se çdo forcë tjetër në gjuhën poetike të tij. Me këtë frymë e arsye personale ai i hap rrugë poezisë, fillimisht atë e krijon për vete, për ta shpërndarë pastaj edhe përtej kufijve,  kërkon kudo ku syri mund ta gjejë atë, si rrugë shpëtimi për ta mundur errësirën e kohës, që krijon dhe sprovon përbrenda veprave poetike trajtën e llojit, një gërshetim i lidhur sa personal po aq edhe njerëzor. Nga perceptimi i dëshmuar poetik, Bujar Salihu, ekonkretizon gjithnjë formën e dhembjes, ku një formë tjetër e dhembjes, bëhet një kuptim tjetër i një forme tjetër dhembjeje, sa personale po aq jetësore. Duke qenë ky argument i prekshëm e tepër sfidues përballë kësaj, Bujar Salihu është ai që identifikon fuqishëm emocionin, që bëhet zë , zë i fortë. Poezia për poetin bëhet formë e përjetuar shumëfish duke marrë emërtime të pafundme, çdoherë duke eksplikuar figurën e tekstit dhe të gjuhës. Semantika e poezisë së Salihut,  tashmë e ka krijuar figurën, temën e saj  kudo e për këdo lexues të pasionuar. Pra, lexuesi do të dialogun më çdo varg, sepse, poeti ai nuk flet vetëm me shpirtin, i drejtohet shpirtit, pa e përcaktuar drejt se kush mund të ishte ky shpirt, hyjnor a njerëzor, po më shumë se një ngushëllim i qe fjala si një kapërcim përtej çdo parashikimi tjetër qoftë ai. Kudo shqisa e lexuesit prek emocionin e njëjtë të çdo poezie, leximi të jep kënaqësi, sepse paraqet kohën e në të cilën zhvillohej ai dhe poezia e heshtjes. Kjo nuk është rastësi, Bujar Salihu e kërkon rrugën e kësaj zgjidhjeje, daljen nga trishtimi, madje edhe daljen nga mundimi i heshtjes, por ky udhëkryq i ngjeshur variantesh sikur e lidh së brendshmi temën nga njëra te tjetra dhe rigjen sërish Heshtjen personal. Shtresimet esenciale të gjuhës së zgjedhur, vargun e stilin i bën në mënyrën kodike, si një shifër rubikoni që veç ai e di zgjidhjen, mbase, e që veç ai hyn e del brenda këtij kodi sa poetik aq edhe kuptimor, po aq magjik e emocional.”Emocioni i fortë e bën të dallueshme këtë shenjë personale e intime të tij, pra të gjuhën e tij, heshtjen e tij.

Bujar Salihu, nga gjeografia e heshtjes, metaforat e përdorura  nuk janë thjesht figurë stili, po veçori e llojit të vet, frymë e frymëzim, gërshetim, simbol, rimë e melodi, akt pafundësie, gërshetim emocional i lidhur fort pas leximit të çdo vargu. Nga shprehjet e metaforizuara, shkrimtari rigjen përjetimin e rëndë, brenda tekstit gjuhë e metaforizuar zbulon shpirtin e tij, ashtu të rënduar emocionalisht pothuajse në tërësi. Metaforat janë të konceptuara si të tilla përbrenda tekstit, poetika bashkë me emocionin të lë pa frymë me kuptimësinë, me lirinë e të shprehurit dhe rolin e saj, madje jo vetëm në tekst. Por, nga ky relacion, leximi i poezisë përherë përqafon mundësinë e interpretimeve të shumta, duke shënjuar para së gjithash idenë për veprën me kohë para leximeve si një dritare drite, dhe si një rrugë për interpretim gjithandej. Është kjo strategji e veçantë poetike e Salihut për ta futur në “lojë” lexuesin, për të bartur tek ai peshën metaforike. Aluzionet e poezisë shtrihen në një atmosferë hipotetike jetësore, ku çdo gjë shndërrohet në dilemë kohe e heshtje.

 

Qofsh faqebardhë, Flamur!

 

Alketë, edhe një (të parafundit), se po më duket po ka qejf publiku.

 

LEGJENDË PËR VASHËN

 

Mëngjeseve kur zgjohet t’i lajë sytë me vesë ëndrre

Djalosh mos shko t’i vdesësh te këmbët

Se i terrohen sytë e mbetet e verbër tërë jetën

Po e pe duke pirë ujë nën rrënjët e njoma të lulishtes

Mos u lidh si gjarpër tinëzar për belin e saj të hollë

Ajo dashurinë e meriton në sy pa asnjë flutur në mes

Po ia preu udhën macja e zezë ajo e zeza fatprera

Ti mos u fut në ëndrrën e saj si shigjetë e nëmur

Pranë saj nuk kalohet me myshkun e tharë të hamendjes

Po e gjete fjetur pranë lisit të vrarë nga rrufetë

Mos i pëshpërit asnjë fjalë të vetme për shiun që ra mbrëmë

Legjenda për vashën s’mund të mallkohet ajo është shi

Përtej magjisë së zezë dhuntia e dashurisë për vashën

E ka çmimin më të shtrenjtë shijen dhe prehjen më sublime

 

Të falemnderit, Alketë!

