Maliqi: Jetëgjatësia e qeverisë Hoti varet nga suksesi i saj

05 qershor 2020 | 09:13

Analisti politik Shkëlzen Maliqi ka deklaruar se jetëgjatësia e qeverisë së re është çështje e hapur. Ai ka deklaruar se kjo qeveri, nëse është e suksesshme, mund ta çojë mandatin deri në fund.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Maliqi ka thënë se, nëse arrin t’i përmbushë disa detyra që i ka para vetes, qeveria e re mund ta kryejë një mision kyç për zgjedhjet e ardhshme.

“Kjo mbetet çështje e hapur. Me rëndësi është performanca e qeverisë deri në fund të këtij viti. Nëse del e suksesshme, mund të marrë kreditë për ta vazhduar qeverisjen për sa është e nevojshme si qeveri transitore, ndoshta edhe për tre vjet të ardhshëm”, ka thënë Maliqi.

Ai ka vlerësuar se qeveria Hoti është zgjedhur me një shumicë minimale, por të mjaftueshme për legjitimitetin e saj.

“Kryeministri Hoti e ka marrë përsipër që të nxjerrë vendin nga ngërçi dhe bllokada që e konfrontonin shoqërinë dhe nëse arrin që t’i përmbushë disa detyra imediate që i ka para vetes, p. sh., të nënshkruajë një marrëveshje të arsyeshme me Serbinë, të cilën e duan ShBA-ja dhe BE-ja, mund ta kryejë një mision kyç që në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që të mbahen, të hyjmë pa atmosferën paranojake se ‘bota po na detyron ta pranojmë një marrëveshje të keqe’, pa e ditur se çfarë është ajo marrëveshje”, ka thënë Maliqi.

Analisti politik ka treguar edhe për pritjet nga qeveria e re në aspektin e brendshëm. “Prej qeverisë Hoti mund të pritet që të jetë më racionale dhe e kujdesshme për krijimin e një atmosfere të bashkëpunimit me sa më shumë faktorë vendorë dhe që t’i largohet konfliktualitetit. Ajo nuk do ta ketë luksin e injorimit të opozitës. Të paktën duhet ta mobilizojë shumicën e deputetëve shqiptarë në mënyrë që vendimet e mëdha për vendin të mos sprovohen nga mazhoranca minimale që e ka mbështetur në aktin e krijimit të saj”, është shprehur Maliqi.

“Epoka e re”: Z. Maliqi, për herë të parë, të mërkurën, Kuvendi i Kosovës ka votuar një qeveri e cila nuk e përfshin fituesin e zgjedhjeve. Në këtë mënyrë u krijua një standard që nuk është aplikuar deri më tani. Cili është vlerësimi juaj për formimin e kësaj qeverie?
Maliqi: Kuvendi i Kosovës ka qenë në të drejtën e tij që ta zgjedhë qeverinë e re pas dështimit të koalicionit LV-LDK. Qeveria Kurti nuk siguroi unitet të brendshëm, e ktheu kundër vetes 2/3 e Kuvendit me votimin e mocionit të mosbesimit, pastaj provoi që të qeverisë vetëm si LV duke e krijuar një shumicë të përhershme me shkarkimin e zëvendëskryeministrit Hoti dhe ministrit Veliu (ministrat e tjerë të LDK-së që mbetën në detyrë praktikisht nuk ishin pjesë e vendimmarrjeve), kështu që kjo anomali nuk ka mundur të zgjasë pa fund, është dashur që çështja e qeverisë të kthehet në Kuvend si institucion funksional dhe me mandat të plotë për vendimmarrje. Edhe pa vendimin e Gjykatës Kushtetuese ka qenë e qartë se fjala e fundit i takon Kuvendit, se vetëm Kuvendi mund ta shkarkojë veten për të shkuar në zgjedhje të reja, që ishte kërkesa e vetme e LV-së pasi që mendonte se zgjedhjet e përsëritura do t’i fitonte më bindshëm se ato të 6 tetorit. Albin Kurti kujtonte se mund ta detyrohet presidenti t’i shpallë zgjedhjet duke mos e konsideruar fare fuqinë e Kuvendit por, kjo nuk ndodhi. Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë dekretit të presidentit. Është e vërtetë se qeveria Hoti u zgjodh me një shumicë minimale, por të mjaftueshme për legjitimitet. Kryeministri Hoti e ka marrë përsipër që ta nxjerrë vendin nga ngërçi dhe bllokada që e konfrontonin shoqërinë dhe, nëse arrin që t’i përmbushë disa detyra imediate që i ka para vetes, p. sh., të nënshkruajë një marrëveshje të arsyeshme me Serbinë, të cilën e duan ShBA-ja dhe BE-ja, mund ta kryejë një mision kyç që në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që të mbahen, të hyjmë pa atmosferën paranojake se “bota po na detyron ta pranojmë një marrëveshje të keqe”, pa e ditur se çfarë është ajo marrëveshje.

