Lulëkuqja të bëhet me ligj simbol i gjenocidit në Kosovë

15 janar 2023 | 11:26

– Lulëkuqja është simbol i lirisë, produkt i gjakut dhe i luftës së drejtë të UÇK-së

Profesori i njohur i historisë, Hakif Bajrami, i ka dhënë mbështetje kërkesës që lulëkuqja të njihet si simbol i gjenocidit në Kosovë.

Ai ka thënë se kjo iniciativë duhet të materializohet me ligj nga Kuvendi i Kosovës.

Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Bajrami ka thënë se lulëkuqja është simbol i lirisë dhe i luftës së drejtë të UÇK-së.

“Ky simbol nuk e akuzon askënd sepse është një lule e bukur e natyrës”, ka thënë Bajrami. Kur Kosova shënon Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit, Bajrami ka thënë se institucionet e vendit nuk kanë qenë në nivel të detyrës.

Bajrami ka thënë se Serbia duhet të përgjigjet për 14 mijë shqiptarët e vrarë në luftën e fundit, për 20 mijë femrat e dhunuara, për rrënimin e 120 mijë shtëpive dhe për 600 varrezat masive.

“Epoka e re”: Si e vlerësoni iniciativën e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” që lulëkuqja me katër petale të njihet si simbol i gjenocidit në Kosovë?
Bajrami: Në vitin 2016, kur Ramush Haradinaj ka qenë kryeministër i Kosovës, kam pas punuar ta bëj një simbolikë për gjenocidin, ku në qendër të vëmendjes është Bllaca. Në atë kohë e pata shkruar edhe aratimin për këtë simbolik. Në bazë të asaj që e kam parë në shkrime më ka pëlqyer shumë iniciativa e Bardhyl Mahmutit që lulëkuqja të jetë një simbol i gjenocidit ndaj shqiptarëve. Pas kësaj i kam shkruar Bardhylit, sepse kam korrespodencë më të, dhe ai e kishte botuar qëndrimin tim në mbështetje të lulëkuqes. Pavarësisht kësaj, mendoj se kjo qasje nuk është bash e lehtë, pra është shumë e komplikuar, sepse duhet të bëhet ligji mbi gjenocidin ndaj shqiptarëve. Atë ligj duhet ta debatojnë komisionet shkencore e pastaj ato parlamentare dhe të dërgohet në Kuvend për shqyrtim dhe miratim. Qeveria nuk duhet të merret me këtë çështje sepse qeveria nuk bën ligje. Ai ligj nuk duhet të jetë i gjatë, por duhet të jetë shumë i shkurtër, me 4-5 nene taksative dhe kjo çështje të përfundojë me aprovimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

 “Epoka e re”: A e përkrahni një iniciativë të tillë dhe a duhet të njëjtën gjë ta bëjnë edhe institucionet e Kosovës?
Bajrami: Fillimisht kjo iniciativë duhet të dërgohet në Kuvendin e Kosovës dhe kur ta aprovojë Kuvendi ajo del në gazetën zyrtare ku nënshkruhet nga presidentja dhe në këtë mënyrë bëhet dokument shtetëror obligativ. Simbolika e lulëkuqes me rrotë të kuqe e vitit 1916 nuk ka të bëjë me ne sepse atë e kanë pasur edhe romakët. Por, lulëkuqja me katër petale është simbol se liria e Kosovës është produkt i gjakut dhe luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E tash këtu, një pjesë e partive politike janë duke hezituar.

