
Marrëveshje miliardëshe mes SHBA e Arabisë Saudite
Trump dhe miku i tij bin Salman: “Unë besoj vërtetë se ne e vlerësojmë shumë njeri-tjetrin”, tha Trump në një dalje të përbashkët në Riad: Marrëveshje miliardëshe mes SHBA e Arabisë Saudite.
Në udhëtimin e tij të parë jashtë vendit që pas marrjes së postit presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u prit në Arabinë Saudite nga një numër i madh përfaqësuesish të oborrit mbretëror dhe botës së biznesit. Gjatë aderimit në Riad avioni presidencial i Trump u eskortua nga avionët luftarakë arabo-saudit, princi i kurorës Mohammed bin Salman e priti atë personalisht në aeroport.
Arabia Saudite është stacioni i parë i Trump në kuadrin e një udhëtimi kushtuar kryesisht marrëdhënieve ekonomike në rajonin e Gjirit Persik. Pritja e përzemërt në aeroport u pasua nga një pritje madhështore në pallatin mbretëror në Riad. Limuzina e presidentit Trump u shoqërua nga një gardë kalorësish. Duke ecur në korridoret e gjata të ndërtesës impozante Trump përshëndeti dhjetëra përfaqësues sauditë të qeverisë dhe ekonomisë.
Presidenti i SHBA-së në këtë udhëtim shoqërohet nga anëtarët të rëndësishëm të kabinetit dhe përfaqësues të ekonomisë, ndër të tjerë nga ministri i Jashtëm, Marco Rubio dhe këshilltari Elon Musk. Pas pjesëmarrjes në një samit të shteteve të Gjirit Persik, Trump bashkë me Musk donin të prezantoheshin në një forum investimesh. Bin Salman qysh në janar me marrjen e postit nga Trump i premtoi SHBA-së investime në shumën e 600 miliardë dollarëve.
Trump dhe bin Salman nënshkruan fillimisht një marrëveshje ekonomike dhe më pas shikonin se si ministrat e tyre vendosën një sërë marrëveshjesh duke shtrënguar duart. Ndër këto marrëveshje bën pjesë bashkëpunimi në fushën e energjisë, të drejtësisë, mbështetja e autoriteteve doganoore dhe bashkëpunimi ndërmjet Smithsonian Museum dhe institucioneve saudite. Gjithashtu të dy vendet ranë dakord për biznese në fushën e armatimeve në vlerën 142 miliardë dollarë. Arabia Saudite në bazë të këtyrë marrëveshjeve do të marrë mallra armatimi dhe shërbime nga një duzinë sipërmarrjesh të SHBA-së në sektorin e mbrojtjes. Ndër të tjera synohet modernizimi i aviacionit ushtarak saudit, i sistemeve të mbrojtjes nga ajri dhe mbrojtjes së kufijve, rrugëve detare dhe sistemeve të komunikacionit.
Trump theksoi gjatë vizitës raportet e mira të tij me princin e kurorës. “Unë besoj vërtetë se ne e vlerësojmë shumë njeri-tjetrin”, tha republikani në një dalje të shkurtër të përbashkët para medias në Riad përpara fillimit të bisedimeve. Trump e quajti princin e kurorës mik. Ai sërish vendosi që vizitën e parë zyrtare jashtë vendit si president ta zhvillojë në Arabinë Saudte, sepse ajo ka premtuar të investojë 600 miliardë dollarë në SHBA.
Vizita në Katar dhe në Emirate
Në forumin saudito-amerikan të investimeve, ministri saudit i Investimeve Chalid al-Falih theksoi rritjen e marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve: “Ndërsa energjia mbetet edhe më tej gurthemeli i marrëdhënieve tona, ne i kemi katërfishuar investimet dhe mundësitë e biznesit në mbretëri”, tha Falih. “Nëse sauditët dhe amerikanët i bashkojnë forcat, ndodhin gjëra shumë të mira.” Në forum morën pjesë edhe ministrat e Financave të të dy vendeve, Scott Bessent dhe Mohammed Al Dschadaan, si dhe shefi i Blackrock Larry Fink dhe CEO i Blackstone Stephen Schwarzman.
Trump do të vazhdojë turin në Gjirin Persik edhe me vizitat në Katar dhe Emirate, ku gjithashtu në fokus do të jenë marrëdhëniet ekonomike.