“Epoka e re”: Çfarë janë pritjet tuaja për qeverinë Hoti në aspektin e brendshëm?
Maliqi: Prej qeverisë Hoti mund të pritet që të jetë më racionale dhe e kujdesshme në krijimin e një atmosfere të bashkëpunimit me sa më shumë faktorë vendorë dhe që t’i largohet konfliktualitetit. Ajo nuk do ta ketë luksin e injorimit të opozitës. Të paktën duhet ta mobilizojë shumicën e deputetëve shqiptarë në mënyrë që vendimet e mëdha për vendin të mos sprovohen nga mazhoranca minimale që e ka mbështetur në aktin e krijimit të saj. Ajo duhet ta zbutë qëndrimin, nëse kjo është e mundshme, edhe ndaj LV-së, duke mos mbajtur mëri dhe revanshizëm ndaj saj, kurse nuk duhet assesi ta largojë nga konsultimet dhe vendimmarrjet PDK-në, e cila që nga 6 tetori ka thënë vazhdimisht se do të mbetet në opozitë, por premtonte se nuk do t’i pengojë vendimmarrjet për proceset më rëndësi jetike për Kosovën.
Një tjetër gjë që mund ta bëjë qeveria Hoti, edhe pse do ta ketë vështirë, është që të veprojë sa më mençur në tejkalimin e krizës ekonomike që e kërcënon vendin pas pandemisë. Ajo do të duhej të depolitizonte disa tema që në të kaluarën kanë krijuar paranoja dhe ndasi të ashpra politike. Këtu, para së gjithash, mendoj në masat ekonomike që do të mundësojnë rritjen e bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe sidomos me Shqipërinë. Një tjetër gjë që mund të pritet nga qeveria Hoti është vazhdimi i luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, për çka edhe ashtu do ta ketë opozitën dhe kontrollin e fortë nga LV-ja dhe PDK-ja. Në esencë, kjo është bërë tani edhe një çështje që e kërkon shumica e shoqërisë. Por, mendoj se kjo nuk mund të bëhet vetëm me fushata propagandistike të ndryshimit të “bordeve të kapura” me vendime arbitrare. Kosovës i duhet, si Shqipërisë, një proces i strukturuar i vetingut i ndihmuar nga BE-ja dhe ShBA-ja. Për këtë duhet pasur para sysh edhe përvojën e Shqipërisë, me pengesat e shumta për vetingun që e kanë vonuar atë nga ndikimi i monopolistëve politikë dhe ekonomikë.

“Epoka e re”: Në aspektin e jashtëm, ShBA-ja dhe BE-ja në urimet e tyre e kanë bërë të qartë që mezi presim të bashkëpunojnë me qeverinë e re për vazhdimin e dialogut me Serbinë. Besoni se kjo qeveri do ta mund ta përmbyllë këtë proces?
Maliqi: Politikanët, por edhe opinioni në Kosovë, nuk janë të vetëdijshëm se ne jemi në epiqendër të një procesi ku, përkundër kontradiktave dhe mospajtimeve që kanë mes vete, BE-ja dhe ShBA-ja janë jetësisht të interesuara që Ballkanin Perëndimor ta largojnë nga sfera e influencës të Rusisë. Ajo që te ne perceptohet shpesh si favorizim i Serbisë karshi Kosovës, p. sh., kur BE-ja dhe ShBA-ja insistojnë që ta heqim taksën dhe reciprocitetin ndaj Serbisë, nuk është në funksion të dëmtimit të Kosovës si shtet sovran, por një veprim i përkohshëm që lehtëson vazhdimin e dialogut, që tani ka gjasa të shndërrohet në negociata finale politike për marrëveshje historike, që Kosovës duhet t’ia sigurojë anëtarësimin në OKB. Në këtë aspekt ne duhet të jemi racionalë dhe jo paranojakë dhe refuzues ndaj kompromiseve (do t’i quaja të buta) për të cilat do të duhej të vendosim, nëse alternativa për këto kompromise do të ishte mbetja në një pozitë siç jemi sot, pa njohje universale ndërkombëtare. Ky do të jetë sovranitet i Kosovës dhe jo kjo që kemi sot.

“Epoka e re”: Liderët e partive politike që e përbëjnë koalicionin qeverisës, Mustafa, Haradinaj dhe Limaj, nuk do të jenë pjesë e qeverisë. Sa mund të ndikojë kjo në funksionimin e këtij kabineti qeveritar?
Maliqi: Mendoj se ky është një zhvillim pozitiv sepse gradualisht pushteti dhe përgjegjësia po kalon te brezi më i ri i politikanëve. Ky lloj i rreshtimit të pushtetit në dy eshallone, ku të vjetrit dhe të fuqishmit i kontrollojnë partitë, por të rinjtë janë në funksione ekzekutive, më duket si model i vin-vin situatës, ku të fuqishmit të djeshëm nuk ndihen të margjinalizuar dhe pa ndikim, e as udhëheqësit ekzekutivë që drejtojnë dikasterët nuk do të duhej të vepronin në varësi nga bosët e tyre partiak, nëse duan që të kenë karrierë të suksesshme, sepse duhet të tregojnë iniciativë, të mendojnë me kokën e vet dhe jo të janë marioneta.

 “Epoka e re”: Opozita e kësaj qeverie e cila u formua me minimumin e votave do të jetë mjaft e fuqishme. Sa pritni të jetë jetëgjatësia e kësaj qeverie?
Maliqi: Kjo mbetet çështje e hapur. Me rëndësi është performanca e qeverisë deri në fund të këtij viti. Nëse del e suksesshme, mund t’i marrë kreditë për ta vazhduar qeverisjen për sa është e nevojshme si qeveri transitore, ndoshta edhe për tre vjetët e ardhshëm.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, tha gjatë një interviste në…