Macron: Më shumë qartësi për rrugën evropiane të Ballkanit Perëndimor

19 janar 2022 | 15:14

Nga foltorja e parlamentit evropian, presidenti francez, Emanuel Macron, ka folur për një strategji të re sigurie për Bashkimin Evropian.

“Javët e ardhshme duhet të çojmë përpara projektin për të ndërtuar një rend të ri sigurie dhe stabiliteti. Duhet ta ndërtojmë atë mes evropianëve, pastaj ta bashkëndajmë me aleatët tanë në kuadrin e NATO-s dhe më pas t’ia propozojmë Rusisë për negociata” , ka deklaruar Macron përpara ligjvënësve evropianë.

Presidenti francez foli edhe për krizën në Ukrainë, teksa theksoi se Franca dhe Gjermania po punojnë për të ringjallur formatin e bisedimeve të Minskut me synim sigurimin e respektimit të plotë të marrëveshjes së paqes të vitit 2015 midis dy vendeve, Rusisë dhe Ukrainës.

Duke folur për marrëdhëniet me Britaninë pas daljes së saj nga Bashkimi Europian, Macron tha se Evropa dhe Britania e Madhe duhet të gjejnë rrugën për të rikthyer besimin e ndërsjellë, dhe, sipas tij, mënyra më e mirë është që palët t’i përmbahen angazhimeve të ndërmarra.

Jashtë vëmendjes së presidentit francez nuk mbeti as rajoni i Ballkanit perëndimor, ku ai përsëriti edhe një herë se është e nevojshme të qartësohet çështja e perspektivës evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Macron mbajti një fjalim për tema të rëndësishme me peshë globale, teksa tha se pabarazia në rritje në kontinentin evropian nënkuptonte se nevojitej një model i ri ekonomik për të përballuar sfidat klimatike dhe digjitale, duke nënvizuar nevojën për të kufizuar fuqinë e gjigantëve të internetit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
FC Ingolstadt 04 ka nënshkruar me qendërmbrojtësin shqiptar Visar Musliu.…