
LVV, PDK, LDK, AAK-NISMA duhet të paguajnë gjobat për certifikim për zgjedhjet lokale
Më pak se katër muaj deri në datën e zgjedhjeve lokale, partitë politike kanë borxhe të pashlyera në një total prej 543 mijë eurosh ndaj Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, për gjobat gjatë procesit të fundit elektoral.
Subjektet që nuk i paguajnë obligimet nuk do të mund të garojnë në zgjedhjet e 12 Tetorit.
“PZAP-i e ka njoftuar KQZ-në me gjobat e pa paguara dhe KQZ-ja nuk do të duhet ti certifikoj për pjesëmarrje në Zgjedhje Lokale ato subjekte politike që kanë borxhe të pa paguara”, kanë thënë nga PZAP.
Muajin e kaluar, para shpalljes së datës së zgjedhjeve lokale, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi që partive që i kanë borxh PZAP-së t’ua ndalë automatikisht mjetet, gjatë procesit të shpërndarjes së buxhetit nga fondi për subjektet politike.
Derisa vendimi parasheh tri ndalesa automatike në tre tremujorët e ardhshëm, partitë duhet të nxitojnë për pagesa nëse duan të garojnë në zgjedhje, për shkak të afatit ligjor për certifikim: 60 ditë para zgjedhjeve.
“Para çdo procesi të certifikimit, KQZ do të kërkojë konfirmim nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa se subjekti politik që aplikon për t’u certifikuar ka paguar plotësisht gjobat në lidhje me cilat do zgjedhje të mëhershme dhe të konfirmojë se nuk ka borxhe tjera të papaguara” deklaroi Valmir Elezi nga KQZ.
Sipas tabelës së PZAP-së, borxhliu më i madh është Lëvizja Vetëvendosje me 212 mijë euro – parti që nuk ka paguar asnjë nga 47 gjobat.
E dyta me borxhin më të madh është PDK-ja me 144 mijë euro, që po ashtu nuk ka paguar asnjë nga 28 gjobat.
Koalicioni AAK-Nisma dhe të tjerët, janë të tretit në listën e borxhlinjve më të mëdhenj me 72 mijë euro – njësoj me zero të paguara.
LDK-ja ndërkaq, edhe pse ka paguar 65 mijë euro, i detyrohet PZAP-së edhe 71 mijë euro të tjera.
Nga totali i vlerës së gjobave 651 mijë euro, deri tani subjektet politike kanë paguar vetëm 108 mijë euro.