
Lladrovci për liderët e UÇK-së: Po përballen me akuza të shpifura
Ramiz Lladrovci, kryetar i Drenasit, është deklaruar për zhvillimet në Hagë lidhur me ish-krerët e UÇK-së, duke thënë se këta të fundit janë duke u përballur me akuza të rënda dhe të shpifura. I pari i Drenasit ka thënë edhe se dita e djeshme ishte ditë me pritshmëri të mëdha për të dhe për të gjithë ata që kanë dhimbje dhe njohuri të ecurisë së deritashme të këtij procesi.
I njëjti ka deklaruar se vëmendja për zhvillimet atje është maksimale.
‘‘Vëmendja për zhvillimet në Hagë është e maksimale!
Dita me dinamikë, ku ngjarja e përcjell ngjarjen, ndodh që t’i mbetem borxh opinionit, rreth ngjarjeve me peshë të jashtëzakonshme. Unë, dje e pata një intervistë, ku kisha ndërmend të jap një deklaratë rreth procesit që po zhvillohet në Hagë. Dita e 16 Korrikut, ishte ditë me pritshmëri të mëdha, për mua dhe për të gjithë ata që kanë dhimbje dhe njohuri të ecurisë së deritashme të Dhomave të Specializuara në Hagë, kundër heronjve tanë të luftës dhe paqes. Në Hagë, në betejën e fundit për të drejtën tonë për t’u mbrojtur dhe për të qenë të lirë nga okupimi serb, me akuza sa të rënda aq të shpifura po përballen Hashimi, Kadriu, Jakupi, Rexha dhe të tjerët. Beteja është e pabarabartë dhe e stërzgjatur si proces. Armët juridike nuk janë të njëjta’’, ka deklaruar ai.
Tutje, ai ka theksuar se raporti i Martit po duket qartë se është sajesë, dhe se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi dhe të tjerët, kanë qenë, janë dhe mbeten heronj të luftës dhe paqes.
‘‘Është e qartë se Raporti i Martit, është sajesë, me mungesa të besueshmërisë dhe fakteve të prezantuara nga dëshmitarët, siç e tha njëri nga mbrojtësit “dokumentet në Hagë kanë gjurmë të gishtërinjve serbë”. Hashimi, Kadriu, Jakupi, Rexha dhe të tjerët, kanë qenë, janë dhe mbeten heronj të luftës dhe paqes. Ata, si bijtë më të devotshëm të kombit, krijuan histori, ndërsa në Kosovën e çliruar, morën përsipër edhe një sakrificë, krijimin e Dhomave të Specializuara për të larguar retë e zeza mbi Kosovën’’, ka shkruar ai tutje.
Në fund, ai ka shkruar se pret që shpifjet kundër UÇK-së dhe udhëheqësve të saj të marrin përgjigjen e merituar.
‘‘Pres të fitojë drejtësia dhe shpifjet kundër UÇK-së dhe udhëheqësve të saj të marrin përgjigjen e merituar. Pavarësisht zhvillimeve në komunë dhe në vend, vëmendja ime për zhvillimet në Hagë është maksimale dhe një pjesë e zemrës së Kosovës, ndodhet padrejtësisht e ndaluar në Hagë!’’, ka përfunduar ai.