
Martesa e keqe mund ta dëmtojë sëriozisht shëndetin tuaj
Një studim i kryer nga psikologët e universiteteve të Nevadës dhe Miçiganit ka monitoruar 373 çifte heteroseksualë për 16 vjet, duke zbuluar se grindjet e shpeshta në martesë mund të kenë ndikime të dëmshme në shëndet, veçanërisht për burrat.
Çiftet që kishin më shumë tema mosmarrëveshjeje si fëmijët, paratë, të afërmit dhe aktivitetet e kohës së lirë, raportonin për shëndet më të dobët.Ndërsa për gratë, numri i temave të mosmarrëveshjes nuk kishte ndikim të dukshëm në shëndet, për burrat ky numër ishte një tregues i rëndësishëm i rënies së shëndetit.
Rosie Shrout, një nga studiueset kryesore, shpjegoi se konflikti i vazhdueshëm mund të çojë në përgjigje të dëmshme fiziologjike, si rritja e hormoneve të stresit, inflamacioni dhe ndryshime në funksionimin e sistemit imunitar.Ajo theksoi se nuk është akti i martesës që sjell përfitime shëndetësore, por mënyra se si partnerët mbështesin dhe kujdesen për njëri-tjetrin gjatë marrëdhënies.
Përfundimi i studimit është se një martesë e keqe, me konflikte të shpeshta dhe të pakontrolluara, mund të jetë po aq e dëmshme për shëndetin sa duhani dhe alkooli. Për të ruajtur mirëqenien, është e rëndësishme që çiftet të punojnë për të përmirësuar komunikimin dhe të zgjidhin mosmarrëveshjet në mënyrë konstruktive.