“Epoka e re”: Çfarë shpjegimi keni nga këndvështrimi juaj për lulëkuqen me katër petale?
Bajrami: Lulëkuqja simbolizon gjakun, simbolizon një lloj shëndetësie popullore, simbolizon një ardhmëri të popullit me plot besim dhe dituri. Ne këtë gjenocid do ta formalizojmë si ligj dhe për Serbinë menjëherë fillon një epokë tjetër. Me fjalë të tjera, Serbia duhet t’i paguajë reparacionet ose dëmet e luftës. Pa i paguar populli serb dëmet e luftës nuk mund ta arrijë katarzën. Unë kam biseduar me fëmijët gjermanë, ku çdonjërin prej tyre që e kam pyetur se a ka gabuar Hitleri në Luftën e Dytë Botërore më ka thënë “Po”. I kam pyetur edhe fëmijët serbë se a ka gabuar Millosheviqi në luftën 89-99 në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë. Përgjigjja e tyre ka qenë “Jo”. Kjo përgjigje tregon se prindërit e tyre, po iu dha shansi, prapë ia mësyjnë Kosovës. Tash është edhe një fakt tjetër, që ushtria jonë është nën mbikëqyrje sepse në atë minutë që Serbia e kupton se Kosova ka ushtri ofensive, jep selam në të dy krahët.

 “Epoka e re”: A besoni se iniciativa e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, që lulëkuqja me katër petale të njihet si simbol i gjenocidit në Kosovë, të hasë në rezistencën e faktorit ndërkombëtar?
Bajrami: Nuk besoj sepse lulëkuqja nuk e prek askënd. Bardhyl Mahmuti është një intelektual shumë i informuar, i cili e ka deklasuar Dick Martyn. Po ashtu, ai e ka edhe librin “Eskadronët e vdekjes” etj. Bardhyli jeton dhe vepron në vendin (Zvicër) ku vlon uji në akull. Është fakt se ne jemi më të informuar në disa probleme profesionale, mirëpo ai simbol (lulëkuqja) nuk akuzon askënd, përkundrazi fton që ne shqiptarët të mos sillemi ndaj të tjerëve qysh janë sjell serbët ndaj neve.

 “Epoka e re”: Më 15 janar shënohet Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj shqiptarëve në Kosovë. Ka më shumë se 40 vjet që keni shkruar e dokumentuar për gjenocidin që Serbia ka kryer mbi shqiptarët. Çfarë nënkupton kjo ditë për ju?
Bajrami: Ne i kemi kampet e përqendrimit në Bllacë, Stankovec, Çegran dhe Kukës, po flas për luftën e fundit. Po ta merrni doktoratën time të vitit 1979, e cila është dorëzuar në vitin 1978, atje janë katër kampe të përqendrimit për shqiptarët të cilat i ka formuar pikërisht kjo Serbi gjenocidale. Pra janë kampet e përqendrimit në Nish, Leskovc, Nikshiq dhe Çaçak. A i ke edhe në luftën e fundit katër kampe? Po! Këta kanë punuar me program për ta shfarosur popullin shqiptar qysh i kanë shfarosur mbi 714 fshatra dhe 6 qytete në Sanxhakun e Nishit në vitin 1877. Nuk ka popull në Evropë siç është ai serb që i ka bërë 37 programe për ta likuiduar kombin shqiptar. Pse është bërë kjo? Unë jam autor i librit të Nysret Pllanës, nuk është ai. Kur është bërë ai? Është bërë në vitin 1999 dhe më 2001 ka dalë ky libër, i cili është përkthyer në nëntë gjuhë. Po të marrësh pjesë në ndonjë promovim të ndonjë fshati ose lagjeje ku është vrarë dikush, menjëherë thonë ky shkrim është i pari edhe pse ne kemi dëshirë të shkelim mbi rezultatet e të tjerëve. Unë kurrë nuk kam shkuar ta promovoj atë libër, Nysreti e di këtë gjë. Nysret Pllana nuk ka lënë vend në botë pa e promovuar këtë libër. Mua më ka marrë në pyetje Njazi Burgideva në vitin 1979 katër pesë herë se pse i ke futur kampet e përqendrimit në doktoraturë. I kam thënë: shko shkatërroj dokumentet arkivore të cilat e vërtetojnë këtë dhe se nuk tërhiqem kurrë – pushka top t’u bëftë! Më pat thënë t’i jap 15 vjet burgim dhe unë i pata thënë 500 jepmi sepse unë jam historian dhe nuk e shtrembëroj të vërtetën me asnjë çmim. Prandaj mua më intereson vetëm e vërteta, ndërsa sa i përket gjenocidit serb ndaj shqiptarëve, ka argumente sa të duash.

