
LV-ja: Kushtetuesja i dha dritë të gjelbër votimit të fshehtë, partitë opozitare të tërhiqen nga refuzimi
Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar lidhur me aktgjykimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se ai konfirmon qëndrimet e saj që nga fillimi i procesit të konstituimit të Kuvendit.
Sipas LV-së, aktgjykimi thekson tre pika kyçe: 1. Obligimi për të pëfunduar konstituimin e Kuvendit është obligim i të gjithë deputetëve dhe jo vetëm i subjektit të parë. 2. Zgjedhja e kryetarit dhe ajo e nënkryetarëve janë në nivel të barabartë. 3. Votimi i fshehtë nuk paraqet shkelje të Kushtetutës.
Reagimi i plotë i Vetëvendosjes:
Aktgjykimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese thekson qartë atë që e kemi përsëritur dhe kemi insistuar që në fillim të procesit të konsituimit të Kuvendit:
1. Obligimi për të pëfunduar konstituimin e Kuvendit është obligim i të gjithë deputetëve dhe jo vetëm i subjektit të parë.
2. Zgjedhja e kryetarit dhe ajo e nënkryetarëve janë në nivel të barabartë.
3. Votimi i fshehtë nuk paraqet shkelje të Kushtetutës.
____
1.
Opozita kishte për qëllim fajësimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për moskonstitumin e Kuvendit. Mirëpo, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese disa herë thekson se obligimi është i të gjithë deputetëve nga të gjitha partitë, jo vetëm të partisë së parë.
Referencat në Aktgjykim:
Paragrafi 190,“….. kërkon nga të gjithë deputetët që të jenë të pranishëm dhe të votojnë për konstituimin e Kuvendit në mënyrë që ky i fundit të fillojë sa më shpejtë të funksionojë si organ ligjvënës, vendimmarrës dhe mbikëqyrës…”.
Paragrafi. 191: “…deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës … duhet që sa më shpejtë dhe jo më vonë se tridhjetë (30) ditë nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi të përmbushin detyrimin kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës …”.
Dispozitivi, par. II(2): “Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, … duhet që sa më shpejt dhe jo më vonë se tridhjetë (30) ditë të përfundojnë Seancën Konstituive të Kuvendit … “.
2.
Deputetët e opozitës kanë argumentuar vazhdimisht se Lëvizja Vetëvendosje duhet të bëjë kompromis sa i përket kandidatit të propozuar për kryetarin e Kuvendit, por njëkohësisht kanë insistuar që kandidatët që do të propozohen e nga ana e tyre për nënkryetarë të Kuvendit, janë të panegociueshëm.
Gjykata përfundimisht ka hedhur poshtë këtë qëndrim kontradiktor, duke vënë një shenjë barazimi midis dy çështjeve, dmth. asaj të zgjedhjes së kryetarit dhe asaj të zgjedhjes së nënkryetarëve. Aktgjykimi thekson disa herë që të dy veprime janë të domosdoshme për konstituimin e Kuvendit dhe se për të dy duhet arritur konsensusi i duhur.
Pra, secila parti duhet të ushtrojë të drejtën e vet kushtetuese për të propozuar kandidatët për pozitat respektive që iu takojnë (kryetar dhe nënkryetarë) dhe, pastaj, që të votohen të gjithë. Në të kundërtën, të gjitha propozimet e partive për pozitat respektive duhet të jenë të negociueshme, jo vetëm propozimi i partisë së parë për kryetar. Prandaj, ne si Lëvizje VETËVENDOSJE! kemi insistuar në qëndrimin parimor se subjektet politike të caktojnë vet kandidatët e tyre për pozitat përkatëse.
Referencat në Aktgjykim:
Par. 130: “… Gjykata nënvizon që e drejta për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit është e ndërlidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me arritjen e shumicës së votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Si e tillë kjo e drejtë për propozimin e kandidatit për Kryetar/e të Kuvendit përbën njëkohësisht edhe detyrim për grupin më të madh parlamentar për bashkëpunim në mirëbesim dhe konsultim konstruktiv me grupet e tjera parlamentare për të gjetur konsensusin apo kompromisin e nevojshëm dhe se kjo e drejtë në asnjë mënyrë nuk mund të rezultojë në bllokimin e konstituimit të Kuvendit…Njëkohësisht, një detyrim i tillë vlen edhe për grupet tjera parlamentare të cilët në frymën e bashkëpunimit dhe konsultimeve konstruktive propozojnë kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit, të cilët bazuar në paragrafët 3 dhe 4 të nenit 67 të Kushtetutës, po ashtu zgjedhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve”.
Par. 133. “Gjykata vlerëson që një Seancë Konstituive që mbahet, por nuk e zgjedh Kryetarin/en dhe nënkryetarët e Kuvendit, nuk arrin efektin juridik që i ka përcaktuar Kushtetuta, dhe është seancë e papërfunduar dhe rrjedhimisht nuk përmbush kërkesën e paragrafit 1 të nenit 66 të Kushtetutës”.
Dispozitivi, par. II(2): “Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës … duhet që sa më shpejt dhe jo më vonë se tridhjetë (30) ditë të përfundojnë Seancën Konstituive të Kuvendit duke zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët e tij”.
3.
Opozita ka shpresuar që Gjykata Kushtetuese do ta shpallte kundërkushtetues propozimin për të kaluar në votim të fshehtë.
Tani që Gjykata Kushtetuese i ka dhënë dritë të gjelbër këtij propozimi, për sa i përket kushtetutshmërisë së tij, edhe partitë opozitare duhet të tërhiqen nga refuzimi për të marrë pjesë në votim të fshehtë, nëse këtë refuzim e kishin për arsye kushtetuese dhe jo nga frika që mund të humbasin.
Referencat në Aktgjykim:
Par. 178: “Gjykata thekson që çështja e mënyrës së votimit në Seancën Konstituive, përkatësisht nëse e njëjta duhet të jetë në mënyrë të hapur apo të fshehtë nuk është përcaktuar as me dispozitat kushtetuese dhe as në Kreun IV të Rregullores së Kuvendit. Gjykata vëren se Kreu i IV (Konstituimi i Kuvendit) i Rregullores së Kuvendit, në kontekstin e mbajtjes së seancës konstituive nuk përmban asnjë referencë në nenin 53 (Ndryshimi i rendit të ditës), nenin 57 (Mocionet procedurale), si dhe as në nenin 122 (Interpretimi i Rregullores së Kuvendit). Secili nga këto nene të Rregullores së Kuvendit përcaktojnë qartë dhe shprehimisht rrethanat në të cilat shtrihet fushëveprimi i tyre, palët që mund të iniciojnë ato veprime apo autorizimet e tyre, si dhe çështjet për të cilat mund të bëhen apo kohën kur mund të ngritën propozime të tilla”.
Par. 185: “Rrjedhimisht, ky kriter kushtetues që ka kushtëzuar të drejtën e propozimit me detyrimin për të siguruar numrin e nevojshëm të votave për Kryetar/e të Kuvendit, kërkon bashkëpunim në mirëbesim nga deputetët e zgjedhur për të gjetur kompromisin apo konsensusin e domosdoshëm për të gjitha çështjet që dalin apo mund të dalin duke përfshirë zgjedhjen e kandidatit/es për Kryetar/e të Kuvendit, apo mënyrën e votimit, gjatë formimit të organeve kushtetuese pas zgjedhjeve të lira, por gjithmonë brenda kërkesave dhe kufijve të përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Rregulloren e Kuvendit”.