Luftëtar dhe komandant në luftën për çlirim

21 qershor 2021 | 15:13

Shkruan: Azem SYLA

(Një vlerësim i shkurtër për jetën dhe veprën e Xheladin Gashit – Plakut)

Në Kosovë dhe në gjithë territoret e pushtuara nën Jugosllavi është luftuar pa ndërprerje. Dhe kjo luftë e vijueshme ka pasur gjithnjë luftëtarët dhe komandantët e saj. Ka pasur dëshmorët dhe heronjtë e saj, ka pasur gjithë pasurinë e shpirtit liridashës të kombit. Njëri ndër këta heronj ishte edhe Xheladin Gashi – Plaku.

Xheladini ishte një njeri me vlera të veçanta. Ai ishte njeri që nuk ndalej dhe nuk trembej, i gatshëm që të merrte përgjegjësi dhe të rrezikonte, që bënte të gjitha përpjekjet të ndodhej atje ku e lypnin interesat e atdheut e të kombit të tij, atje ku e lypnin vlerat e burrërisë e të forcës, për të bërë atë që ishte e nevojshme.

Rruga e tij jetësore shtrihet ndërmjet veteranit të arsimit, që bëri të gjitha përpjekjet për t’ua zgjuar ndjenjën kombëtare gjeneratave , ndonëse ishte arsimtar i biologjisë, deri te njëri ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Xheladin Gashi – Plaku, u lind më 25.05.1946 në fshatin Komoran. Prindërit e tij ishin babai Hysen Gashi dhe nëna Mejreme Gashi.

Që në fëmijëri Xheladini thonë se ishte shumë i qetë dhe  kureshtar të njihte jetën. Më ka treguar se në fëmijërinë e hershme nuk e kishte të qartë se çfarë ishte pushtimi, por kur dëgjonte në familje të flitej për vështirësitë e jetës dhe për peshën që krijonte pushtuesi me të gjitha mjetet mbi njerëzit të caktuar,  atij i kishte lindur një urrejtje kundër shtetit jugosllav.

Xheladini e donte shkollën. Prindërit e tij me sakrifica nuk e ndalën që ta angazhonin me punët e rëndomta të familjes, siç ishte zakon në përgjithësi në atë kohë, që në të shumtën e rasteve familjet e quanin kohë të humbur dërgimin e fëmijëve në shkollë. Por, prindërit e Xheladinit ishin shumë të përkushtuar pas punës, por e donin edhe dijen. Prandaj, kur kuptuan se djali i tyre kishte dëshirë të mësonte iu bënë krah, e nxitën të vijojë, i kërkuan të mësonte sa më mirë e të bëhej një ditë njeri me vlerë për vete dhe për familjen.

Kështu, Xheladin Gashi do të kryejë vitet e shkollimit fillor dhe do të vijojë shkollimin profesional për mësues në Prishtinë. Kishte shumë dëshirë të ishte mësues. T’ua mësonte fëmijëve të shkruanin e të lexonin shqip. Megjithatë ai në përgjigje të kërkesave të kohës, do të vijoj studimet e larta në Shkup, duke u bërë kështu arsimtar i lëndës së biologjisë.

Por qenia mësimdhënës  i biologjisë nuk e privoi Xheladinin nga detyra që ia kishte vënë vetes për t’u mësuar nxënësve të tij edhe historinë. Për t’u mësuar nxënësve të tij krenarinë e qenies shqiptar. Për të dhënë shembullin vet se si mund e duhet ta duam atdheun. Ai që në fillimet e tij të punës u përcaktua në ruajtjen, kultivimin afirmimin e vlerave kombëtare të nxënësve të tij.

Xheladini në çdo kohë do të gjente mënyrën të këshillonte e instruktonte edhe mësimdhënësit e tjerë, kryesisht të rinjtë, me qëllim që mësimi të bëhet sa më i drejtpërdrejtë dhe rezultatet të jenë sa më të kënaqshme. Dhe këtë e bënte duke mos menduar fare se mund të përcillet nga UDB-ja nëpërmjet veglave  të saj, pasi dihej se mësimdhënësit ishin të parët që mbaheshin nën vëzhgim thuajse të vijueshëm prej saj.

