
Lushi: Thaçi nuk bëri gabime strategjike, ai dhe UÇK-ja po e fitojnë betejën e fundit
Veprimtari Uk Lushi ka vlerësuar lartë figurën e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Ai ka bërë me dije se si udhëheqës shtetëror Thaçi nuk ka bërë gabime strategjike.
Duke e komentuar intervistën e Thaçit nga Haga, Lushi është shprehur i bindur se ai do të kthehet në Kosovë si i pafajshëm.
Në profilin e tij në “Facebook”, Lushi ka shkruar se kthimi i tij do të jetë me peshë për historinë dhe të ardhmen e Republikës së Kosovës.
“Hashim Thaçi, si çdo njeri dhe udhëheqës, ka bërë dhe gabime. Por, si njeri dhe si udhëheqës, deri më tash, ai nuk ka bërë gabime strategjike. Për një komb në ngritje e sipër si kombi shqiptar kjo ka rëndësi të madhe. Hashim Thaçi do të kthehet në Kosovë me verdiktin i pafajshëm dhe njeri që udhëhoqi betejat e Kosovës luftarakisht, diplomatikisht dhe legalisht. Ky kthim do të jetë me peshë padyshim për familjen e tij, mirëpo më së shumti për historinë dhe të ardhmen e Republikës së Kosovës’, ka shkruar ia, duke shtuar se Thaci dhe UÇK-ja po e fitojnë betejën e fundit.
“Hashim Thaçi dhe UÇK po fitojmë betejën e fundit dhe me këtë po fitojmë të gjithë shqiptarët që deshëm dhe duam liri, barazi dhe paqe në Ballkan dhe Europë. Mirë u takofshim në Prishtinë, me ty, me çlirimtarët e tjerë dhe të gjithë njerëzit e mirë të Republikës! Udhëtimi dhe puna do të vazhdojnë!”, ka vlerësuar ai.