Macron viziton Grenlandën për të shprehur mbështetjen për sovranitetin e ishullit

15 qershor 2025 | 18:28

Presidenti francez Emmanuel Macron mbërriti sot në Grenlandë në një vizitë simbolike dhe politike, duke deklaruar se udhëtimi i tij synon të shprehë solidaritetin e Francës dhe Bashkimit Evropian me sovranitetin dhe integritetin territorial të ishullit arktik.

Macron u prit nga kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, dhe kryeministri i Grenlandës, me të cilët zhvilloi takime dypalëshe në një klimë të ngarkuar nga tensionet ndërkombëtare rreth ishullit.

Kjo është hera e parë që një udhëheqës shteti viziton Grenlandën pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili më herët kishte shprehur dëshirën që SHBA të merrte kontrollin e territorit, duke përmendur rëndësinë strategjike dhe pasuritë natyrore të zonës.

Gjatë takimeve, bisedimet u përqendruan në sigurinë në rajonin e Atlantikut të Veriut dhe Arktik, sfidat e ndryshimeve klimatike, tranzicionin energjetik dhe sigurinë në furnizimin me metale të rralla, çështje me rëndësi gjithnjë në rritje për Evropën dhe botën.

“Qëllimi ynë është të forcojmë bashkëpunimin me Grenlandën në këto fusha dhe të kontribuojmë në fuqizimin e sovranitetit evropian”, deklaroi Macron, duke nënvizuar mbështetjen ndaj partnerëve evropianë përballë ambicieve gjeopolitike të jashtme.

Grenlanda, e cila është territor autonom nën sovranitetin e Danimarkës, ka fituar vëmendje të veçantë në arenën ndërkombëtare për shkak të burimeve të pasura minerale dhe pozicionit të saj gjeostrategjik në Rrethin Arktik.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Disa makina-bomba kanë shpërthyer në Teheran pasi sulmet ajrore izraelite…