
Macroni bisedon me Vuçiqin: Dialogu me Kosovën duhet të vazhdojë, veprimet e njëanshme dëmtojnë procesin
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka zhvilluar një bisedë me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, ku fokusi kryesor ka qenë dialogu Kosovë-Serbi dhe e ardhmja evropiane e rajonit.
Macroni ka theksuar se Serbia duhet të vazhdojë reformat dhe dialogun me Kosovën nëse dëshiron të ecë përpara drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
“Fati i Serbisë është evropian dhe shpresoj që ajo të ecë përpara në rrugën e reformave dhe të anëtarësimit, duke ruajtur frymën e dialogut”, ka deklaruar Macron pas bisedës.
Në këtë bisedë, lideri francez ka theksuar edhe rëndësinë e stabilitetit dhe unitetit në Bosnje-Hercegovinë, si dhe respektimin e shtetit ligjor në tërë rajonin.
Lidhur me raportet Kosovë-Serbi, Macroni ka rikujtuar se çdo veprim i njëanshëm që cenon procesin e dialogut është i dënueshëm dhe se dialogu është rruga e vetme drejt normalizimit të marrëdhënieve.
“Me vendet e Ballkanit Perëndimor, Evropa do të realizojë fatin e saj në unitet, solidaritet dhe përgjegjësi”, ka shtuar Macroni.