MAShT-it i është refuzuar kërkesa që testi “Pisa” të mos mbahet në vitin 2018

02 janar 2018 | 17:22

Rezultatet e testit “Pisa 2015” ishin jo të kënaqshme për Kosovën. Renditja e Kosovës në vendet e fundit sa i përket cilësisë së arsimit ngjalli debate që arsimi ka nevojë për reformë.

Për të pas mundësi që të përgatiten më shumë për testimin e ardhshëm Minisitria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), ka kërkuar që testimi të shtyhet për në vitin 2019.

Ministri Shyqyri Bytyqi, në një intervistë për Ekonomia Online ka sqaruar se kërkesa për shtyrjen e mbajtjes së testit është refuzuar.

“Unë kam bërë një kërkesë direkt në PISA që testi të shtyhet për vitin 2019 që të mos mbahet në vitin 2018, me idenë e vetme që të kemi hapësirë dhe mundësi të përgatiten më mirë për një vit, kemi marrë përgjigje negative dhe na kanë kërkuar ose të tërhiqemi nga testi për vitin 2018 deri në vitin 2021 ose nuk ka shtyrja për një vit dhe ne nuk kemi mundur të jemi të gatshëm të tërhiqemi”, tha ai.

Bytyqi theksoi se për të ndryshuar sistemin e arsimit dhe të kemi rezultat të kënaqshëm MAShT-i ka themeluar një komision të veçantë për përgatitjen e nxënëseve.

“Nga viti 2015 deri më tani është bërë një përpjekje, por jo ajo përpjekje e duhur që të merren masa konkrete që në testin e ardhshëm të rezultojë më mirë sesa që kemi qenë. Hapin e parë që kam bërë tani është formimi i një komisioni të ri për testin ‘Pisa’ që në fakt ka qenë një komision paraprak që për mua ka qenë inekzistent”.

Sipas Bytyqit komisioni do të mbajnë dy teste për të gjitha shkollat e vendit në mënyrë që nxënësit të familjarizohen me mënyrën e testimit.

“Komisioni ka marrë një përgjegjësi të madhe dhe ka një plan shumë dinamik deri në muajin prill ne planifikojmë t’i mbajmë dy teste nëpër shkolla të Kosovës, pra testi i parë provues do të mbahet në të gjitha shkollat e Kosovës, ky test do të ketë qëllim t’i familjarizojë nxënësit me testin “Pisa”, ta ngrit përgjegjësinë nëpër shkolla dhe në nivelin lokal, pra t’i kushtohet rëndësi të dihet sa i rëndësishëm është testi ‘Pisa’”.

“Testin e dytë provues planifikojmë të bëjmë vetëm me shkollat të cilat do të përzgjidhen nga ‘Pisa’ dhe ne do ta kemi informacionin se cilat do të jenë shkollat që do të përzgjidhen dikun kah fundi i shkurtit dhe do të kemi mundësi pastaj që testin e dytë ta bëjmë në shkolla të cilat do t’i nënshtrohen testit”.

Sfidë me të cilën ballafaqohet arsimi në Kosovë është mungesa e shkollave të cilat zhvillojnë mësimin tërëditor, pohoi i pari i MAShT-it.

Ai tha se Kosova ka mungesë të shkollave për zhvillimin e mësimit tërë ditor. Sipas tij, 142 shkolla mungojnë për aplikimin e kësaj forme të mësimit dhe duhet mbi 300 milionë euro.

“Në territorin e Republikës së Kosovës mungojnë edhe 142 shkollë për të pas mundësi që të aplikohet mësimi tërë ditor në Kosovë, pra që të aplikohet dhe të kenë kushte në anekse përcjellëse që të ketë me të vërtetë mundësi që të realizohet një mësim tërë ditor sipas formës që aplikohet në shumë vende të tjera të Evropës apo edhe këtu në Kosovë në disa shkolla private. Për t’u realizuar kjo na duhet një buxhet i madh sepse nga analizat del që kostoja mund të shkojë mbi 300 milionë euro, pra që është një kosto jo e vogël dhe jo e lehtë të përballohet nga buxheti i Kosovës”, sqaroi ministri.

Sipas Bytyqit, viti 2018-2019 do të jetë vit i aplikimit të mësimit tërëditor vetëm në shkollat që kanë kushte për aplikimin e kësaj reforme.

“Ne do të kërkojmë që të aplikohet mësimi tërë ditor vetëm në shkolla të cilat i kanë kushtet për tu zhvilluar mësimi tërë ditor, por jo në shkollat të cilat nuk i plotësojnë kushtet për të zhvilluar mësimin tërë ditor. Pra komisioni i cili do të bëjë vlerësimin e shkollave dhe do të jep rekomandime për komunat se në cilat shkolla mund të zhvillohet mësimi tërëditor”, tha ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë gjatë ditës së sotme…