
Lirohen 28 të akuzuarit për korrupsion dhe vepra tjera penale në rastin e ‘Patentëshoferëve’
Gjykata Themelore në Prishtinë i ka liruar nga akuza për korrupsion dhe vepra tjera penale 28 të akuzuarit në rastin e njohur si “Patentshoferët”. Ata janë liruar pasi nuk është provuar se kanë kryer veprat penale për të cilat janë ngarkuar.
Aktgjykimi lirues është shpallur të premten nga kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku.
Sipas gjykatëses Dermaku, gjatë rrjedhës së procedurës, gjykata ka marrë aktvendim me të cilin ka revokuar vendimin e gjyqtarit të procedurës paraprake, të dëshmitares bashkëpunuese Adleina Gashi, dhe ka shpallur provat të papranueshme – konkretisht, masat e fshehta të përgjimeve, pasi ato janë marrë pa aktvendim për fillimin e hetimeve. Kjo për shkak se personave kundër të cilëve janë lëshuar urdhrat, u janë ditur të dhënat personale.
Sipas saj, gjykata ka konstatuar se masa për sigurimin e veprës penale, edhe pse është realizuar përmes një personi të infiltruar, është ndërmarrë pa aktvendim për fillimin e hetimeve, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ajo ka shtuar se kjo aktakuzë është ngritur mbi bazën e masave të fshehta. Të pandehurit nuk i dinë veprimet inkriminuese, ndërkohë që aktakuza është përpiluar në mënyrë të përgjithshme, përkundër faktit që ajo është kthyer për plotësim.
Ndryshe, në seancën e 14 qershorit 2023, 28 nga 31 të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm për akuzën e ngritur më 31 mars 2021 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë. Në këtë rast, për korrupsion dhe vepra tjera penale akuzohen: Naser Llugaliu, Filloreta Ajvazi, Flora Ferizi, Adem Binakaj, Leurat Shehu, Agim Restelica, Flamur Lekaj, Shaban Zuka, Eduard Brahimaj, Dragan Zhivkoviq, Naser Bislimi, Azem Miftari, Labinot Ajeti, Magbule Mehmeti, Avdush Topalli, Premtim Topallli, Selim Rrustemi, Fatos Ferizi, Besfort Pozhegu, Naim Thaqi, Sylë Bejta, Ekrem Latifi, Dritmir Islami, Murtez Rama, Hasan Hasani, Milazim Demolli, Lindita Hoxha, Enver Fazliu, Burim Jashari, Fejzullah Ejupi dhe Bashkim Jetullahu. Për Burim Jasharin, Fejzullah Ejupin dhe Bashkim Jetullahun, procedura penale ishte veçuar (për secilin veç e veç).