 “Epoka e re”: A kanë bërë mjaftueshëm institucionet e Kosovës, por edhe ato ndërkombëtare, që Serbia ta marrë dënimin e merituar për krimet që ka kryer në Kosovë?
Bajrami: Nuk kanë bërë mjaftueshëm. Gjykatat tona ende janë gjykata komuniste sepse prokurori duhet t’i shtyjë çështjet përpara. Janë 600 varreza masive. Salih Mustafa është dënuar me 26 vjet burgim. Faji është edhe te Gjykata Speciale. Sa janë dënuar Nikola Shainoviqi, Vladimir Lazareviqi dhe Dragolub Ojdaniqi? Janë dënuar me nga 15 vjet burgim. Tash Gjykata Speciale po thotë se Mustafa e ka mbytur një njeri e që nuk është e vërtetë sepse Zyra Politike e UÇK-së në Prishtinë do ta dinte. Ndërsa këta që i përmenda dhe të tjerët i kanë mbytur 14 mijë shqiptarë, i kanë dhunuar 20 mijë femra, kanë rrënuar 120 mijë shtëpi dhe i kanë krijuar 600 varreza masive. Po ashtu, i kanë bartur kufomat e të vrarëve shqiptarë nga Kosova në Serbi dhe askush nuk mban përgjegjësi. Kjo është ajo që më shqetëson sepse nuk kemi të bëjmë me një drejtësi të mirëfilltë. Askush nuk po thotë me i ndjekë serbët, por duhet të japë përgjegjësi secili që ka kryer krime. Serbia e ka të vështirë të demokratizohet. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Pavarësia e Kosovës është legjitimuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, prandaj lulëkuqja i mbyll të gjitha plagët. Lulëkuqja është një simbol shumë i fuqishëm edhe horizontal edhe vertikal. Edhe në lartësi ky simbol është tredimensional. Ky simbol nuk e akuzon askënd sepse është një lule e bukur e natyrës.

“Epoka e re”: Cili duhet të jetë fokusi i institucioneve të Kosovës për dokumentimin e krimeve serbe dhe a mjafton themelimi i Institutit për ta bërë një gjë të tillë?
Bajrami: Instituti është themeluar dhe është shuar. Prapë po thuhet se do të themelohet. Kjo është lojë me varrezat masive dhe viktimat. Është e domosdoshme që të dihet se këtu kush është agresori-xhelati dhe kush është viktima. Natyrisht se kjo dihet dhe nuk do kallauz kjo punë. Ata që kanë punuar më herët në institut duhet t’i prezantojnë rezultatet. Instituti duhet të funksionojë me njerëz profesionistë dhe jo me dajë e teze. Pjesë e institutit duhet të jenë historianët, juristët, kriminologët dhe mjekët ligjorë. Ata duhet të punojnë së bashku me qëllimin e vetëm: dokumentimin e krimeve të Serbisë ndaj shqiptarëve.

“Epoka e re”: A besoni që në dialogun Kosovë – Serbi mund të adresohen këto çështje duke pasur parasysh se nga lufta e fundit në Kosovë ende janë të zhdukur mbi 1 600 persona?
Bajrami: Nuk besoj se do të adresohen krimet e luftës dhe të pagjeturit derisa dialogun e udhëheqin njerëz me dy mendje dhe të cilët nxjerrin dokumente me dykuptimësi.

/Lirim GECI/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i Brightonit, Roberto De Zerbi përgëzoi lojtarët pas fitores…