LV – LDK po përpiqen ta fitojnë në tavolinë atë që nuk e fituan në zgjedhje

15 janar 2020 | 13:40

Analisti politik Faton Abdullahu i ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje (LV) dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) për zvarritjen e negociatave për formimin e qeverisë së re. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se këto dy subjekte politike po përpiqen ta fitojnë në tavolinë atë që nuk kanë mundur ta sigurojnë në kutitë e votimit. Ai ka folur edhe për ofertën e fundit të LV-së për LDK-në. Abdullahu ka vlerësuar se pas gjithë trumbetimit për reduktim të numrit të ministrive në 12 sosh, rritja e tyre është e neveritshme

“Epoka e re”: Z. Abdullahu, bisedimet në mes të LV-së dhe LDK-së sërish kanë ngecur. LV-ja thotë se fajin e ka LDK-ja sepse po kërkon kryeparlamentarin, kurse LV-ja fajëson LV-në. Çfarë po ndodhë?
Abdullahu: LV-ja dhe LDK-ja po përpiqen ta fitojnë në tavolinë atë që nuk kanë mundur ta sigurojnë në kutitë e votimit. Djallëzia e suksesshme politike për ta lexuar dhe prezantuar votën, përkatësisht vullnetin e qytetarit, ashtu sikundër nuk ishte në të vërtetë, atyre ua ka legjitimuar grykësinë për më shumë pushtet. Për më keq që të dy këto forca, sidomos gjatë fushatës, kanë mashtruar qytetarin e Kosovës. E para, LV-ja, me puritanizëm populist, por pa kokrrën e përvojës institucionale, duke servuar me truke prej magjistari, atë që dëshiron qytetari ta ketë e ta dëgjojë e duke anashkaluar në thelb atë që mund ta marrë ai dhe Kosova realisht. E dyta, LDK-ja, me një mashtrim optik politik, duke e shfrytëzuar opozitarizmin e brendshëm arrogant si metodikë, por impotent si cilësi, të cilës i printe Vjosa Osmani, e cila ishte një ‘mini vetëvendosje’ brenda LDK-së, u paraqit rrejshëm si shpresë për ndryshime, me çka i shkoi për dore ta mashtrojë edhe qytetarin edhe LV-në. Tani duhet ta mashtrojnë njëra-tjetrën, por kjo nuk po u shkon për dore. Mashtruesi nuk mund ta mashtrojë mashtruesin. Për këto njëqind ditë që të dyja e kanë perfeksionuar edhe fjalorin dhe metodikën e fajësimit si premisë për ta shfajësuar veten për mosbërjen e qeverisë. Në këtë përbaltje që të dyja po kanë sukses te militantët e tyre, por jo edhe te shtresat e gjëra të qytetarëve. Zhgënjimi çdo ditë po rritet, edhe humbjet për Kosovën po shtohen.

 “Epoka e re”: LV-ja ka bërë me dije se tani ia ka bërë edhe një ofertë LDK-së, duke i shtuar ministritë nga 12 në 14 sosh. A mendoni se kjo është zgjidhja?
Abdullahu: Rritja apo zvogëlimi i numrit të ministrive në veten e saj nuk mund të jetë premisa e performancës më të mirë apo më të keqe për një qeveri. Pas gjithë trumbetimit me rrahagjoks, se numri i ministrive po reduktohet në 12, rritja e numrit të ministrive tani është e neveritshme. Për më shumë, sipas këtij justifikimi të munguar sot, ai numër mund të rritet edhe nesër. Oferta e re e LV-së për më shumë ministri do të thotë përpjekje për ta shuar grykësinë individuale dhe klanore të qarqeve të caktuara të këtyre dy forcave e cila bëhet edhe përkundër faktit se kjo ia shton një ministri Listës Serbe për të cilën në fillim pretendohej me axhamillëk se nuk do të bashkëpunohej dhe thuhej se nuk do të jetë pjesë e qeverisë. LV duke e bërë këtë ofertë të re edhe për Listën Serbe, dhe duke e pranuar që të vendoset për Presidentin që tani, i cili, sipas kësaj marrëveshje, do të jetë ekskluzivisht partiak, e humb virgjërinë e pretenduar politike ende pa u krijuar qeveria. Mendësia e re politike, apo sikundër po thuhet, instalimi i një praktike të re jo vetëm politike, vdes që këtu. Mund të konstatohet kështu sepse kjo ofertë e re na jep të kuptojmë se të tilla alleshverëshe do të vazhdojnë edhe në një qeveri të mundshme nga këto dy forca politike.

