
Lufta për kontrollin e Arktikut po përshpejtohet – dhe është më e rrezikshme se kurrë
Për Moskën, Arktiku është thelbësor për mbrojtjen bërthamore dhe për projektimin e forcës. Por, ndërsa Rusia ka interes që të ruajë një nivel të ulët tensionesh për të mos shpërqendruar vëmendjen nga lufta në Ukrainë, retorika e saj agresive dhe prania ushtarake në rritje kanë shkaktuar alarm në vendet e NATO-s që kufizohen me Arktikun.
Sipas shërbimit norvegjez të inteligjencës, potenciali për përshkallëzim të konfliktit në këtë zonë është më i madh se kurrë më parë.
Kina dhe “Rruga Polare e Mëndafshit”
Kina, edhe pse pa dalje direkte në Arktik, është vetëdeklaruar si “shtet afër-Arktikut” dhe po rrit gjithnjë e më shumë aktivitetin e saj në rajon. Me ndryshimet klimatike që hapin rrugë detare të reja, Kina sheh në Arktik një mundësi për të zhvilluar një “Rrugë Polare të Mëndafshit” një korridor më i shkurtër për tregtinë drejt Europës në krahasim me kanalin e Suezit.
Për këtë qëllim, Pekini ka shtuar flotën e tij të anijeve akullthyese dhe ka zhvilluar bashkëpunime shkencore dhe ekonomike me disa vende arktike. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara dhe vendet europiane shprehin shqetësim për një “normalizim” të pranisë kineze në rajon, ndërsa Rusia, edhe pse ka bashkëpunuar me Kinën në patrullime detare, është gjithashtu e shqetësuar për ndikimin në rritje të Pekinit në një zonë që e konsideron sferë të vetën ndikimi. Lufta e fshehtë: spiunë, dronë dhe tension aleatësh
Përveç përballjeve të hapura ushtarake, Arktiku është gjithashtu një fushë e nxehtë për aktivitetet e inteligjencës. Rusia ka akuzuar vendet perëndimore për spiunazh, ndërsa vende si Norvegjia kanë raportuar për dronë të dyshimtë dhe arrestime të agjentëve të infiltruar. Në anën tjetër, SHBA janë akuzuar nga vetë aleatët e tyre, si Danimarka, për grumbullim të të dhënave të ndjeshme në territorin e Groenlandës. Nga “tension i ulët” në fushëbetejë e hapur?
Dikur motoja për rajonin ishte “Arktiku i Lartë, tension i ulët”. Por ky realitet po zëvendësohet nga një logjikë tërheqjeje armatimesh, konkurrencë ekonomike dhe përplasje të fshehta. Ndërsa fuqitë e mëdha përplasen për territor, pasuri natyrore dhe ndikim strategjik, rreziku për një përplasje të madhe në këtë cep të ftohtë të botës po bëhet gjithnjë e më real.