
Lladrovci për drejtuesit e PDK-së: S’kam nevojë me fol me askënd prej tyre
Kryetari aktual i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka thënë se nuk ka kontaktuar me asnjë prej udhëheqësve të Partisë Demokratike të Kosovës pas të dielës, kur Kryesia e kësaj partie ka vendosur për “rrëzimin” e rikandidaturës së tij për kryetar të Drenasit.
Në një deklaratë për “Tëvë1”, ai ka thënë se “nuk ka nevojë” të flasë me drejtuesit e partisë, të cilët të dielën kanë vendosur për nominimin e Petrit Hajdarit si kandidat të PDK-së në garën elektorale në Drenas.
“Unë nuk kam folur me kërkond dhe s’kam asnjë nevojë me fol me askënd”, ka thënë Lladrovci.
I pyetur nëse do të rikandidojë edhe për një mandat për kreun e komunës, Lladrovci ka thënë se këtë çështje e ka bërë të ditur në një reagim në rrjetet sociale. “Besoj që janë të mjaftueshme ato që i keni parë në rrjetet sociale dhe ta kuptoni (a do të rikandidojë)”, ka thënë ai.
Menjëherë pas mohimit të kandidaturës së tij për kryetar nga Partia Demokratike e Kosovës të dielën, Lladrovci ka paralajmëruar shpalljen e kandidaturës si i pavarur. Në postim në “Facebook”, ai ka shkruar: “Qytetarët e komunës së Drenasit e kanë fjalën e fundit, bashkë, vazhdojmë, +4!”.