 

Bujar, në Prishtinë ka rend, e rendi të erdhi tash. Por, rri edhe pak aty, se dua t’i them edhe dy-tri fjalë.

26 vjet më parë, në moshën 22 vjeçe, një libër me poezi e botoi në dy gjuhë, në shqip dhe në frëngjisht. Pas botimit të librit të parë më 1994, i botoi edhe dy të tjerë dhe, me disa autorë shqiptarë, foli në disa gjuhë pasi disa përgatitës hartuan antologji me poezi shqipe. Veçantitë e tij letrare i kemi vënë re qëmoti, por edhe i kanë zënë ngoje Ali Podrimja, Shaip Beqiri, Mustafë Xhemaili, Arif Molliqi, Faik Shkodra, Xhemail Ahmeti, Nexhat Rexha e ndonjë tjetër që tash s’po më kujtohet. Prandaj, duke pasur veçanti më tepër se disa poetë të tjerë e duke qenë poezia e tij objekt krahasimi me atë të Agron Tufës, Luljeta Lleshanakut, Beqë Cufajt, Valdet Berishës, Donika Gashit, Muhamet Mavrajt, Xhavit Beqirit, Luljeta Arapit, Rrahman Paçarizit, Ervin Hatibit etj., disa poezi të Bujar Salihut i kemi botuar në revistën Akademia. Po ia pranojmë edhe ne se shkruan bukur poezi. Por, duam të dimë një gjë nga Bujari sa t’i zë ngoje dy shkrimtarë.

Kam njohur dy shkrimtarë të Kosovës, një ndër ta Ragip Sylaj, ndjesë pastë!, të cilit i pata botuar dy libra. Kur i jepja librin që dilte nga furra, më thoshte: Sa herë botoj libër të ri e pres me gëzim si lindjen e fëmijës. Një tjetër shkrimtar, edhe ai i vdekur, Musli Berisha, ndjesë pastë!, i cili ndërroi jetë nga Covidi vitin e kaluar, më thoshte se nuk di në jam gëzuar më shumë kur jam martuar apo kur botova librin e parë. Në qoftë burrë, të dalë këtu të flasë, të deklarohet para nesh ose të heshtë përgjithmonë, të na tregojë si e ka pritur Bujar Salihu “Lingën e heshtjes”, si lindjen e fëmijës apo si martesën me Valbonën? Urdhëro, Bujar!

 

Bujar Salihu

 

Familjarë, miq, dashamirë, shokë, ju falemnderit që morët pjesë në këtë promovim të librit. Më bëtë të ndihem shumë mirë. Falënderoj edhe referuesit për fjalët e mira dhe të zgjedhura, botuesin për punën korrekte, redaktorin e librit dhe Alketën për recitimin e poezive.

Ju falemnderit shumë!

 

Urime, Bujar! Shëndet dhe mbarësi!

 

 

Alketë, vetëm edhe një!

 

NË VEND TË PASTHËNIES

 

Ky mund të mos jetë libri i pritjeve të mia

Mund të mos jetë as i shijes sate

Mund të mos u jetë bindur teorive

Kornizave projeksioneve të hijëzuara

Fabulës metrikës e makthit të meditimit

Shpesh për një presje a fonemë të vetme

Është rishkruar e tëra që ishte shkruar mbrëmë

Ka ndodhur të derdhej

Kallamari rrëke mbi fletët e bardha

Pa mundur të hidhej as një fjalë e vetme

Ky është një fragment i shkurtër i librit të shpirtit

Që s’deshi të kalbej si lëmsh drithërues në mua

Dhe tani më në fund pas gati njëzet vjetësh

Duket se u shkrua libri që nuk po shkruhej

 

Tash, miq, një nga një me radhë, pa e shtyrë njëri-tjetrin me bërryl si Xhavit Haliti Arben Gashin në Kuvend, zbrisni këtu poshtë të merrni libër me autograf nga Bujari, kurse unë me Ademin, Eminin, Flamurin po dalim të hamë pak bukë jashtë. Ju presim në sofër, aty në holl.

Ju falemnderit që latë mënjanën punën e përditshme e na u bashkëngjitet në këtë festë të librit!

Mirë u takofshim në promovime të tjera!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryestari i PDSH-së në Preshevë, Ragmi Mustafa, ka deklaruar se…