 “Epoka e re”: A besoni se problemi mes këtyre dy subjekteve politike është vërtet te postet apo ka diçka tjetër që po e pamundëson këtë koalicion?
Abdullahu: Sa më shumë po zgjatë koha përbrenda së cilës këto dy subjekte nuk po merren vesh për karrige dhe sa më shumë ato bashkë me ofertën e re po servojnë akuza e dyshime të vjetra, aq më shumë po rritet dyshimi se mospajtimi i LV-së me LDK-në ka një hile edhe diku tjetër. Mungesa e respektit të ndërsjellë ndërmjet këtyre partive, paragjykimet deri në paranojë politike, si dhe mosbesimi që determinohet edhe nga tradita kriminale dhe akuzat banale që i kanë pasur në raporte e tyre, ka ngjallur fort dyshimet se edhe nëse ky koalicion formohet nuk do të jetë as jetëgjatë e as i dobishëm. LV-ja dhe LDK-ja e matin dhe e vlerësojnë njëra-tjetrën edhe në raport me dialogun me Serbinë. Që të dyja e dinë se kjo çështje i pret me të hapur derën e qeverisë që mund të krijohet. LDK-në nuk e merr gjumi natën kur e di se çfarë qasje ka LV-ja ndaj dialogut me Serbinë. Ajo e di se LV-ja ka këtë qëndrim zyrtar – çështjen e dialogut nuk e ka as prioritet, as nuk e merr me nxitim, për më shumë së pari do t’i rishikojë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani. Qëndrim kryekëput në kundërshtim me qëndrimet dhe aspiratat e ShBA-së në rajon. LV-ja në anën tjetër është pothuajse e bindur se LDK-ja do ta lë në baltë në çdo rrethanë LV-në kur është fjala për dialogun me Serbinë dhe për këtë znj. Osmani nuk do të jetë në gjendje as t’i shprehë keqardhje.

“Epoka e re”: Në bazë të asaj që keni parë deri më tani, është i mundshëm koalicioni LV-LDK?
Abdullahu: Unë besoj se koalicioni LV – LDK është i mundshëm të krijohet, por jam i bindur se është i pamundshëm të krijojë të mira për këtë vend, të qëndrojë gjatë dhe të japë rezultate për një jetë më të mirë për qytetarët. Ky nuk është paragjykimi im. Ky është gjykim në avancë, i bazuar në paragjykimet që këto dy forca kanë ndaj njëra-tjetrës, me çka edhe kanë ngjallur dyshimin e bazuar edhe te qytetarët dhe te partnerët tanë. Unë nuk shoh as guxim, as moral të mjaftueshëm as te LV-ja dhe as te LDK-ja, që për parime politike ato të heqin dorë nga privilegjet pushtetare. Thjesht, këto dy gjysma nuk mund ta bëjnë një qeveri të plotë funksionale. E para, LV-ja është e guximshme jashtë institucioneve, por aventuriere për dhe në institucione. E dyta, LDK-ja është institucionaliste, por jo institucionalisht e guximshme. E keqja më e madhe do të jetë se LV-ja dhe LDK-ja nuk do të mund të sigurojnë unitet të mjaftueshëm për t’u përballur me Serbinë, për rrjedhojë as të kemi mendësi politike serioze, kooperuese dhe institucionalisht të guximshme.

“Epoka e re”: Çka nëse nuk arrijnë të bëjnë marrëveshje këto dy parti. Cila është zgjidhja?
Abdullahu: Nuk është zgjidhje e mirë që të shkohet në zgjedhje sepse do të humbim kohë dhe para. Do të ngecin shumë procese dhe do t’i humbim 5-6 milionë euro për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Mirëpo tani pas tre muajve, konsideroj se baza mbi të cilën qytetari ka krijuar bindjen politike për ta shprehur vullnetin me votën e tij në zgjedhjet e fundit ka filluar të ndryshojë shpejt dhe shumë. Nëse vazhdon kështu dhe 2-3 javë, me këtë marrëzi politike pa marrëveshje, me akuza të ndërsjella e me moskokëçarje për fatin e vendit tonë, zgjedhjet e ardhshme do të jepnin rezultate krejt të ndryshme nga ato që i patëm herën e fundit. Përndryshe konsideroj se për shkak se pajustifikueshëm nuk ka marrëveshje ende, për shkak se përbrenda kësaj periudhe dëmet po rrjedhin pandalshëm në shumë sfera të determinuara nga mungesa e qeverisë së re, Presidenti, Gjykata Kushtetuese, deputetët e rinj të Kuvendit të Kosovës, Avokati i Popullit, apo të gjithë së bashku, duhet të përfshihen në ndonjë mënyrë për ta mbushur disi me logjikë politike ‘zbrazëtinë juridike’ me qëllim që të zhbllokohet situata e krijuar. Ky zhbllokim nuk do të thotë detyrimisht të insistohet të krijohet qeveria LV – LDK, por të shihen edhe mundësitë e kombinimeve të reja ndërmjet subjekteve të interesuara për ta bërë qeverinë, apo edhe të shkohet në zgjedhje të reja. Kalimi i kohës përbrenda së cilës nuk kemi qeveri të re, jo që e bën të justifikueshëm trysninë e këtyre subjekteve që i përmenda për të kërkuar rrugëdalje, por i bënë ato të papërgjegjshme nuse nuk e bëjnë këtë.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Erdin Hashani është emëruar trajner i ri i skuadrës së…