Manipulim i shifrave të rritjes së GDP-së

11 tetor 2021 | 14:13

Shkruan: Dardan Sejdiu

Muaj më parë ministri Murati kishte bërë një deklaratë të paparë nga asnjë ministër i Financave deri më tani: tregonte shifrat e rritjes ekonomike në terma nominalë.
Për sqarim, rritja në terma nominalë përfshinë edhe efektin e rritjes së çmimeve (inflacionit) ndryshe nga rritja reale që e largon efektin e çmimeve, gjë që edhe një student i vitit të dytë në fakultet në Kosovë e di. Sidomos këtë vit çmimet janë rritur shumë, dhe këtë secili e di.
Kur e pati dhënë këtë deklaratë, nuk e tha asnjë fjalë për rritjen reale – një tregues i cili përdoret nga secili ministër i Financave në botë, apo ministra që nuk manipulojnë.
Manipulimi i tij me të dhëna nuk ndalet këtu. Ky shkon tutje dhe tenton të paraqesë rritjen e tremujorit të dytë si diçka e jashtëzakonshme, madje edhe si rezultat i ndikimit të qeverisë apo ministrisë së tij.
Kjo rritje, madje edhe më e madhe në shumë raste, ka ndodhur në të gjitha vendet në rajon. Për shembull, ekonomia e Shqipërisë gjatë tremujorit të dytë u rrit për 17.89 për qind. Ekonomia e Malit të Zi u rrit për 19 për qind, njëjtë sa ekonomia e Maqedonisë. Vetëm ekonomia e Serbisë dhe ajo e Bosnjës dhe Hercegovinës u rriten nga 13.7 dhe 14.7 për qind.
Mirëpo prapëseprapë rritja e ekonomisë sonë gjatë kësaj periudhe është nen nivelin mesatar të këtij rajoni (Western Balkan 6, përjashto Kosovën).
Arsyeja për këtë rritje, edhe pse nën mesataren e rajonit tonë, është shumë e thjeshtë: gjatë tremujorit të vitit të kaluar çdo ekonomi pothuajse ishte e mbyllur, dhe kur e krahason aktivitetin ekonomik të tremujorit të dytë të këtij viti me atë tremujor, është shumë e pritshme që të ketë rritje të këtij niveli.
Ndërsa për të treguar që kjo rritje është pothuajse tërësisht e shtyrë nga sektori privat dhe nga ardhja masive e diasporës sivjet, mjafton të analizohen të dhënat fiskale nga uebfaqja e Ministrisë së Financave.
Aty del se në fund të muajit gusht (të dhënat më të fundit) Qeveria e Kosovës në konton e vet bankare ka rreth 500 milionë euro. Duke parë trendin ngritës të bilancit bankar të muajve të fundit, lirisht mund të parashikohet se kontoja e shtetit tonë në fund të shtatorit mund të ishte rreth 600 milionë euro.
Ende më keq, kjo lojë arrin kulminacionin kur publikisht krahason rritjen “reale” ekonomike të parashikuar nga Banka Botërore prej 7.1-përqindësh me shifrën e famshme “nominale” prej 7.9- përqindësh. Këto dy shifra janë dy gjera krejtësisht të ndryshme dhe për këtë arsye nuk krahasohen. Le të themi se Kosova prodhon vetëm molla, dhe në vitin 2020 nga prodhimi i mollëve kishte arritur një GDP nominale prej 100 milionë eurosh.
Këtë vit çmimi i një molle ishte 1 milion euro. Ne vitin 2021 arrin të shesë plot 105 molla, mirëpo me çmim të ngritur në gati 1.05 milionë euro për mollë. Rritja nominale në këtë vit është pak mbi 10 për qind.
Mirëpo kur mënjanohet efekti i çmimit (ngritja nga 1 në 1.05 milionë euro për mollë) del se rritja reale (dmth. në kuantitet të produkteve apo edhe shërbimeve në botën reale) është vetëm 5 për qind.
Kështu, pra, ministri Murati manipulon me koncepte bazike të ekonomisë. Sigurisht që rritja ekonomike e sivjetshme mund të jetë mbi 7 për qind, siç thotë edhe Banka Botërore, mirëpo rritjen ekonomike nuk e ndihmon dot as manipulimi me të dhëna e as spektakli me numra të komunave!
Sektori privat dhe diaspora janë meritorët për rritje ekonomike, e jo qeveria dhe kursimet e saj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekura Murati ka njoftuar…