Mavraj për takimin e 27 qershorit në Uashington: Të gjitha palët në Kosovë të jenë të bashkuara

19 qershor 2020 | 15:03

Profesori universitar, publicisti dhe botuesi Muhamet Mavraj, në “Studion e hapur” në Radio Televizionin e Kosovës (RTK) në kanalin 3, ka folur sot për takimin që është paralajmëruar se do të mbahet më 27 qershor në Uashington ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Mavraj ka thënë se iniciativa e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për ta rifilluar këtë proces, është serioze. Ai ka bërë thirrje për bashkim të spektrit politik për këtë proces.

“Tash, përtej moralizimeve të tepruara për çështjen e unitetit, jo vetëm në këtë rast, por edhe për rastet e tjera, është mirë që të gjitha palët në Kosovë ta kenë emëruesin e përbashkët, të kenë një kornizë në të cilën gjithmonë janë të përafërta ose unike. Pra, edhe më 27 qershor. Megjithatë, nuk është tragjike, se ende nuk jemi në atë çastin kur kërkohet doemos një unitet nominal. Kjo është vetëm një pjesë e dialogut. Pjesa tjetër e dialogut, kryesorja, mbetet për muajt e ardhshëm, sidomos nga korriku e tutje”, ka shprehur mendimin Mavraj.

Mavraj, ndër të tjera, ka folur edhe për mospjesëmarrjen e Lëvizjes Vetëvendosje (LV-së) dhe të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK-së) në takimin e thirrur nga kryeministri Avdullah Hoti, në të cilin temë e diskutimit ishte përgatitja për takimin në Shtëpinë e Bardhë.

Ai ka thënë se në këtë fazë nuk është tragjike mosprania e LV-së dhe e PDK-së në takimin me Hotin.

“Në këtë fazë nuk është tragjike, po them edhe një herë. Partitë qeveritare shqiptare janë unike në këtë plan dhe është një minimum i domosdoshëm i garantimit të procesit për ecjen përpara. Dy partitë opozitare, LV-ja dhe PDK-ja, të cilat për arsyet e veta i kanë bishtnuar këtij takimi, në të njëjtën kohë ia mbyllën vetes pak a shumë rrugën që të adresojnë kritika retorike për sa i përket lirimit të qeverisë ndaj tyre. PDK-ja e shtroi vërejtjen te mënyra e ftesës, kurse LV-ja për qëndrimet që dihen historikisht dhe për shkak të këtyre situatave që kanë përmbysur realitetin politik në Kosovë e që nuk është pritur ndryshe. Por, nuk mendoj se në një çast krucial ky dialog nuk do të jetë me një mbështetje më të madhe nëse gjithçka shkon në rregull dhe jo në çfarëdo terminologjie që i nxitë reagimin, pakënaqësinë, ndoshta edhe ndërprerjen e dialogut”, ka thënë Mavraj, përcjell “Epoka e re”.

Në pyetjen se a do të jetë temë ndryshimi i kufirit Kosovë – Serbi më 27 qershor në Uashington, duke iu referuar akuzave të Albin Kurtit drejtuar Grenellit, se po bën nguti në procesin e dialogut, të cilin e ka akuzuar edhe për ndryshim të kufirit, Mavraj ka pohuar se tema e ndryshimit të kufirit është temë e paqenë sepse, sipas tij, nuk ka asnjë dokument që dëshmon një gjë të tillë.

“Janë tema të paqena dhe nuk ekzistojnë tema të tilla. Nuk ka asnjë dokumentacion. Ka pasur vetëm dyshime. Jo vetëm nga Albini, por edhe nga njerëz të tjerë të skenës publike. Në fakt, reagimet e Albinit kanë qenë të tjera fare dhe kanë të bëjnë kryesisht me natyrën dhe me stilin e negociatave dhe të biseduarit, sigurisht edhe me konfliktin e tij me Hashim Thaçin, i cili në njëfarë mënyre tash ka marrë udhë të re. Tash gjërat janë krejtësisht ndryshe. Thaçi shkon në Uashington bashkë me kryeministrin, ndërsa ish-kryeministri ngelet në opozicion. Mendoj se mund të luajë rol të rëndësishëm edhe në këtë pozicion çfarë është. As ai dhe askush tjetër, as PDK-ja, nuk mund t’i kundërvihet me çdo kusht këtij procesi i cili, në fakt, duke u vonuar, nuk i konvenon Kosovës. Humbja e kohës për Kosovën nuk është në favorin tonë. Këtë duhet ta kenë parasysh të gjithë faktorët, edhe këta që janë në qeveri, edhe opozita parlamentare, po ashtu edhe opozita jashtëparlamentare, përfshirë këtu shoqërinë civile dhe opinionin publik”, ka deklaruar Mavraj.

Ai ka bërë me dije se në takimin e 27 qershorit përfaqësuesit legjitimë të shtetit të Kosovës duhet të jenë të kujdesshëm dhe të jenë më dinjitozë.

https://www.facebook.com/rtklivecom/videos/1154177311614873/

 

 

 

 

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka komentuar ngërçin e krijuar…