Xheladini punoi në shkollën “Bajram Curri”, në Nekovc (tash Nikaj), ku për një periudhë kohe ishte edhe drejtor po në atë shkollë, ku edhe unë isha arsimtar. Pikërisht këtu mund të them se ka qenë njohja më e afërt e imja me Xheladinin. Aty mësova se atë e karakterizonte vullneti shumë i madh për t’u dhënë dije gjeneratave. Për t’i bërë ata të aftë për jetën e të ardhmes dhe për t’i bërë ata të aftë për të marrë barrën e rëndë për çështjen e kombit.

Gjatë asaj periudhe arrita të kuptoj plotësisht shpirtin kombëtar të Xheladinit. Ashtu me një qetësi për t’u pasur zili, ai do të shpaloste mendimin e tij dhe vizionin që kishte për të ardhmen, të cilën kishte bindje se ishte e arritshme dhe se ishim ne ata që do ta realizonim çlirimin e vendit dhe vendosjen e drejtësisë mbi tokën tonë njëherë e përgjithmonë.

Duke qenë shok i tij, mund të them me siguri të plotë se e njoh gjithë aktivitetin e tij patriotik që në hapat e para të ecjes së tij në këtë drejtim. Por duhet thënë se ai prej vitit 1974 e në vazhdim, ishte futur plotësisht në radhët e organizimit ilegal për çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare.

Xheladini nuk pushoj kurrë së punuari për çështjen e pa zgjidhur kombëtare e njëherësh edhe për çështjen e Kosovës, si gjatë periudhës si pjesë e lëvizjes ilegale, si luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe si themelues dhe udhëheqës i Shoqatës “Miqtë e TMK-së”, të cilën e drejtoi deri kur u largua nga kjo jetë.

Xheladin Gashi ka qenë personalitet i shquar i Ilegales shqiptare, e cila ia ndryshoi kahen historisë shqiptare, duke i mbajtur gjithnjë armët ngjeshur për të luftuar për liri.

Duke e njohur që herët, e kam të vështirë të përcaktoj ku përfundon për Xheladinin puna e mësuesit dhe ku fillon ajo e veprimtarit ilegal, ku përfundon ajo e veprimtarit ilegal dhe ku fillon ajo e luftëtarit të lirisë. Është një jetë e ndërthurur jeta e tij, një jetë e mbushur plot me veprimtari, me hapa viganë dhe me veprime që na e sjellin në vazhdimësi Xheladinin të qëndrueshëm dhe të pa thyeshëm, të pandalshëm para vështirësive e sakrificave dhe bindjes se për lirinë e atdheut e të kombit duhet me luftuar e me sakrifikuar gjithçka.

Ai do të jetë pjesë e të gjitha lëvizjeve e demonstrimeve kombëtare deri në vitet ’90, kohë kur do të fillonte edhe aktivitetin e kombinuar luftarak, kohë prej të cilës Xhladinin mund ta konsiderojmë luftëtar të lirisë.

Qenia ushtar për çlirimin e vendit nuk ishte një gjë e re për Xheladinin. Ai gjithë jetën kishte ëndërruar për atë ditë kur nëpërmjet lëvizjes ilegale, të krijohej mundësia e pasjes së një force për çlirim. Edhe pse unë isha në burg në vitet 1981 deri në vitin 1987, e njoh mirë veprimtarinë e këtij shqiptari të madh, që me veprën e tij, i bëri vend vetes në vlerat e veçanta të historisë së Kosovës e gjithë kombit shqiptar.

Në vitin 1989, kur në Kosovë morën përmasa të jashtëzakonshme, protestat gjithë popullore, të cilat patën si elementë thelbësor ato të organizuara në kombinatet e Trepçës, Obiliqit, Feronikelit etj., Xheladini ishte në ballë të organizimeve, duke treguar si të kërkohej e drejta dhe liria për vete dhe gjithë brezat pasardhës të shqiptarëve.

Në këtë periudhë unë përsëri burgosem, ndërsa Xheladini vazhdon aktivitetin. Prej viteve 1989 e këtej, në vazhdimësi është një ndër faktorët dhe organizatorët e hedhjes së hapave të para për formimin, organizimin dhe drejtimin e rezistencës së armatosur, që kulmoj me krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bartëses së luftës për liri, e cila ia ndryshoi kahen ecjes sonë kombëtare.

