Pas gati 7 viteve, Gjykata Themelore në Prishtinë paska marrë vendim për rastin e veteranëve!
Për ata që kanë mashtruar, gënjyer, shpifur si dhe për ata që kanë futur duart në rast, mos u bëni marak, sepse Apeli e kthen rastin përsëri në rigjykim!
Miq, ky më poshtë është ligji me të cilin është bërë kategorizimi i veteranëve të UÇK-së, për të cilin qëllimisht anëtarët e Komisionit Qeveritar dhe avokuesit e tyre kanë tentuar të manipulojnë opinionin publik.
Neni 3 i Ligjit Nr. 04/L-261 – Përkufizimet
1.3. Veteran i UÇK-së – pjesëmarrës në luftën për çlirimin e Kosovës si:
• 1.3.1. Invalid i luftës së UÇK-së – luftëtari, pjesëtari dhe i internuari (i burgosuri) i UÇK-së, i cili ka pësuar plagë, lëndime (dëmtime) fizike dhe psikike apo sëmundje të rënda gjatë luftës ose në burgjet dhe kampet e armikut, gjatë periudhës së luftës, me shkallë të invaliditetit së paku 10%.
• 1.3.2. Veteran luftëtar i UÇK-së – qytetari i Kosovës dhe shtetasi i huaj i cili është radhitur në radhët e UÇK-së dhe është regjistruar si ushtar i armatosur dhe i uniformuar nga komandat, shtabet e zonave operative të UÇK-së, përkatësisht Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, dhe ka qenë aktiv deri në përfundimin e luftës.
• 1.3.3. I internuar i UÇK-së – secili person i cili, për shkak të veprimtarisë së tij si pjesëtar i UÇK-së, është arrestuar gjatë periudhës 1997–1999 dhe mbajtur në burg nga forcat e Serbisë.
• 1.3.4. Pjesëtar i UÇK-së – çdo person i cili, me vendim apo akt tjetër, është caktuar të kryejë detyra konkrete në mbështetje politike, logjistike, financiare dhe detyra të tjera, të marra nga komandantët e njësive, shtabeve dhe zonave të UÇK-së, përkatësisht Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, gjatë periudhës 1997–1999.
• 1.3.5. Pjesëmarrës në luftë – ushtari që është radhitur në radhët e UÇK-së, ka qenë i angazhuar në mënyrë aktive për të kontribuar në luftë, por për arsye të ndryshme i ka lëshuar radhët e UÇK-së para përfundimit të luftës.
• 1.3.6. Ushtar i zhdukur (i pagjetur) i UÇK-së – veterani ose pjesëtari i UÇK-së, fati i të cilit ende nuk është zbardhur.
Të gjitha këto kategori të lartcekura janë veteranë dhe duhet të vlerësohet e respektohet kontributi i secilit!
Sipas Ligjit Nr. 04/L-261, të gjitha kategorive të sipërpërmendura u garantohen beneficione dhe përparësi, por PAGESË/PENSION, sipas këtij ligji, marrin vetëm Invalidi i luftës së UÇK-së dhe Veterani luftëtar i UÇK-së — dhe pikërisht KJO pagesë/pension ka qenë pika e kthesës ku procesi ka devijuar seriozisht!
Përkufizimi dhe kategorizimi i lartcekur është produkt 100% i Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranit të UÇK-së, i cili në fazat e mëvonshme të verifikimit, bashkë me mekanizmat e tij, e ka zbatuar këtë ligj sipas dëshirës!
Miq, manipuluesit dhe avokuesit e tyre qëllimisht e përdorin vetëm shprehjen VETERANË në debate publike, me qëllim që të krijojnë mjegull dhe shfajësim, duke e shmangur kategorizimin e tyre, ani pse e dinë shumë mirë që pension, sipas këtij ligji, marrin vetëm dy kategori: Invalidi i luftës së UÇK-së dhe Veterani luftëtar i UÇK-së.
Kështu thotë ligji e të tjerat janë dëshira, e para se të bëhej ligj ka thënë ky Komision, i cili më vonë është penduar… por ka qenë vonë!
VAZHDON!

Listat e veteranëve, ish-prokurori Blakaj ka një paralajmërim për mashtruesit
16 korrik 2025
| 08:37
Ish-prokurori special, Elez Blakaj, ka reaguar për marrjen e vendimit nga ana e Gjykatës Themelore, lidhur me rastin e listave të veteranëve të luftës.
Përmes një postimi në Facebook, Blakaj thotë se për ata që kanë mashtruar, gënjyer, shpifur dhe futur duart në rast, Apeli do ta kthejë rastin përsëri në rigjykim.
Duke prezantuar ligjin përmes të cilit bëhet kategorizimi i veteranëve të UÇK-së, Blakaj thotë: “Miq, manipuluesit dhe avokuesit e tyre qëllimisht e përdorin vetëm shprehjen veteranë në debate publike, me qëllim që të krijojnë mjegull dhe shfajësim, duke e shmangur kategorizimin e tyre, ani pse e dinë shumë mirë që pension, sipas këtij ligji, marrin vetëm dy kategori: Invalidi i luftës së UÇK-së dhe Veterani luftëtar i UÇK-së.”
Kujtojmë se ish-prokurori Blakaj ka qenë përgatitës i aktakuzës për rastin e listave të fryra të veteranëve dhe për një kohë i ka hetuar ato.
Ky është postimi i plotë i tij: