Marrëveshja e targave, dështimet dhe suksesi

30 shtator 2021 | 17:03

Shkruan: Hajdin Abazi

Në ditën e dhjetë të vendosjes së Njësive Speciale të Policisë së Kosovës (NjSPK) në vëzhgim të pikave kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë me rastin e implementimit të reciprocitetit në targa, me ndërmjetësuesin evropian Miroslav Lajçak dhe me praninë e zëvendës ndihmës sekretarin amerikan, njëherësh i ngarkuar i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, u arrit marrëveshja për reciprocitetin e targave më 30 shtator 2021.

Marrëveshja, me të drejtë, konsiderohet nga Miroslav Lajçak e Josep Borrell dhe ambasadori i SHBA-ve në Beograd Anthony Godfrey si një arritje e diplomacisë së përbashkët euro-amerikane (BE-SHBA), sepse ajo rivendosi paqen, pasi që kjo u kërcënua hapur nga Serbia.

Por, nëse shihet i tërë spektri i zhvillimeve, dhe vetë kjo marrëveshje, atëherë në planin real kosovar mund të shquhen si dështime ashtu edhe suksese.

Qeveria e humbi momentumin që u krijua me sjelljen luftënxitëse të Serbisë e cila ishte sa kundër Kosovës, po aq edhe kundër NATO-s (KFOR-it), momentum i cili do të mund të shfrytëzohej nga KM Kurti për krijimin e një fryme për bashkuese afatgjate për interesin shtetëror. Kështu, ai nuk bëri diçka më ndryshe nga homologët e tij të mëhershëm. Moskapitalizimi i këtij momentumi për pushtetarët është humbje e një shansi tepër të rrallë!

Pika e parë e Marrëveshjes tregon “suksesin” e veprimit të Qeverisë: tërheqja e Njësitë Speciale dhe largimi i barrikadave (lexo: tërheqja strukturave paralele nga “llogoret”) u baras vlerësuan. Madje, duke u vënë theksi së pari te largimi i Njësive Speciale e pastaj te barrikadat, nëse kjo lexohet drejt, rrjedhë se largimi i barrikadave kushtëzohet me tërheqjen e Njësive Speciale. Kjo domethënë se ato dhe strukturat paralele, në këtë rast, në mënyrë të nënkuptueshme trajtohen njëlloj, si “palë të konfliktit”. E mira e kësaj është se tërheqja “e palëve” në mënyrë paqësore e që garantohet nga NATO-ja, respektivisht KFOR-i. Ky është dështim faktik për Qeverinë, sepse garantuese e procesit u bë pala e tretë KFOR-i. Gjithsesi, sukses i diplomacisë euro-amerikane është rivendosja e paqes, nën mbikëqyrjen e KFOR-it.

Pika dytë e Marrëveshjes, aplikimi i etiketave ngjitëse (stickersave), është një sukses. Kjo u arrit falë involvimit të SHBA-ve, gjithsesi në bashkërendim me BE-në. Doli se ftesa e Lajçak që të involvohej zëvendës ndihmës sekretari amerikan Garbiel Escobar, ishte forca që duhej negociatave për të shtyrë përpara marrëveshjen.

Pika e tretë e Marrëveshjes shpreh vazhdimin e dialogut teknik, për gjysmë viti, për gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme, gjë që është rrejdhim logjik i pikës 1 dhe 2 të Marrëveshjes. Epilogu i saj është parathënë – do të bazohet në “standardet dhe praktikat e BE-së”.

Përfundimi është se situata në veri u kthye në favor të Kosovës jo se Qeveria veproi konform momentumit por falë sjelljes luftënxitëse të Vuçiqit, i cili, duke besuar se i erdhi dita, deshi të niste një konflikt të ri të armatosur, për të involvuar Rusinë dhe Kinën kundër SHBA-ve dhe BE-së.

Mbase Qeveria dhe KM Kurti do të kuptojnë se pa SHBA-të, Kosova nuk mundet në asgjë t’ia dalë. Qasja e deritashme e KM Kurtit e anashkalimit të SHBA-ve duhet të ndryshohet dhe të kthehet në kurs bashkërendimi të ngushtë, paraprak dhe në secilin hap. Edhe pse jemi në të drejtën, prapëseprapë vetëm me SHBA-të Kosovës gjithmonë i del mirë.

Një leksion i mësuar!?

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kampionia në fuqi e Kosovës, Prishtina ka bërë edhe një…