E them me përgjegjësi të plotë faktin që Xheladini në gjithë veprimtarinë e tij ilegale, se i është bindur disiplinës së lëvizjes, por në mendimin e tij dhe në gjithë deklarimet gjatë konsultave dhe zhvillimit të mendimeve, ka pasur idenë e pa lëkundur se ne mund të jemi të lirë vetëm në qoftë se do të kemi vullnetin dhe guximin të organizohemi për të fituar lirinë me armë, pasi siç thoshte, vetëm lufta e armatosur e bën zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Shtëpia e Xheladinit ishte edhe bazë e lëvizjes ilegale. Aty bëheshin takime, aty bëheshin biseda, aty merreshin e liheshin mjete të ndryshme, aty strehoheshin ilegalë, aty mblidheshim e shkëmbenim mendime për punën e të ardhmes dhe për atë që ishte bërë, si ishte bërë dhe çfarë duhej bërë për ta përmirësuar me tej punën.

Xheladini ishte njëri ndër aktorët kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që në themelimin e saj, ose duhet thënë që në krijimin e mendimit të konsoliduar se duhet të luftojmë me armë për ta arritur lirinë tonë.

Në vitin 1997 do të ndodhnin disa fatkeqësi për Luftën Çlirimtare të Kosovës, ku ajo do të humbiste disa nga luftëtarët e vijës së parë. Ashtu sikurse do të ndodhnin edhe arrestime, ndër të cilat edhe arrestimi i Nait Hasanit me shokë. Por edhe këtë radhë Xheladini i shpëtoj këtij arrestimi. Kjo bëri që ai të mos ndodhej në burg, si disa nga bashkëluftëtarët e tij, por të shkojë atje ku edhe ndihej më mirë. Prandaj edhe prej kësaj kohe ai do të kalojë te grupi i Adem Jasharit, ku mori tiparet e një luftëtari tashmë i deklaruar. Dhe prej këtej pas një kohe emigron në Zvicër, ku edhe atje u gjend aty ku kishin më së shumti nevojë për të. U bë promotor i fondit “Vendlindja Thërret”, që kishte marrë përgjegjësinë nën drejtimin e Jashar Salihut të jetë burimi i përkrahjes materiale për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Me shpërthimin e luftës kthehet në Shqipëri dhe i ngarkohet përgjegjësia si komandant i logjistikës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke u pozicionuar në pjesën e veriut në Shqipëri. Pikërisht aty ku ishte më afër dhe më e mundur që të ngriheshin e të funksiononin bazat e furnizimit, por që duhet thënë se Plaku nuk u kufizua thjesht në furnizimin, por ai u mor shumë edhe me mobilizimin e luftëtarëve, kërkimin dhe krijimin e kushteve për stërvitjen e tyre dhe në fund edhe për furnizimin dhe futjen e tyre në frontet e luftës në Kosovë.

Pra, Xheladin Gashi, u përket celulave të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sepse ai si edhe shumë patriotë të tjerë e kishin kuptuar se kishte ardhur koha për të marrë atë kthesë historike që do të sillte jetë për shqiptarët e pushtuar dhe liri për atdheun e shkelur prej armikut për një shekull.

Se cila ishte forca e tij e tregon edhe rasti i themelimit dhe udhëheqjes prej tij të Shoqatës “Miqtë e TMK-së”, e cila për një periudhë shumë të shkurtër i shtriu degët e saj në të gjitha shtetet e botës ku kishte shqiptarë. Me atë shoqatë Xheladini mori përsipër dhe kreu mjaftë punë me vlera për kohën. Dhe ajo shoqatë do të ishte edhe më e suksesshme në të ardhmen. Por ja që Xheladini do të ndërrojë jetë dhe ajo shoqatë do të shuhet. Ky është edhe treguesi i fundit i fuqisë së fjalës dhe të organizimit që karakterizonte atë burrë, atë luftëtar, atë komandant, atë njeri të drejtë dhe të dashuruar me lirinë.

Më 21 mars 2005, Do të ndërrojë jetë shoku dhe bashkëveprimtari e bashkëluftëtari im, pasi kishte kryer shumë detyra atdhetare, por duke i mbetur pa kryer edhe shumë detyra të tjera.

E mbylli jetën me të gjitha atributet e një atdhetari të rrallë.

Lavdi të përjetshme jetës dhe veprës së Xheladin Gashit – Plakut.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në 24 orët e…