Lirohen të lënduarit nga aksidenti mes veturës së policisë e një taksie

05 janar 2026 | 20:29

Katër të lënduarit nga aksidenti i rëndë që ndodhi në mesnatë mes veturës së Policisë së Kosovës dhe të një taksie në Prishtinë, janë liruar nga Klinika Emergjente e QKUK-së pas trajtimit shëndetësor.

Kështu ka konfirmuar për RTK-në zëdhënësja e QKUK-së, Mirlinda Qyqalla.

“Personat e aksidentuar ditën e djeshme me 4 janar 2026 janë paraqitur për trajtim mjekësor në Kliniken Emergjente te QKUK. Pas ekzaminimeve dhe ofrimit të trajtimit mjekësor gjendja e tyre shëndetësore është vlerësuar stabile nga mjekët. Te gjitha rastet e te aksidentuarve janë liruar nga klinika emergjente e QKUK-së”

Nga Policia e Kosovës i kanë thënë RTK-së se ende nuk dihen shkaqet se si ka ardhur deri tek aksidenti, por që janë duke mbledhur edhe pamje nga kamera të tjera si prova lidhur me këtë rast.

Njohës të komunikacionit e vlerësojnë shqetësues numrin e aksidenteve në trafik.

“Në kushte të dimrit mund t’i parandalojmë aksidentet në komunikacion duke zhvilluar shpejtësinë e sigurisë në bazë të kushteve të krijuara, duke mbajtur distancën e sigurisë dhe duke respektuar përparësitë e kalimit në bazë të rregullave të caktuara”, tha Nol Deda, ekspert i komunikacionit.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës në 24 orët e fundit janë regjistruar 52 aksidente trafiku.

Në këtë periudhë nuk është shënuar asnjë aksident trafiku me fatalitet, ndërsa janë regjistruar 19 aksidente me të lënduar dhe 33 të tjera me dëme materiale.

Policia ka vazhduar zbatimin e rregullave në komunikacion, ku brenda një dite ka shqiptuar gjithsej 2 244 gjoba trafiku.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka bërë përditësimin e të…