Maduro refuzon “paqen e skllevërve”, ShBA rrit presionin ndaj Venezuelës

02 dhjetor 2025 | 08:23

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka deklaruar se vendi i tij kërkon vetëm “paqe me sovranitet” dhe jo “paqen e skllevërve”, ndërsa mijëra qytetarë u mblodhën të hënën në një protestë mbështetëse në Caracas. Deklaratat vijnë në një moment tensioni të lartë, për shkak të rritjes së pranisë ushtarake të Shteteve të Bashkuara në rajon.

Sipas mediave amerikane, Presidenti Donald Trump ka zhvilluar takim me ekipin e tij të sigurisë kombëtare për të diskutuar hapat e ardhshëm ndaj Venezuelës. Uashingtoni po e justifikon dislokimin e trupave të shumta në Karaibe si pjesë të një operacioni kundër trafikut të drogës, ndërsa qeveria venezuelase e akuzon SHBA-në për tentativë për ndryshim të regjimit.

SHBA ka grumbulluar rreth 15,000 ushtarë në rajon dhe ka vendosur atje edhe aeroplanmbajtësen më të madhe në botë. Gjithashtu, ka shpallur “Kartelin e Diellit”, që e lidh me Maduro, si organizatë terroriste. Që nga shtatori, ushtria amerikane ka kryer më shumë se 20 sulme ndaj mjeteve të dyshuara për trafik droge, ku kanë humbur jetën të paktën 83 persona.

Presidenti Trump konfirmoi se ka zhvilluar një telefonatë me Maduro-n më 21 nëntor, por nuk ka dhënë  detaje. Sipas burimeve të cituara nga Reuters, Trump i ka ofruar presidentit venezuelas një rrugë të sigurt për të lënë vendin.

Maduro, nga ana e tij, është shprehur se do të pranonte largimin vetëm nëse ai dhe familja e tij do të merrnin amnisti të plotë, përfshirë heqjen e sanksioneve amerikane dhe mbylljen e çështjes ndaj tij në Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Ai ka kërkuar edhe heqjen e sanksioneve për mbi 100 zyrtarë venezuelas.

Raportohet se Trump ka refuzuar shumicën e kërkesave dhe i ka dhënë Maduro-s një javë afat për t’u larguar. Ky afat përfundoi të premten, ndërsa të shtunën presidenti amerikan deklaroi se hapësira ajrore e Venezuelës ishte mbyllur.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar shifrat e reja…