“Lufta” e vaksinave! Përse liderët europianë nuk lejojnë eskportin e dozave jashtë BE

06 mars 2021 | 00:36

Deri një vit më parë mbyllja për shkak të pandemisë së COVID-19 ishte një skenar i paimagjinueshëm dhe askush nuk mund të parashikonte pasojat katastrofike socio-ekonomike që politikat e mbylljes i kanë sjellë shteteve të ndryshme në botë. Papunësia, depresioni dhe në disa shtete uria janë një kërcënim më prezent sesa një vit më parë, ndaj është tejet e kuptueshme se përse shtetet po bëjnë të pamundur për të mundësuar vaksinimin e popullsisë së tyre dhe sigurimin e rikthimit në normalitet sa më shpejt të jetë e mundur.

Teksa sasia e vaksinave është ende e limituar “Lufta e Vaksinave” nuk është subjekt i një novele fantastiko-shkencore, por një realitet i politikës ndërkombëtare. Liderët e BE nuk e kanë fshehur faktin se janë kundër idesë që vaksinat që ndodhet në bllok të dalin jashtë tij, qoftë edhe për vende që janë prekur shumë herë më tepër se Europa dhe që kanë nevojë për solidaritet nga shtetet më të zhvilluara.

Fillimi i “embargos” erdhi nga Italia e cila nuk lejoi eskportimin e 250,000 dozave vaksinë drejt Australisë. Ministria italiane e Shëndetësisë e ka justifikuar vendimin me faktin se nivelet e infektimeve nuk kanë rënë në vend dhe sistemi shëndetësor ndodhet nën kërcënimin e tejkalimit të kapaciteteve.

“Vallen” e Italisë e ndoqi dhe Franca e cila ndoqi shembullin e Romës dhe me anë të presidentit Emmanuel Marcon e tha në mënyre eksplicite se asnjë dozë vaksina AstraZeneca që ndodhet në dispozicion të saj nuk do të dërgohet jashtë bllokut europian.

Situata u përkeqësua kur vaksinat u përdorën si një mjet negociate nga ana e kryeministrit britanik Boris Johnson për të marrë terma të favorshëm në divorcin mes Londrës dhe Brukselit. Johnson e kushtëzoi eskportimin e vaksinës e cila krijohet në Oksford të Anglisë, me koncesione nga ana e bllokut për procesin e Brexit.

Kjo nuk do të thotë se BE është kompakte dhe solidare brenda vetes. Shtetet e lindjes kanë pasur një krizë shumë të madhe sanitare edhe në krahasim me vendet e perëndimit, por megjithatë ende nuk kanë marrë asnjë vaksinë nga Brukseli zyrtar çka ka shtyrë tashmë dy shtete të rajonit, Hungarinë dhe Republikën Çeke që të kthejnë sytë drejt Kinës dhe të furnizohen me vaksinën e saj.

Dukshëm, situata e papritur detyroi liberalizmin ndërkombëtar të bëjë shumë hapa prapa dhe e riktheu kontinentin në një real-politikë makiaveliste ku çdo shtet dhe rajon kujdeset më parë për veten dhe më pas angazhohet me parime si drejtësia dhe solidariteti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Jemi të gatshëm që të bashkëpunojmë me opozitën për t’i…